Në Tiranë Gjykata Kushtetuese shqyrtoi sot kërkesën e një grupi deputetësh të Kuvendit për të deklaruar si të papajtueshëm me Kushtetutën Protokollin për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit ndërmjet qeverisë italiane dhe asaj shqiptare.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri shqiptar Edi Rama nënshkruan në nëntor Protokollin, ku parashikohet ngritja në territorin shqiptar të dy qendrave për pritjen e migrantëve të kapur në ujërat ndërkombëtare nga anijet e autoriteteve italiane.
Në Gjykatë është dërguar edhe një tjetër kërkesë e deputetëve për të marrë një opinion këshillimor nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut mbi këtë çështje.
Gjykata Kushtetuese pezulloi në mes të dhjetorit miratimin në Kuvend të protokollit të nënshkruar në Romë mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes së tij italiane Giorgia Meloni në nëntor, një dokument i cili mori aprovimin e komisioneve parlamentare, të mbledhura online, me praninë e vetëm të deputetëve socialistë.
Gjykata zhvilloi sot një seancë plenare bazuar në dokumenta, pa praninë e palëve, ndërsa grupi i kërkuesve është shprehur se për Protokollin Meloni - Rama nuk u bë transparencë dhe nuk u kërkua asnjëherë autorizimi i Presidentit të Republikës.
Gjykata Kushtetuese njoftoi në fund të ditës se sot u shqyrtuan dokumente, prova dhe pretendime pro e kundër çështjes nga kërkuesi dhe subjektet e interesuar, dhe se i kërkoi qeverisë të sjellë si provë në seancën plenare pas një jave Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë të vitit 1995, duke vlerësuar se “shqyrtimi i këtij Traktati është i nevojshëm për hetimin e plotë të çështjes”.
Nga ana tjetër, Gjykata vendosi të rezervohet për t’u shprehur në përfundim të shqyrtimit gjyqësor mbi kërkesën e grupit të deputetëve për marrjen e opinionit këshillimor nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Protokolli, sipas grupit të deputëve, shkel disa prej të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, parashikuar në Kushtetutë, në Konventat Europiane të të Drejtave të Njeriut, për të drejtën e Traktave, për statusin e refugjatit si dhe ligje vendase për marrëveshje ndërkombëtare, për të huajt, për azilin.
Ata kanë vërejtur se Protokolli i përjashton automatikisht të huajt që vijnë në Shqipëri nga cdo lloj e drejte që gëzojnë të huajt, se sapo do të sillen në Shqipëri ata pritet të pësojnë një cënim të padrejtë të lirisë, derisa do të mbahen mbyllur në qendrat e pritjes gjatë të gjithë kohëzgjatjes së procedurës së vlerësimit të kërkesave të tyre për mbrojtje ndërkombëtare.
Kreu i grupit parlamentar të demokratëve, Gazmend Bardhi, tha se kjo është një çështje me interes të lartë publik, gjë që u pranua nga vet Gjykata Kushtetuese kur pezulloi procedurat e Kuvendit, ndërsa e cilësoi si shmangie transparence shqyrtimin e kësaj çështjeje pa ballafaqimin e palëve.
Ai shtoi se zgjidhja më e mirë sipas tij do të ishte një kërkesë drejtuar Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut për të dhënë një opinion.
“Pres që Gjykata Kushtetuese të pranojë kërkesën e deputetëve të opozitës. Më së pari pres të pranojë kërkesën tonë proceduriale për t’i kërkuar një opinion Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Ne absolutisht do të pranojmë çdo lloj opinioni do të japë Gjykata Europiane. Nga ana tjetër, Gjykata jonë Kushtetuese nuk ka një jurisprudencë të konsoliduar dhe as ekspertizën e thelluar për çështje të ngjashme, ku edhe praktikat ndërkombëtare janë të pakta”, tha sot zoti Bardhi.
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar Protokollin me Italinë si një qasje strategjike ndaj një partneri strategjik për Shqipërinë, dhe sipas tij, gjithë zhurma bëhet për faktin se për herë të parë një marrëveshje e tillë nënshkruhet me një vend joanëtar i Bashkimit Europian.
Nga ana tjetër e Adriatikut, ky dokument shihet si një përpjekje e qeverisë italiane për të frenuar largimet në rritje të emigrantëve nga Afrika dhe për të lehtësuar trysninë mbi qendrat e pritjes në territorin e saj.
Protokolli Meloni - Rama parashikon ngritjen në territorin shqiptar të dy qendrave, në Shëngjin dhe Gjadër, për pritjen e migrantëve që kapen në ujërat ndërkombëtare nga autoritetet italiane, deri në përfundim të procedurave për azil.
Në qendrën e parë pritet të kryhen verifikime mbi të dhënat personale, ndërsa në të dytën, ata duhet të qëndrojnë deri në përfundim të procedurave për azilin, ku parashikohet të jenë nën juridiksionin italian dhe me çdo shpenzim nga pala italiane.
Por deputetët që iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese theksojnë se Protokolli për këta të huaj nuk përfshin një sërë të drejtash dhe lirish që Republika e Shqipërisë garanton për azikërkuesit që ndodhen në territorin e saj, çka në vetvete përbën, sipas tyre, një qasje diskriminuese dhe shkelje të parimit të barazisë.
Për më tepër, vërejnë ata, Protokolli nuk parashikon asnjë garanci që nuk do të ketë dëbim kolektiv, apo nëse do të respektohet parimi i moskthimit.
Një vendim nga Gjykata Kushtetuese për gjithë këto pikëpyetje parashikohet të dalë në fillim të marsit.