Dita Ndërkombëtare për Zhdukjen e Dhunës ndaj Grave e gjen Shqipërinë me shifra të larta denoncimesh mbi dhunën me bazë gjinore, si dhe me përpjekje të shtuara për ta frenuar këtë dukuri.
Sipas të dhënave policore, në dhjetë muaj të këtij viti janë lëshuar 2 mijë e 373 kërkesë-padi mbi urdhra mbrojtje ndaj grave e vajzave, që kanë denoncuar dhunë.
Gentiana është një prej nënave të reja, që denoncoi dhunën, dhe po përpiqet bashkë me fëmijën e saj, që të nisë një jetë të re. Në intervistën për Zërin e Amerikës, emri dhe zëri i saj janë ndryshuar për arsye sigurie.
“Ai çdo ditë e më shumë, dhe çdo vit që kalonte, bëhej edhe më keq, me dhunë, me alkool, vinte i dehur. Erdhi në një gjendje që këto kohët e fundit më kërcënonte me jetë mua, dhe djalin, si dhe familjen time, mamanë dhe babain tim”, thotë për Zërin e Amerikës Gentiana, një denoncuese kurajoze e dhunës.
Pas një dhune sistematike, që e duroi për më shumë se 5 vjet, Gentiana ka tani një urdhër të dytë mbrojtje nga gjykata, të cilin bashkëshorti dhunues e shkel herë pas here, duke e kërcënuar nga afër me jetë. Por ajo thotë me vendosmëri se do të divorcohet nga babai i fëmijës së saj dhe do të nisë një jetë të re larg tij.
“Ai nuk llogariti asgjë, as familjen as fëmijën. Llogariti vetëm dhunën, tradhtinë, alkoolin, heroinën dhe erdhi momenti që jam në proces të ndarjes. Por djalin atij nuk ia lë, sepse duke e njohur shumë mirë se çfarë personi është, unë për djalin kam shumë frikë”, thotë Gentiana.
Në prani të avokates, Gentiana tregon për Zërin e Amerikës dhunën disavjeçare, që ka duruar vetëm për hir të fëmijës, gjatë gjithë martesës së saj nga bashkëshorti përdorues i drogave dhe alkoolit.
“Pas divorcit do të marr një shtëpi të vogël, do të gjej një punë, madje mund të bëj edhe dy punë, dhe do të jetoj më djalin. Nuk i trembem jetës”, thotë Gentiana.
Veprimtaret për të drejtat e grave theksojnë se mbrojtja dhe riintegrimi janë afatgjatë dhe vazhdojnë të mbeten problematike në Shqipëri.
Por ka jo pak raste kur gratë e dhunuara hyjnë në kurse profesionale apo regjistrojnë fëmijët në shkolla të tjera larg nga zona ku ka ndodhur dhuna, dhe ato kanë arritur t’ia dalin me sukses falë denoncimit të hershëm dhe koordinimit të gjithë aktorëve.
Qendra për Nisma Ligjore Qytetare, ku e takuam Gentianën, jep ndihmë avokatie falas asaj dhe qindra gra e vajza të tjera, që pësojnë dhunë në familje.
Juristja Nadia Guni, në këtë organizatë me përvojë 25 vjeçare, thotë se krahas ndihmës së parë ligjore, qendra kryen edhe përfaqësimin falas në gjykatë të këtyre grave e vajzave, e më pas lidhet me shoqata dhe institucione për punësimin dhe rehabilitimin e tyre.
“Është një procedurë shumë komplekse. Dhuna në familje nuk mbaron me zgjidhjen e një martese apo me një urdhër mbrojtje nga gjykata. Ajo kërkon të ndiqet në një procedurë shumë më të gjatë. Fokusi i Qendrës tonë është ndihma juridike falas, pjesën tjetër ne përpiqemi që të lidhemi me organizata të tjera në mënyra që viktima e dhunës të marrë një paketë të plotë shërbimesh, të rehabilitohet dhe të rifutet në sistemin tonë shoqëror e përmirësuar dhe të mos ketë më problemet që ka ndeshur më parë”, tha juristja Guni.
Veprimtaret pohojnë se ende nuk funksionin plotësisht reagimi i koordinuar institucional lidhur me dhunën në familje, ndërsa pushteti vendor përpiqet të veprojë me burimet financiare e njerëzore përballë rasteve të dhunës me bazë gjinore.
Është vërejtur se në ato bashki ku ka shoqata për të drejtat e grave, që ofrojnë shërbime direkte ndaj vajzave dhe grave të dhunuara edhe mekanizmi shtetëror i mbrotjes së tyre reagon më mirë.
Por ka edhe bashki që nuk reagojnë pothuajse fare dhe ndajnë buxhete minimale për këtë çështje.
Ekspertët pohojnë se dhuna me bazë gjinore buron prej mendësive patriarkale, dhe kjo shihet hapur në çdo denoncim dhe histori personale të grave dhe vajzave të dhunuara.
Veprimtarja Ines Xhelili, përfaqësuese e Rrjetit për Fuqizimin e Grave në Shqipëri, AWEN, thotë se denoncimet po rriten nga viti në vit për shkak të ndërgjegjësimit të grave, dhe krahasuar me një dekadë më parë janë tani mbi 30 për qind më shumë. Por edhe dhuna ekstreme, që përfundon me vrasje është po ashtu e lartë.
“Në dhjetë muajt e parë të këtij viti kanë humbur jetën 11 gra e vajza nga dhuna në familje, nga ish partnerët, ish bashkëshortët dhe anëtarë të tjerë të familjes së tyre. Nuk duhen edhe vrasjet e grave në familjet shqiptare jashtë Shqipërisë. Pesë gra shqiptare janë vrarë në Itali dhe një tjetër në SHBA. Nëse bashkojmë këtu edhe gratë e vrara shqiptare në Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Malin e Zi, janë 25 vrasje në total vetëm në 10 muajt e parë të vitit”, tha veprimtarja Xhelili.
Ekspertët pohojnë se dhuna në familje nuk është çështje private, sepse sjell pasoja dhe kosto për shoqërinë, ndaj i takon gjithëkush ka një rol për të luajtur, madje sipas ligjit, këtë dhunë duhet ta denoncojë çdo qytet, që ka dijeni për dhunë në familje.
Veprimtarja për të drejtat e grave dhe për standarte në media, Valbona Sulçe, përfaqësuese e oranizatës “Gruaja Shqiptare në Audiovizual, AWA, thotë se shpesh dhuna ndaj tyre në familje trajtohet me mendjelehtësi nga disa media, madje edhe për spektakël, duke harruar se dhuna është krim dhe shtypi e ka detyrë që të ndërgjegjësojë shoqërinë kundër dhunës me bazë gjinore.
Ajo citoi studime që thonë se gratë durojnë dhunën 5-7 vjet para se ta denoncojnë atë, por ky hark kohor mund të ngushtohet, nëse shoqëria lehtëson raportimin duke mbështetur fort denoncueset e dhunës, mbështetje që mungon.
“Studimet thonë se gratë që denoncojnë dhunën nuk gjejnë mbështetjen e duhur as nga familjet e origjinës as nga familjet ku ka kanë shkuar nuse. Ato detyrohen që të bëhen vet edhe denoncuese të dhunës edhe veprimtare kundër dhunës. Përgjithësisht shoqëria i paragjykon duke kërkuar justifikimin e dhunës, ndërkohë që i vetmi fajtor në këtë cikël dhune është dhunuesi. Nuk ka asnjë justifikim për ata që dhunojnë”, thotë zonja Sulçe.
Sipas një raporti të OKB-së dhuna ndaj grave dhe vajzave mbetet një nga shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut në botë.
Vlerësohet se një në tre gra ka pësuar dhunë fizike ose seksuale nga partneri. Ashtu si në gjithë botën edhe në Shqipëri kanë nisur 16 ditë të aktivizmit për të parandaluar dhunën me bazë gjinore.