Në Shqipëri, studimi më i fundit nxori sërish shifra të larta mbi gatishmërinë e qytetarëve për të emigruar.
Një pjesë e madhe e të anketuarve shprehen skeptikë për të ardhmen, ndërsa renditin si vështirësitë kryesore në Shqipëri mundësitë e pakta për jetesë të mirë, papunësinë, qeverisjen e dobët, korrupsionin, si dhe alternativat e pakëta politike.
Ekspertët pohojnë se tipari kryesor i emigrantëve shqiptarë është shkollimi i mirë i tyre.
Studimi i sapopublikuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare në një konferencë rajonale mbi shpopullimin, migrimin dhe paqëndrueshmërinë, vërtetohen përsëri shifrat e larta të dëshirës për të rinjve shqiptarë për emigrim, ashtu siç ka ndodhur vitet e fundit.
Ky studim bazohet në të dhënat e një sondazhi kombëtar të opinionit publik në të gjithë territorin mbi perceptimet, tendencat dhe pritshmëritë rreth fluksit të migrimit.
Autori i studimit Andi Balla, thotë se “gjetja më e rëndësishme është që 13% e popullsisë në moshë universiteti dhe pune sot në Shqipëri ka gjasa të larta të largohet përkohësisht ose përgjithmonë në 5 vitet e ardhshme, nëse nuk merren masa të shpejta për të përmirësuar ekonominë, pagat dhe politikëbërjen”.
Studiuesi pohon se Shqipëria, si një vend me emigrim të lartë për disa dekada, po përjeton një rritje të shpejtë të moshës mesatare, dhe kjo tregon, sipas tyre, një prirje afgjatë që kërkon zgjidhje.
“Shifrat mbeten të larta në matjen e dëshirës për të emigruar, në matjen e planeve afatmesëm apo afatgjatë për të emigruar, si edhe kur mendohet për të ardhmen e brezit tjetër, i cili shihet shpesh jashtë Shqipërisë. Këto të gjitha janë shqetësuese për një shoqëri që është ende shumë i madh emigrimi si në të shkuarën, në të sotmen dhe duket se do të jetë edhe në të ardhmen”, thotë studiuesi Balla.
Në studim theksohet se ndër shkaqet kryesore të emigrimit janë faktorët ekonomikë, faktorët e edukimit dhe arsimimi i fëmijëve, si dhe faktorët politikë e socialë, të cilët përbëjnë pamjen mbi të ardhmen, që shohin në vendin e tyre emigrantët e mundshëm shqiptarë.
Dukuria e emigrimit ka prekur gjithë vendet e Ballkanit perëndimor dhe dekadën e fundit ka patur një intensitet shumë të lartë, thotë drejtuesi i Qendrës për studime ekonomike e Sociale, eksperti i njohur Ilir Gëdeshi, por Shqipëria është më shumë e prekura edhe në sasi edhe në cilësinë e njerëzve që largohen.
“Nga të gjithë vendet e Ballkanit perëndimor Shqipëria ka intensitetin më të lartë të emigrimit. Këtu duhet theksuar që cilësia e flukseve migratore nga Shqipëria është shumë e lartë se nga vendet e tjera të Ballkanit perëndimor. Kjo sepse nga Shqipëria largohen gjithë e më tepër persona me edukim të lartë dhe me profesione, çka e varfëron vendin. Studimi që u paraqit sot ka një rëndësi të madhe sepse ai tregon edhe tendencat e ardhshme të emigracionit shqiptar”, tha zoti Gëdeshi.
Ndërkohë ministri i Punëve të Brendshme Taulant Balla deklaroi sot në Tryezën e Konsultimit të Strategjisë Kombëtare të Migracionit me plan veprimi 2024-2030, se sfidat në përballimin e kësaj dukurie janë komplekse, ndërkohë që Shqipëria është e angazhuar dhe po përafron ligjet me Bashkimin Europian për arritjen e standarteve të miradministrimit në këtë fushë.
“Ne kemi një ulje të ndjeshme të flukseve të emigrimit të parregullt dhe azil-kërkimit nga shtetasit shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian. Edhe drejt Mbretërisë së Bashkuar kjo është drastike: 90 për qind më pak se sa një vit më parë”, tha ministri Balla.
Dekadën e fundit dhe aktualisht publiku shqiptar I anketuar nga qendra të ndryshme shpreh një dëshirë të lartë për t’u larguar nga vendi përkohësisht apo përgjithmonë, për një jetesë më të mirë, për studime dhe për të ardhmen e fëmijëve.
Në sondazhe një pjesë e madhe e qytetarëve shprehen se problemet më të shpeshta që ndeshin në Shqipëri janë mundësitë e pakta për jetesë të mirë, papunësia, qeverisja e keqe, korrupsioni, cilësia e ulët e shkollimit dhe shëndetësisë si dhe alternativat e pakëta politike, që ofrohen, ndaj nuk janë optimist për të ardhmen e tyre dhe të familjes.