Në Tiranë deputetët opozitarë, mbështetës të ish kryeministrit Sali Berisha, përmbysën karriget para foltores së Kuvendit dhe ndezën përsëri sot mjete tymuese në sallë, duke kërkuar ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare, që sipas tyre, socialistët po i bllokojnë për të fshehur korrupsionin qeveritar.
Por shumica socialiste vazhdoi seancën plenare, ndërsa përfaqësues të saj pohuan se zoti Berisha po i përdor disa deputetë opozitarë për t’iu shmangur drejtësisë.
Deputetët socialistë shqyrtuan brenda pak minutash projekt ligjet e rendit të ditës, ndërsa opozitarët përmbysën karriget e tyre dhe protestuan me tymuese.
Deputetët opozitarë përmbysën edhe sot karriget e tyre përpara foltores së Kuvendit.
Ata theksojnë se shumica socialiste nuk po lejon ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare për të hetuar korrupsionin qeveritar. Ish kryeministri Berisha theksoi se kjo protestë do të vazhdojë dhe përmes rrjeteve sociale fajësoi nga salla e Kuvendit kryeministrin Rama për shkeljen e Kushtetutës.
“Kjo është një betejë pa kthim për të drejtat themelore të shqiptarëve dhe opozitarëve, që janë shkelur nga kjo shumicë, dhe se parlamenti nuk do të bojkotohet, por kur shkelet Kushtetuta nuk mund të ketë parlament. Nevojitet rivendosja e të drejtave kushtetuese të deputetëve, dhe krijimi i komisioneve hetimorë parlamentarë, që janë frenuar nga Edi Rama”, tha zoti Berisha. Nga ana tjetër, deputetët e shumicës socialiste ishin ulur nëpër vendet e tyre, por sapo kryetarja e Kuvendit nisi seancën, deputeti Saimir Korreshi ndezi dy tymuese, që mbuluan sallën, ndërsa të tjerët trokitnin grushtet mbi tryeza dhe hidhnin fjalë proteste në drejtim të shumicës.
Ndërsa deputetët opozitarë kërkojnë ngritjen e disa komisioneve hetimore parlamentare, socialistët pohuan se ata po përdoren si mburojë nga ish kryeministri Berisha, për t’iu shmangur drejtësisë si person nën hetim për aferën korruptive të ish kompleksit Partizani.
Ministri i punëve të brendshme, Taulant Balla, tha se zoti Berisha dhe ndjekësit e tij nuk do t’ia arrijnë dot të bllokojnë institucionin dhe të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë, por mund të mbledhin 28 firma dhe t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, derisa pretendojnë për shkeljen e Kushtetutës..
“Mos u keqpërdorni nga interesi personal i një njeriu të vetëm, i cili ka marrë peng Partinë Demokratike prej 30 vjetësh. Këto veprime nuk kanë të bëjnë as me opozitarizmin dhe as me parlamentarizmin. Nëse pretendohet shkelja e Kushtetutës, pse nuk mblidhni 28 firma dhe të drejtoheni në Gjykatën Kushtetuese”, tha zoti Balla.
Kuvendi zhvilloi më tej një tjetër seancë plenare të pazakontë, me karriget e përmbysura të deputetëve opozitarë dhe me sallën e mbushur me tymuese, teksa shumica socialiste shqyrtoi brenda pak minutash projektligjet e rendit të ditës.
Drejtuesi i Delegacionit të Bashkimit Europian, ambasadori Luigi Soreca, u bëri thirrje partive politike që të kthehen tek bashkëpunimi dhe dialogu për të përmbushur objektivin madhor të integrimit në BE.
Nga ceremonia e dorëzimit qeverisë shqiptare të raportit vjetor të Komisionit Europian mbi përparimin e Shqipërisë, ambasadori Soreca theksoi shpresat që Kuvendi të kthehet shpejt në fuknsionim normal, sepse për çdo demokraci është fatkeqësi një parlament që nuk funksionon, dhe se pjesë thelbësore e integrimit të Shqipërisë në BE është edhe funksionimi normal i institucioneve demokratike.
Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha dhe deputetë të tjerë përkrah tij nuk morën pjesë në seancën e sotme.
Zoti Basha ka depozituar në Kuvend një projekt për vetingun e politikanëve, ku synohet veç të tjerash një kontroll i pastërtisë së pasurive të tyre, për tu ndarë nga politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar, në një metodë të ngjashme me procedurat që po ndiqen për vetingun në organet e drejtësisë.
Ndarjet në Partinë Demokratike vazhdojnë e thellohen prej dy vjetësh, kur ish kryeministri Sali Berisha u shpall non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion dhe cënim të demokracisë, ndërsa zoti Basha e përjashtoi atë nga grupi parlamentar, duke theksuar se në PD-në euro-atlantiste nuk ka vend për non grata, dhe se kjo parti duhet të pastrohet nga korrupsioni dhe të ndahet nga berishizmi.