Në Shqipëri, sezoni turistik veror, megjithëse u konsiderua nga autoritetet i mbarë sa i takon fluskit të të ardhurave në ekonomi, nxori në pah disa probleme. Rritja me 30% e numrit të turistëve që vizituan vendin, shtoi ndjeshëm qarkullimin rrugor, i cili shfaqi mangësi të theksuara, kryesisht në aksin verior. Ekspertë të infrastrukturës rrugore dhe promovues të turizmit, nënvizojnë se megjithë përmirësimet e konsiderueshme në këtë sektor, gjatë 15 viteve të fundit, ende paraqiten shumë sfida, sa i takon qasjes së udhëtarëve në zona me vlera turistike.
Në Shqipëri numri i turistëve që vizituan vendin, sipas autoriteteve në 9 mujorin e parë të këtij viti krahasuar me një vit më parë, u rrit me 30% ose me rreth 2 milionë, ndërsa piku arriti gjatë muajve të verës. Kjo u shoqërua me disa problematika që lidhen më ofrimin e shërbimeve dhe kryesisht me infrastrukturën rrugore.
Megjithëse me një përmirësim të ndjeshëm krahasur me një dekadë e gjysmë më parë, si pasojë e ndërtimit të disa akseve të rëndësishme kombëtare, si dhe në brendësi të zonave të vendit, infrastruktura rrugore aktuale tregoi se nuk mund të përballojë një fluks të lartë turistësh, sidomos gjatë sezonit veror. Shqetësimi kryesor u shfaq në aksin verior të vendit F. Krujë-Shkodër, i vetmi që përdoret nga turistët që hyjnë përmes pikës doganore të Morinës në verilindje, dhe dy të tjerave në veri, si dhe nga ata që shkojnë nga zona të tjera të vendit drejt veriut.
“Orë të tëra në trafik, në një rrugë që nuk përballonte as një të dhjetën e këtij trafiku sidomos në kohën e pikut. Të vish nga Prishtina deri në përfundimin e autostradës për dy orë dhe pastaj të bësh 5 orë për çerekun e kësaj rruge nuk është fare normale”-tha për Zërin e Amerikës Ing.Fatmir Hasho, ekspert i sigurisë rrugore.
Shqipëria është pjesë e projektit paneuropian të transportit, të viteve “90, ku përfshihen 10 korridore, dy prej të cilave 8 dhe 10, lindje - perëndim dhe veri - jug, ose ndryshe ai Adriatiko-Jonian kalojnë në Shqipëri. Këto dy projekte madhore nuk kanë njohur përparime të prekshme. Janë ndërtuar vetëm disa kilometra larg të qënit autostrada me standarde europiane thotë për Zërin e Amerikës, Blendi Feziu, drejtues i emisionit Opinion, i cili ka trajtuar mjaft çështje që kanë në fokus turizmin dhe infrastrukturën rrugore.
“Për Korridorin 10 ne kemi pa mbaruar, pjesën nga Shkodra në Thumanë, nga Thumana në Kashar pu punohet por sërish e kemi të pazgjidhur. Kemi të pazgjidhur korridorin që do lidhë Kasharin me Lekajn. Kemi një copë korridor nga Rrogozhina në Lushnjë, jashtë standardeve, sepse nuk ka autostradë me rrethrrotullime. Dhe nga Levani në Gjirokastër sërish e pa zgjidhur. Pra nëse flasim për Korridorin 10 kemi disa thërrime të tij, por jo korridor. Nëse flasim për Korridorin 8, që është i pari që ka nisur, është i paprekur fare. Nuk ka asnjë metër autostradë sot që ne flasim me përjashtim të aksit Durrës – Rrogozhinë”- u shpreh për Zërin e Amerikës, Blendi Fevziu, drejtues i emisionit “Opinion” në Televizionin Klan.
Autoriteti Rrugor Shqiptar tha për Zërin e Amerikës se në lidhje me Korridorin 8, kanë filluar punimet e fazës së parë dhe të dytë në segmentin Fushë-Labinot- Murrash dhe pritet të tenderohen segmentet e fazës se tretë dhe të katërt që përfundojnë në Rajc - Skënderbe.
Ndërsa në lidhje me problematikën në aksin e veriut, Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi për çështje të turizmit e pranoi atë dhe dha disa detaje mbi ecurinë e projektit të Korridorit Blu, që e prek këtë aks.
“Puna për korridorin më të rëndësishëm turistik që është Korridori Blu Adriatiko- Jonian ka nisur me segmentin e Thumanë – Kasharit, janë drejt përfundimit marrëveshjet edhe për segmentet e tjera, pra praktikisht vitin e ardhshëm ne do të jemi në kantier për këtë korridor. Do durojnë dhe pak ata, që përdorin vazhdimisht dhe sidomos gjatë sezonit të verës që kanë të gjithë të drejtat e botës që të ndjehen të persekutuar, korridorin lart nga Shkodra deri në Fushë-Krujë”- u shpreh Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.
Nga ana tjetër drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Ervis Berberi tha se synimi mbetet përfundimi i arterieve kryesore rrugore brenda vitit 2030.
“Kapacitetet tona këto janë. Po ta shihni vit pas viti ka zhvillime të qenësishme në infrastrukturë. Dhe sa më shumë ka investime në infrastrukturë, ka tërheqje të turistëve, ata paguajnë taksa dhe automatikisht rriten të ardhurat dhe ne kemi më shumë mundësi në të ardhmen për të investuar në infrastrukturë dhe për të përshpejtuar një cikël që do kohën e vet”- argumentoi për Zërin e Amerikës, Ervis Berberi Drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Por ajo që vihet re me shqetësim nga ekspertët e infrastrukturës rrugore lidhet me faktin se disa zona me bukuri të rralla natyrore, janë vështirë për t’u vizituar pikërisht për shkak të rrugëve. Një prej tyre, është ajo e Komanit që të çon në liqenin me të njëjtin emër e përmes tij në Fierzë dhe Tropojë, apo destinacione të tjera, si Lumi i Shalës.
Ekspertët thonë se autoritetet duhet të bëjnë planifikime të qarta për investimet në infrastrukturë, që t’i paraprijnë turizmit.
“U bë rruga e Vermoshit e Thethit, të bëhet dhe rruga e Komanit, është detyrim. Të përdorësh gjithë atë liqen është një atraksion që nuk e gjen kudo. Janë zona që mund të marrin zhvillim turistik nëse bëhet kjo rrugë. U vërtetua në Vermosh, vetëm nga rruga u zbuluan bukuri të rralla. Ne na mungon planifikimi i detajuar. Sot ne duhej të ishim në fazën e projektimit të rrugës, atje ku nuk është dhe të përmirësimit atje ku ekziston. Kemi një shembull tjetër të rrugës që shkon në Gramsh. Gramshi ka qenë i paprekur fare me përjashtim të banorëve të zonës. Është bërë tani i vizitueshëm dhe një atraksion turistik. Shkaku është rruga”- vijoi Ing.Fatmir Hasho, ekspert i sigurisë rrugore.
Autoritetet thonë se gjatë vitit që vjen nuk parashikohet ndërhyrje në rrugën e Komanit, dhe se mbetet për t’u parë në vazhdim.
Edhe Anri Pashaj, eksplorues dhe promovues i turizmit, thotë se natyra shqiptare ofron vlera të jashtëzakonshme të cilat kryesisht, janë të pambështetura me infrastrukturë, dhe sjell këtë shembull.
“Në Lurë përveç malit të Kunorës dhe të Oroshit nga ana tjetër, me histori pafund, kemi edhe 12 liqenet e Lurës, të cilat janë të paaksesueshme për njerëz që duan të shkojnë me një makinë modeste veturë, pasi nevojiten makina të larta për terrene të vështira. E di që ka një ndërhrje dhe po punohet për ta përmirësuar, shpresoj shumë që kjo zonë të bëhet e aksesueshme nga të gjithë”- u shpreh për Zërin e Amerikës Anri Pashaj, eksplorues dhe promovues i turizmit.
Por një tjetër problem që vihet re në infrastrukturën rrugore lidhet me sinjalistikën. Në mjaft rrugë, sipas Inxhinierit Fatmir Hasho, i cili ka kryer auditimin e tyre, vihen re tabela të panevojshme, si në rastin e rrugës Peqin- Rrogozhinë.
“Auditimin e asaj rruge e kam kryer unë dhe e kam nënvizuar në auditim që ka tabela me 60, 40 dhe 20 km në orë në distanca shumë të shkurtra, të cilat edhe nga pikpamja profesionale për një drejtues mjeti nuk janë të mira. Në vend që të të ndihmojnë në ecje bëjnë të kundërtën”- vijoi Ing.Fatmir Hasho, ekspert i sigurisë rrugore.
Autoritetet shpjegojnë se kjo situatë lidhet me zhvillimet kaotike në territor pas '90-ës dhe se tabelat e shpeshta vendosen për të rritur sigurinë e banorëve në këto zona, ku ka ndërtime pa kriter buzë rrugëve.
Por një nga konstatimet e njohësve të fushës së turizmit, lidhet me faktin se infrastruktura rrugore në veri megjithë disa përmirësime të ndjeshme në zona si Thethi, Vermoshi apo Valbona, paraqitet me e pazhvilluar se ajo në jug.
“ Është e vërtetë që aksi i veriut që lidh Fushë-Krujën me Shkodrën veriun ka mbetur në vend, dhe kjo është skandaloze, ndërkohë jugu është përmirësuar. Por nga ana tjetër infrastruktura e veriut është më e vështirë se është malore ndërsa jugu ka qenë më lehtësisht i ndërtueshëm. Por veriu padiskutim është lënë pas dore për periudha
të gjata kohore. Nuk di nëse është vendim politik apo lidhet me projekte, por kjo është evidente”- vijoi Blendi Fevziu, drejtues i emisionit “Opinion” në Televizionin Klan.
Zyrtarët e pranojnë që në veri të vendit është investuar më pak në infrastrukturën rrugore pas vitit “90, dhe shtojnë se gjatë viteve të fundit mjaft ndërhyrje e kanë gjallëruar turizmin malor edhe në dimër.
“Politikat e qeverive të ndryshme në vite kanë zgjedhur të investojnë ndoshta mbase jo në mënyrën e duhur. Por ka dhe një faktor tjetër, edhe pse në veri janë ndërtuar shumë rrugë, për shkak të kushteve klimaterike, predispozicioni për t’u dëmtuar është më i lartë. Pasi filluan të bëhen studimet u kuptua që Shqipëria është vend turistik më dy pasuri, detin dhe malin. Në bregdet ka një numër më të lartë turistësh në trend dhe automatikisht do t’i drejtohemi infrastrukturës që i tërheq drejt detit, për t’i thithur. Në momentin që ata vijnë në Shqipëri do shkojnë dhe në vende të tjera për t’i vizituar dhe automatikisht ne fillojmë dhe me infrastrukturën rrugore siç është trendi i turizmit për t’i shkuar në ndihmë infrastrukturës turistike”- vijoi Ervis Berberi Drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar
Infrastruktura rrugore e Shqipërisë pas viteve '90 është zhvilluar ngadalë mes një kaosi të pashoq urbanistik. Megjithë përmirësimet e dukshme dhe investimet në rritje në këtë sektor gjatë 15 viteve të fundit, Shqipëria sipas Instat ka densitetin më të ulët të rrugëve për km katror në rajon dhe BE. Nga ana tjetër statistikat tregojnë se gjatë viteve 2017-2021 numri i mjeteve të transportit rrugor të pasagjerëve dhe mallrave është rritur ndjeshëm me mbi 40%. Në këtë situatë ekspertët thonë se rrugët e pamjaftueshme, në mjaft raste dhe pa standarde si dhe shtimi i numrit turistëve gjatë verës e vështirësuan edhe më tej situatën e qarkullimit rrugor në vend, që sipas tyre u konfirmua me rritjen prej 10% të numrit të aksidenteve rrugore në periudhën qershor-gusht të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.