Sipas ekspertëve në Izrael, vizita e sotme e Presidentit Biden në Tel Aviv synon parandalimin e zgjerimit të konfliktit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në një konflikt rajonal. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, analistja politike Dahlia Scheindlin, nga Tel Avivi thotë se ndërkohë që vizita e Presidentit Biden është tejet e rëndësishme për moralin e izraelitëve, në Lindjen e Mesme vazhdon të mbretërojë rreziku i madh i përshkallëzimit rajonal. Në një intervistë, ekspertja izraelite Scheindlin, kolumniste në të përditshmen izraelite Haaretz, thotë se lufta midis Izraelit dhe Hamasit kërkon një zgjidhje gjithpërfshirëse politike dhe jo menaxhim të vazhdueshëm konfliktesh.
Zëri i Amerikës: Si po interpretohet vizita e Presidentit Biden në Izrael dhe çfarë pritet të arrijë ajo?
Dahlia Scheindlin: Nuk ka dyshim se izraelitët e shohin si gjest të madh solidariteti. Është shumë e rëndësishme për moralin e izraelitëve, të cilët po kalojnë nëpër tronditjen më të madhe në historinë e shtetit, po ndihen të dërmuar dhe në gjendje lufte, andaj vizita e Presidentit Biden është një përkrahje e madhe morale dhe e bën Kryeministrin Netanyahu të duket si një burrështeti i rëndësishëm. Ky është kryeministër që është shumë i kritikuar në Izrael. Gjatë tërë vitit është kritikuar për politikat e ndjekura, që publiku izraelit i kundërshton ashpër. Andaj publiku izraelit e sheh si solidarizim, por edhe si një përkrahje që presidenti amerikan i jep kryeministrit (izraelit). Ndonëse nuk është plotësisht e paprecedent, është gjithsesi e pazakontë, që një president amerikan të ndërmarrë një vizitë të tillë në një zonë aktive lufte brenda një afati të shkurtë. Pra, është shumë kuptimplotë.
Vizita ka për qëllim të qartësojë hapat e mëtejshëm dhe koordinimin me Shtetet e Bashkuara. Shtetet e Bashkuara tashmë kanë dërguar armë të rëndësishme, kanë dërguar aeroplanmbajtëset në rajon, në përpjekje për të parandaluar një përshkallëzim rajonal. Por, unë mendoj se ekziston një rrezik i madh për një përshkallëzim rajonal. Ka opinione të ndara nëse një demonstrim i tillë i armatimit nga Shtetet e Bashkuara në rajon, do ta parandalojë, apo do të inkurajojë përshkallëzimin. Këtë nuk mund ta dimë aktualisht. E di që Shtetet e Bashkuara janë më të përkushtuara ndaj shtensionimit, por mendoj se izraelitët aktualisht nuk janë të përkushtuar t’i ulin tensionet. Andaj, duhet të shohim nëse Shtetet e Bashkuara arrijnë ta bëjnë një gjë të tillë duke pasur parasysh atë që ndodhi mbrëmë me shpërthimin masiv në spitalin e Gazës, që la qindra të vdekur. Të dyja palët fajësojnë njera tjetrën për përgjegjësinë. Dhe si rezultat, udhëheqësi palestinez Mahmoud Abbas anuloi takimin me Presidentin Biden dhe kjo ua vështirëson shumë shteteve arabe të punojnë me Presidentin Biden për këtë (qëllim).
Zëri i Amerikës: A mendoni se anulimi i takimit të Presidentit palestinez Abass me Presidentit Biden, paraqet një hap pas?
Dahlia Scheindlin: Hapi pas do të nënkuptonte që egzistonte mundësia e përparimit. Situata këtu është aq e zymtë, sa që edhe sikur të ishte mbajtur takimi, vështirë të ndodhte ndonjë ndryshim dramatik, që do të çonte në uljen e tensioneve, apo ndërprerjen e luftimeve. Presidenti Abbas është një figurë shumë problematike për momentin. Një media iu referua atij si dikush që përfaqëson palestinezët. Nuk është e vërtetë. Ai nuk është i zgjedhur. Nuk është zgjedhur që nga viti 2006. Shoqëria palestineze është shumë e indinjuar me të. Prandaj, çfarëdo pajtimi që do të mund të arrinte me Presidentin e Shteteve të Bashkuara nuk do të kishte ndonjë ndikim tek palestinezët. Natyrisht, Izraeli e ka delegjitimuar atë prej vitesh në sytë e publikut izraelit. Në këto kushte vështirë se do të ndodhte ndonjë përparim drejt shtensionimit të gjendjes.
Zëri i Amerikës: Ky është përshkallëzimi i pestë mes Izraelit dhe Gazës që ju keni qënë dëshmitare. Ju jeni kundërshtare e politikës së okupimit dhe kritike e Kryeministrit Netyanahu. A ka gjasa të shohim fundin e kësaj tragjedie?
Dahlia Scheindlin: Edhe nëse përfundon kjo tragjedi nesër, është shumë vonë. Me fjalë të tjera, numri i civilëve izraelitë që u masakruan, të vrarëve palestinezë, ka aq shumë civilë të vrarë dhe shkatërrim të infrastrukturës civile, ndërkohë që pjesa jugore e Izraelit është evakuuar plotësisht si dhe gjysma e Gazës, mbi 700,000 njerëz që janë evakuuar, apo që kanë provuar të largohen në kushte të tmerrshme. Dëmi është aq i madh dhe më duhet të sqaroj se nuk bëhet fjalë thjesht për kufizimin e një politike të keqe në të ardhmen. Tani bëhet fjalë për rimëkëmbjen nga përmasat e dëmit që është shkaktuar. Ndërsa sa i përket aspektit politik, okupimi nuk do të përfundojë. Nuk do të përfundojë së shpejti. Ai po kthehej në një politikë të përhershme para këtij sulmi. Izraeli ka ndjekur politikën e pushtimit të përhershëm të territoreve palestineze, të Gazës dhe të Bregut Perëndimore, që nga viti 1967 në forma të ndryshme. Qeveria e Izraelit dëshiron ta bindë botën se ai është larguar nga Gaza më 2005, pasi u tërhoq nga vendbanimet dhe tërhoqi ushtrinë nga brendësia e Gazës. Por në fakt, në shumë forma, Izraeli ushtronte kontroll të gjerë mbi jetën në Gazë duke kontrolluar kalimet tokësore, detare e ajrore. Por Izraeli kontrollon lëvizjen e njerëzve, të cilët kanë nevojë leje speciale. Sa njerëz mund të vinë në Izrael të punojnë ? Të shumtën e kohës, vetëm disa prej tyre, me disa përjashtime në dy vitet e fundit. Izraeli kontrollon të gjitha importet dhe eksportet, gjë që e ka mbajtur Gazën në një gjendje të përkeqësuar, në pamundësi të zhvillojë kapacitetet e veta apo të zhvillohet. Dhe ka pasur arsye për këtë politikë. Nuk ka mëdyshje që Hamasi qeveris si një organizatë autoritare, teokrate, jodemokratike dhe abuzive, sepse të hedhësh raketa në zona të banuara me civilë për tërë këto vite, është krim lufte. Dhe tani ka pak dyshime se Hamasi është organizatë që mbështet terrorin në kuptimin më të keq të fjalës. Prandaj, pa dashur të minimizoj kompleksitetin e politikave të Izraelit, ato kanë pasur një ndikim shkatërrues ndaj civilëve gjatë tërë kësaj kohe. Kjo është arsyeja pse disa prej nesh, që mendojnë se mënyra e vetme për të shënuar përparim, është gjetja e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse politike, besojmë se ideja e menaxhimit të konfliktit pa një zgjidhje politike, nuk funksionon. Dhe tani të gjithë po e shohim rezultatin.
Zëri i Amerikës: A ka gjasa të shohim një zgjidhje politike gjatë javëve në vijim?
Dahlia Scheindlin: Jo, nuk ka gjasa të shohim një zgjidhje politike gjatë javëve apo viteve në vijim. Mund të shpresojmë që të paktën të kemi një shtensionim të luftimeve të tanishme, për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje lufte....
Njëra prej shqetësimeve më të mëdha është se qeveria e Izraelit nuk ka asnjë ide cili është synimi i saj në ditët e ardhshme. Shumë izraelitë, përkundër faktit që një pjesë e tyre janë duke vuajtur, janë të tronditur nga sulmi i tmerrshëm i para 11 ditëve, po pyeten se nëse qeveria me të vërtetë pret që përmes kësaj lufte, në të ardhmen të pushtojë sërish Gazën dhe 2 milionë palestinezët atje, që kanë një marrëdhënie armiqësore me Izraelin. Askush nuk e do një gjë të tillë, pavarësisht sa radikalë mund të jenë. Mundësia tjetër është që Autoriteti Palestinez, që qeveris Bregun Perëndimor, ndonëse në masë të kufizuar, pasi Izraeli ushtron kontroll të rëndësishëm në atë pjesë, të qeverisë edhe Gazën, por kjo nuk duket një mundësi reale, për shkak të forcave që ekzistojnë brenda Gazës dhe grupeve militante atje. Do të jetë e pamundur të shkatërrohen të gjitha grupet militante dhe ata urrejnë partinë Fatah dhe Autoritetin Palestinez. Andaj, kjo nuk është mundësi reale. Nëse amerikanët duan të arrijnë diçka me peshë, nuk duhet të mjaftohen me menaxhimin e luftës aktuale. Amerika duhet të punojë shumë afër me izraelitët dhe të gjithë partnerët tjerë në rajon, të mendojë se çfarë duhet të bëhet më tutje. Nuk mund ta menaxhojmë këtë konflikt pa një zgjidhje politike. Deri më tani nuk kam dëgjuar nga politikanët ndonjë ide të rëndësishme për Gazën në veçanti, por mendoj se zgjidhja duhet të përfshijë një lloj angazhimi ndërkombëtar dhe nuk mund të shihet e shkëputur nga pjesa tjetër e komunitetit palestinez në rajon, në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor. Duhet të shihet në mënyrë gjithpërfshirëse.