Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, sulmoi me një gjuhë të ashpër gjatë fundjavës përmes telefonit gazetaren Ola Xama të Rrjetit BIRN Albania, pas një shkrimi, që ajo publikoi mbi hetimet e SPAK-ut për incineratorët.
Xama shkroi se, bazuar në dokumentet e Prokurorisë së Posaçme, projekti i incineratorit të Tiranës u propozua nga Erion Veliaj.
Por ky i fundit hodhi poshtë shkrimin si të pavërtetë, dhe i nisi gazetares një seri mesazhesh në telefon, ku midis të tjerave, e quan atë “një vrasëse profesioniste”.
Gazetarja Ola Xama botoi në median online Reporter.al të Rrjetit BIRN Ballkanik të Gazetarisë Investigative në Shqipëri, BIRN, një shkrim bazuar në dokumente, që SPAK ka dërguar në Kuvend, mbi hetimet për incineratorët. Në të theksohet se Erjon Veliaj kishte propozuar projektin për incineratorin e Tiranës.
Nga mesazhet midis tyre mësohet se ajo i kërkoi zotit Veliaj një koment dhe disa pyetje mbi temën disa orë para botimit.
Shkrimi u botua pa komentet e zotit Veliaj dhe një ditë pas publikimit gazetarja Xama mori në celularin e saj nga zoti Veliaj përgjigjet e pyetjeve të përzjera me fjalë fyese për spekullime, militantizëm, njëanshmëri, madje ai e quan gazetaren një “vrasëse me pagesë”.
Kryeredaktori i Rrjetit BIRN ALBANIA dhe i botimit të tij online Reporter.al, Besar Likmeta, thotë për Zërin e Amerikës se gazetarja Xama ka zbatuar standartet profesionale, ndërsa zoti Veliaj i mori pyetjet para botimit të shkrimit dhe se përgjigjet e tij për temën e incineratorit u përfshinë më vonë në shkrim, duke hequr fyerjet, të cilat u përhapën në media të tjera, ndonëse i ishin drejtuar gazetares Xama.
“Është fatkeqësi që zyrtarë të lartë publikë u drejtohen me mesazhe fyese dhe organizojnë një fushatë disinformimi ndaj gazetarëve profesionistë që kanë rekord të shkëlyer si Ola Xama, për sa i përket raportimit me interes publik. Zoti Veliaj ka reaguar pas 24 orësh duke i dërguar gazetares një seri mesazhesh fyese dhe kërcënuese. Nj ditë më vonë ato u shpërndanë nga një seri mediash mund të themi me një metodë të koordinuar sipas metodave që bëhen fushatat kundër gazetarëve në shumë vende të botës,por që nuk i bëjnë nder zotit Veliaj”, tha zoti Likmeta.
Por Bashkia e Tiranës thotë se gazetarja Ola Xama nuk i është drejtuar asnjëherë zyrtarisht këtij institucioni për t’i dhënë kohën e nevojshme dhe mundësinë e sqarimit të plotë dhe me fakte të çështjes së ngritur në artikullin e publikuar në BIRN.
I pyetur nga Zëri i Amerikës për komunikimet midis gazetares Xama dhe zotit Veliaj, drejtori për komunikim dhe media i Bashkisë së kryeqytetit, Renato Kalemi, theksoi se në atë shkrim janë ngatërruar qëllimisht dy procese të palidhura mes tyre dhe që shkaktojnë konfuzion.
“Bashkia e Tiranës në vitin 2012, kur drejtohej nga Lulzim Basha, thotë zoti Kalemi, kishte angazhuar IFC për të kryer një studim, që të përmirësohej menaxhimi dhe trajtimi i mbetjeve, si dhe mundësinë për zgjerimin e Landfillit të Sharrës. Ky studim përfundoi në vitin 2014 dhe administrata e re e gjeti mbi tryezë. Letra që Bashkia e Tiranës i ka dërguar Ministrisë së Mjedisit në vitin 2015 i referohet këtij studimi, dhe këto nuk kanë asnjë lidhje me nisjen e një procedure për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, siç eshte cituar gabimisht ne shkrimin e publikuar nga gazetarja Ola Xama në BIRN”, detajon zoti Kalemi, duke shtuar se këto shpjegime BIRN nuk i botoi as deri sot, duke ngritur dyshime për mungesë profesionalizmi.
Ndërsa organizata ndërkombëtare që mbrojnë shtypin kanë shprehur shqetësim për gjuhën e ashpër të përdorur nga kryetari Veliaj kundër gazetares.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës Europiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, thotë për Zërin e Amerikës, se këtu nuk është fjala për mungesë profesionalizmi, por kemi të bëjmë me kolegë shumë profesionistë, gjuha e përdorur gjatë këtij incidenti ishte tronditëse, dhe solli dallgë të mëdha komentesh në mediat sociale, ku u përhap në Shqipëri dhe Kosovë.
“Është shumë e rrezikshme, që një gazetare të cilësohet si vrasëse me pagesë, sepse ne e dimë nga përvoja që kur një politikan i njohur lëshon akuza të tilla, ai ndiqet nga mori reagimesh të militantëve dhe aktivistëve. Këto nuk mbeten vetëm si kërcënime digjitale online, por në disa raste mund të shndërrohen edhe në sulme fizike. Jam i shokuar për çfarë ka ndodhur, dhe kujtoj se zoti Veliaj i ka bërë këto veprime edhe me gazetarë të tjerë dhe me media të tjera”, thotë zoti Gutierrez.
Ai shtoi se zoti Veliaj është i vetmi kryetar ndër bashkitë e mëdha, që ka sjellje të tilla, duke shtuar se se asnjë politikan nuk duhet të sillet në këtë mënyrë me shtypin.
“Jam i tronditur dhe reagova për të denoncuar këtë, dhe për të treguar se sa e rrezikshme është kjo gjë. Është shumë e rrezikshme dhe është provuar nga shumë përvoja të tjera, se sulmet fizike ndaj gazetarëve, nisin nga fjalë të tilla ndaj tyre. Koleges Xama i shpreha mbështetjen time, sepse kam besim që është profesioniste, ndërsa ajo më tha se familjarë të saj janë sulmuar online nga aktivistët dhe kjo tregon se sa serioze është kjo çështje. Edhe kur ishim në një mision faktmbledhës në Tiranë ne i diskutuam gjatë këto çëshje me kryeministrin Rama”, theksoi zoti Gutierrez.
Nga ana tjetër, zoti Likmeta thotë se BIRN nuk përbën ndonjë veçanti në këtë rast, sepse shkrimi citon vetëm dokumente që SPAK dërgoi në Kuvend.
Ai shtoi se politikanët shqiptarë janë mësuar të kenë ndikim të madh në produktin mediatik të vendit, cënojnë kështu rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së, dhe janë mësuar të bëjnë presione shtypit, ndërsa BIRN informon publikun dhe mbron interesin publik, por gazetarët sulmohen veçanërisht për faktin pse janë profesionistë.
“Kryetari i bashkisë së Tiranës nuk jep intervista. Kryetari i bashkisë së Tiranës video propagandistike, që transmetohen 24 orë nga mediat. Fatkeqësisht qytetarët shqiptarë paguajnë për këtë propagandë. Kur përballet me raportime të bazuara në fakte, nga gazetarë profesionistë, ai nuk reagon në mënyrën e duhur dhe europiane, por reagon në një mënyrë të dhunshme, që nuk i bën nder as kryetarit të bashkisë, por as ne për qytetarin e parë që kemi”, thotë zoti Likmeta.
Edhe pse kanë kaluar disa ditë nga fundjava, kur kryebashkiaku Veliaj i ka dërguar mesazhet gazetares Xama, për të cilat reaguan një seri organizatash të gazetarëve, në përgjigje të kërkesës së Zërit të Amerikës për gjuhën e përdorur në këto mesazhe, drejtori i komunikimit dhe medias, Renato Kalemi, theksoi mes të tjerash se “armiku më i madh i Lirisë së Medias është përdorimi i gazetarisë si mburojë për te paverteten apo mashtrimin, e ca me shume kur me qellim e paverteta perdoret si mjet sulmi ndaj interesit publik”.
Ai shtoi se Bashkia e Tiranës është dhe do të mbetet e hapur për çdo ndërveprim me median, por gjithashtu e meriton trajtimin me standarde profesionale të raportimit, të saktë dhe të paanshëm, me replikë dhe fakte, të cilat sipas tij mungonin në shkrimin e gazetares Xama.
Shqipëria është ndër vendet që në raportet ndërkombëtare përmendet shpesh për cënime të lirisë së medias, ndaj grupe organizatash që mbrojnë gazetarët nga Europa dhe SHBA vizitojnë shpesh Tiranën, për të vëzhguar gjendjen dhe për t’u bërë thirrje politikanëve dhe autoriteteve, që të përmirësojnë marrëdhëninet me shtypin, të respektojnë gazetarët dhe të garantojnë lirinë e informimit.