Në Shqipëri, bizneset e drejtuara nga gratë janë tre herë më të pakta, se sa ato që zotërohen nga burrat, por ato kanë dhënë rezultat në fuqizimin ekonomik trë grave dhe në uljen e varfërisë.
Në shumicën e rasteve, gratë sipërmarrëse punësojnë gra dhe nxjerrin në treg prodhime për klientelën gra e vajza.
Gratë sipërmarrëse punojnë mesatarisht 50 deri në 70 orë në javë për administrimin e biznesit të tyre dhe duke punuar në biznesin e vet.
Ky është një nga gjetjet e studimit, që publikoi sot Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim mbi sipërmarrjen e grave në Shqipëri.
Ai bazohet në anketimin e një mijë grave të biznesit dhe nxjerr vlerësime mbi mjedisin mbi sipërmarrjen e grave.
“Studimi zbuloi se pjesa dërrmuese e grave sipërmarrëse punësojnë gra dhe prodhojnë shërbime dhe mallra për një klientë në shumicë gra e vajza, gjë që tregon potencialin e lartë, që kanë bizneset e zotëruara nga gratë lidhur me uljen e varfërisë dhe fuqizimin ekonomik të grave”, thotë Mirela Arqimandriti, drejtuese e Aleancës Gjinore për Zhvillim.
Pjesa më e madhe, shtatë në dhjetë gra sipërmarrëse e kanë themeluar vet biznesin, që drejtojnë, dhe fare pak prej tyre e kanë blerë, ose e kanë trashëguar.
Tetë në dhjetë gra sipërmarrëse (80%) kanë përdorur kursimet personale dhe familjare si burimin kryesor të financimit për të ngritur biznesin, ndërsa bankat tregtare ishin burimi kryesor i financimit vetëm për një në dhjetë gra sipërmarrëse.
Shtatë nga dhjetë gra sipërmarrëse nuk kanë aplikuar asnjëherë për kredi bankare për biznesin e tyre. Vetëm 30 për qind e tyre kanë aplikuar për kredi, ndërsa bankat i kanë miratuar pothuaj të gjithë këto kërkesa.
Sipërmarrjet e grave ndjekin rrymën e përgjithshme të ekonomisë shqiptare; ato veprojnë kryesisht në tregti me pakicë, shërbime dhe modë.
Shumica e grave sipërmarrëse (9/10 prej tyre) jetojnë në qytetet e mëdha Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Elbasan, dhe vetëm 13 për qind e tyre jetojnë në zonat rurale.
Një në tre gratë sipërmarrëse kanë kryer arsimin e lartë dhe janë profilizuar në ekonomi, biznes, financë.
Afro 60 për qind e sipërmarrjeve kanë deri në 4 punonjëse gra dhe pjesa tjetër kanë 5 dhe më shumë, mes tyre janë edhe familjare të sipërmarrëses.
Bizneset e drejtuara prej burrave janë tre herë më shumë se bizneset e zotëruara nga gratë, të cilat kanë shënuar rënie në disa vite.
Pjesa dërrmuese, nëntë nga dhjetë gra sipërmarrëse besojnë se kanë hyrë mirë në tregun shqiptar, ndërsa pjesa tjetër përmendin si pengesa kryesore mungesën e fuqisë blerëse, rënien e kërkesës në treg, konkurrencën, mungesën e informacionit dhe të reklamave.