Në Shqipëri shkojnë mesatarisht çdo vit afro 780 ankesa pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Zyra e Komisionerit u krijua 15 vjet më parë, ndërsa ligji më i fundit mbi punën e tij u miratua 8 vjet më parë, dhe tashmë ka nevojë për ndryshime.
Ekspertë të kësaj fushe theksuan se sfidat aktuale janë të shumta, si për mbrojtjen e të dhënave personale ashtu edhe për rritjen e mundësisë së publikut për të marrë informacion nga administrata publike.
Statistikat e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale nxjerrin në pah realitetin problematik dhe ndërgjegjësimin në rritje të publikut për t’u ankuar mbi këto dy tema.
Në 8 vitet e fundit Komisioneri ka marrë mesatarisht çdo vit rreth 780 ankesa, (6226 ankesa gjithsej 2015-2023), ndërsa 3 vitet e fundit ka marrë mbi 1 mijë ankesa në vit, dhe shifrat janë në rritje.
Në 15 vjetorin e themelimit të institucionit, komisioneri Besnik Dervishi tha se puna voluminoze kërkon ndryshime të ligjit, hapje dhe transparencë më të madhenga ana e institucioneve shtetërore, ndërsa zyra e tij do të mbështesë qytetarët dhe gazetarët investigativë.
“Vazhdimisht do të jemi kritikë ndaj autoriteteve publike, dhe më shumë kritikë ndaj atyre që kanë aktivitetin më të madh, që janë ekzekutivi dhe qeverisja vendore. Asnjëherë nuk do të mungojë ndihma dhe bashkëpunimi i Komisionerit, që ne jemi përpjekur të ngrejmë, pavarësisht vështirësive, që kemi hasur”, tha zoti Dervishi.
Por Rigels Xhemollari, një përfaqësues i organizatës Qëndresa Qytetare, shumë qytetarë e kanë ende të vështirë t’u qasen institucioneve, edhe pse po rritet mundësia për informim përmes mjeteve digjitale.
Organizata bën shpesh ankesa dhe kërkesa për informacion, por shihet se nuk është instaluar ende kultura e transparencës dhe dhënies së informacionit, thotë ai.
Veprimtarët pohojnë të dhënat personale keqpërdoren shpesh nga forcat politike, siç ishte rasti i ankesës së qëndresa qytetare bëri ndaj platformës Aktivisti, ku përfshihen punonjësit e administratës shtetërore.
“Pas ankimit që ne bëmë te Komisioneri për platformën Aktivisti, u tha se nuk u gjet ndonjë shkelje. Për mendimin tonë ka shumë shkelje, ka shumë të dhëna që përdoren pa miratim, dhe më shumë se sa e lejon ligji, pasi nëpunësve u kërkohet Qarku, adresa, qendra e votimit etj. Nga viti 2015, kur u miratua ligji, është bërë përparim, por organet janë të brishta, Komisioneri është i brishtë. Duhet më shumë pavarësi, më shumë financim, më shumë vëmendje”, tha zoti Xhemollari.
Ekspertët vlerësojnë se sot në Shqipëri qarkullon një sasi informacioni si kurrë më parë, por po ashtu është rritur presioni për qasje në informacion dhe mbrojtjen e të dhënave personale si asnjëherë më parë. Kreu i Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, Olsi Dekovi, thotë se edhe
informacioni i saktë dhe po ndeshet me keqinformimi.
“Përballë këtyre sfidave, Këshilli i Europës po mbështet mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe nxitjen e qeverisjes demokratike, përmes dokumenteve që Shqipëria i ka ratifikuar si Konventa për të rejtat e njeriut, Konventa për mbrojtjen e të dhënave personale, bashkë me protokollet përkatëse, po ashtu edhe një vit më parë ratifikoi Konventa për aksesin në dokumentat zyrtare. Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në aksesin e informimit , ndërsa digjitalizimi i shpejtë ka shtuar sfidat në këtë fushë”, tha ai.
Formalisht pothuaj gjithë institucionet shtetërorë në Shqipëri kanë tashmë një koordinator për të drejtën e informimit, ndërkohë që në disa ndryshime ligjore kërkohet forcimi i kompetencave të komisionerit për ndëshkimin e shkelësve të ligjit mbi të drejtat e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale.