Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Shqipëri Frida Krifca tha se eksportet e artikujve bujqësore janë rritur me 17% në vlerë monetare, krahasuar me një vit më parë dhe se agroturizmi po mbështet sektorin e turizmit. Ministrja Krifca mohoi zërat se një sasi e prodhimeve bujqësore të stinës po kthehet mbrapsht nga tregjet perëndimore për shkak të sasisë së kimikateve të përdorura. Me Ministren e Bujqësisë, e cila ishte sot në Malësi të Madhe në mbështetje të fermerëve të kësaj zone, bisedoi korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo.
Zëri Amerikës: Zonja ministre, sezoni turistik është në prag dhe pritet nje fluks i madh i vizitorëve. Si po i përgjigjet agroturizmi këtij fluksi?
Ministrja Krifca: Agroturizmi në Shqipëri është një realitet i nisur rreth viteve 2018 kur ne, edhe përmes politikave tona fiskale, e kemi mbështetur fuqimisht përmes një kuadri fiskal me një TVSH 6%, me tatim fitimi 5%, dhe me taksë infrastrukture zero. Dhe, po ta shikoni, ka pasur edhe një bum të objekteve të reja të ndërtuara, por edhe të bujtinave. Pra, shtëpitë e kthyera në bujtina kanë hapur dhomat për t’ju përgjigjur kësaj kërkese që ka ardhur edhe si fluks i vizitorëve vendas, ndërkohë që, sigurisht, me numrin e lartë të vizitorëve të huaj, llogariten 10.75 milionë vizitorë, një pjesë e madhe e tyre qëndrojnë jo vetëm në hotelet e mëdha pranë bregdetit, por futen në thellësitë e Shqipërisë që të vizitojnë pikërisht agroturizmat, ku çdo vit ne shikojmë një përmirësim edhe të standarteve të strukturave mikpritëse dhe ofertës për sa i takon kulinarisë, ushqimit, ku atje patjetër jemi të pakrahasueshëm. Po të shikoni në 'reviews' për faqet e operatorëve të ndryshëm turistikë janë fjalët më të mira të thëna për eksperiencën që këta vizitorë kanë nga agroturizmi.
Zëri Amerikës: Ndërkohë, sektori i bujqësisë, prodhimet bujqësore, zënë një vend të rëndësishëm në eksporte. Si parqitet situata këtë vit pasi ka njoftime që, një pjesë e produkteve, për arsye të kimikateve, nuk po pranohen në tregun e huaj.
Ministrja Krifca: Unë mendoj që politika duhet të qëndrojë larg bujqësisë dhe ushqimit, sepse edhe vjet ne e pamë ku Putini përdori grurin si politikë dhe aty gjërat nuk shkojnë shumë mirë. Kështu që, politika duhet të qëndrojë jashtë. Ne flasim me fakte dhe me shifra. Shifrat edhe për tremujorin e parë, sipas INSTAT-it, flasin për një rritje mbi 17 % të eksporteve në vlerë dhe mbi 5.6% të eksporteve në sasi. Sigurisht, ne jemi në një sfidë për t’ju përshtatur edhe kushteve klimatike, të cilat kanë një efekt të rëndësishëm në prodhim. Ne kemi pasur një sezon të pranverës me shira, i cili ka ndikuar në atë që ne e kemi pikën dhe avantazhin tonë konkurues më të rëndësishëm, që është hershmëria. Unë mendoj që jemi në një trajektore rritjeje të rëndësishme të eksporteve bujqësore, sigurisht me sfida për të përmbushur kërkesat gjithnjë e në rritje të konsumatorëve, të tregjeve të sofistikuara që ne synojmë, të tregjeve të Europës Perëndimore, ku standartet duhet të jenë mjaft të larta, jo vetëm për sa i takon përdorimit të kimikateve dhe pesticideve, ku Shqipëria është një ndër vendet me përdorimin më të ulët në rang edhe të Ballkanit, por edhe europian, por sigurisht edhe të procesit të gjetjes ekzaktësisht të asaj që konsumatori do. Pra, është një ecuri dhe një përpjekje e vazhdueshme përmirësuese.
Zëri i Amerikës: Dhe se fundmi zonja Ministre, ju ndodheni këtu në Malësi të Madhe, në një plantacion të gështenjave, për të mbështetur fermerët në luftimin e mizës së gështenjës. Çfarë rëndësie ka për eksportet e Shqipërisë gështenja?
Ministrja Krifca: Ne prodhojmë diku 5-6 mijë tonë gështenja në vit dhe janë rreth 2500 hektarë të shpërndara në të gjithë Shqipërinë. Në zonën e Malësisë së Madhe , në Reç, Gruemirë, në Shalë të Shkodrës, në masivin e madh të Tropojës, ne duam që ato familje bujqësore, të cilat jetojnë përmes gështenjës, të kenë mundësinë të jetojnë me dinjitet. Ndërkohë, duam të forcojmë sektorin e gështenjës, sepse është një produkt i rëndësishëm edhe për eksportet bujqësore që ne kemi, pasi 25 % e prodhimit të gështenjës në rang vendi shkon drejtë vendeve të Europës si eksport bujqësor.