Në Shqipëri zëri i grave dhe vajzave kandidate në fushatat zgjedhore ka ardhur duke rënë në tre zgjedhjet e fundit. Sipas një monitorimi të Autoritetit të Mediave Audiovizive në fushatën për zgjedhjet vendore të së dielës, ato kishin vetëm 11% të protagonizmit në media, kundrejt burrave. Aleanca e grave në parlament po mendon që kjo çështje të rregullohet me ligj. Nga ana tjetër aktivistë të barazisë gjinore thonë se tribunat elektorale zotërohen në masë nga drejtuesit kryesorë të partive duke ju lënë shumë pak kohë grave të prezantojnë platformat e tyre përballë zgjedhësve.
Në Shqipëri fushata për zgjedhjet vendore përfundon sot. Në zgjedhje garojnë 144 kandidatë për kryetar bashkie, dhe mbi 23 mijë e 600 kandidatë për anëtarë të këshillave bashkiakë. Ndërsa Kodi Zgjedhor parashikon që në listat e këshilltarëve 50% të jenë gra, për kandidatët për kryetar bashkie nuk ka kuota gjinore, për pasojë, këtë herë, vetëm 15, ose 10.4% e 144 kandidatëve, janë gra. Por, edhe pse për parlamentet e bashkive, konkurrojnë mbi 11 mijë e 800 gra, studiues të zgjedhjeve në Shqipëri, konstatojnë se zëri publik i grave dhe vajzave në fushatë ka qënë i dobët. Autoriteti i mediave audiovizive, pas një monitorimi të televizioneve dhe radiove, konstatoi se diferenca mes zërit të burrave dhe grave, si në prezantimet e takimeve zgjedhore, ashtu dhe në studiot televizive, ishte e thellë.
“Shifra është evidente e shporporcionuar. 11% të protagonizmit e zënë gratë dhe vajzat dhe 89% meshkujt”- u shpreh për Zërin e Amerikës, Dr. Arben Muka, drejtor i programeve në AMA.
Kordinatorja kombëtare e rrjetit “Barazi në Vendimarrje”, Edlira Çepani, thotë se organizata që ajo drejton, ka kryer monitorime të kësaj natyre edhe në dy fushatat e zgjedhjeve të mëparshme. Ajo konstaton se zëri i
grave në fushatë, ka ardhur duke u zbehur, nga 14 në 11% në fushatën aktuale.
“ Duket qartë në mënyrë të çuditshme edhe pse është një fushatë lokale, atë po e bëjnë kryetarët e partive. Duke qenë se nuk rregullohet me ligj dhe kuotë, kemi sërish një numër shumë të ulët të grave dhe vajzave kandidate për kryetare bashkie. Kjo i jep atyre një zë edhe më të ulët. Por dhe në mbulimin mediatik në studio, panele, ato kanë një zë të zbehtë”- u shpreh për Zërin e Amerikës, Edlira Çepani, Kordinatore kombëtare e rrjetit “Barazi në vendimarrje”.
Kodi zgjedhor parashikon kohë të caktuar në media për fushatën e partive politike. Por ekspertët vërejnë se ka një arsye se përse zëri i grave në aktivitetet politike që prezantohen në media është i ulët.
Drejtuesit e partive dhe jo kanditatët për kryetarë, e aq më pak ata për këshillat bashkiake, kanë patur mundësi t’u drejtohen votuesve përmes medias. Në këtë atmosferë, zëri i grave kandidate duket se ka humbur.
“Janë strategjitë e partive politike të cilat vënë si protagonistë në fushatë burra. Dhe kjo identifikohet edhe përmes pasqyrimit që i bëjnë televizionet fushatës elektorale. Mënyra se si organizohet ai takimi me zgjedhësit, bën që pjesën e luanit të marrin drejtuesit kryesorë të partive duke lënë në minorancë kandidatet për kryetare dhe anëtare të këshillave bashkiakë të cilat duhet t’u thonë më shumë qytetarëve, të prezantojnë platformat, se si e mendojnë ato zhvillimin e njësisë së tyre administrative”- vijoi Dr. Arben Muka, Drejtor i programeve në AMA.
Por si e shpjegojnë vetë gratë dhe vajzat e përfshira në politikë këtë situatë. Sekretarja organizative e gruas në PS, Etilda Gjonaj,thotë se partia e saj ka bërë disa përparime kur bëhet fjalë për përfaqësimin e grave në qeverisje, me rreth 70%, në bashkëdrejtimin e organizatave socialiste apo dhe degëve të partisë. Por në lidhje me zërin e grave në fushatën zgjedhore situata është ndryshe. Zonja Gjonaj shpejgon se
aleanca e grave në parlament po mendon për ta adresuar këtë çështje, në Kuvend.
“ Duhej patjetër të kishte një përmirësim. Edhe në kuadër të inisiativave që kemi marrë si gra deputete në parlament, e kemi menduar që ndoshta do duhej të ketë një përcaktim në Kodin Zgjedhor, se sa kohë televizive duhet të ketë një grua kandidate. Duke e artikuluar si një propozim ligjor me qëllim që të përfshihet”- u shpreh për Zërin e Amerikës, Etilda Gjonaj, sekretare e gruas në PS.
E megjithatë Zonja Gjonaj, mendon se gratë në PS e kanë shumë të fuqishëm zërin e tyre në bazë, dhe se disa sondazhe të brendshme, siç thotë ajo, kanë treguar se ato e mbështesin partinë më shumë se burrat.
“Gratë nuk janë thjesht votuese. Gratë janë dhe menaxhere fushate. Gratë janë dhe të deleguara që merren me zona të caktuara. Dhe më thënë të drejtën pa ulur aspak rëndësinë e rolit dhe të kontributit të burrave në parti, gratë kanë një rol të jashtzakonshëm. Se janë ato që bëjnë një punë si milingonat të cilat shkojnë derë më derë dhe përcjellin në strukturat e partisë problematikat”- vijoi Etilda Gjonaj, sekretare e gruas në PS.
Deputetja e PD Merita Bakiu, e cila më herët ka patur një përvojë si anëtare në këshillin bashkiak në Krujë, mendon se gratë kandidate për këto këshilla duhet dëgjuar, dhe se zëri i tyre në fushatë thuajse mungoi.
“Gjatë përvojës që kam patur si këshilltare bashkie, kam takuar gra që kanë ide shumë të mira për zhvillimin e bashkive ku kandidojnë, por nuk u jepet mundësia t’i shpalosin këto ide”- u shpreh për Zërin e Amerikës Merita Bakiu, deputete e PD.
Me një përvojë 4 vjeçare si anëtare e këshillit bashkiak në Tiranë, Maura Linadi, kandidon sërish në këto zgjedhje. Ajo do donte që gratë të kishin më shumë zë në kohën televizive të përcaktuar për fushatën në media. E megjithatë Zonja Linadi thotë se ato kanë pika të tjera të forta.
“Ne gratë, pikën më të fortë e kemi në terren. Ju e patë dhe sot, ne marrim çdo mendim dhe kritikë dhe e përcejllim atje ku duhet, për
t’i ardhur në ndihmë nevojave të gjithë qytetarëve të Tiranës”- u shpreh për Zërin e Amerikës Maura Linadi, kandidate për këshillin e bashkisë, Tiranë.
Në Shqipëri kornizat ligjore për rritjen e përfaqësimit të grave në parlament dhe këshillat bashkiakë janë përmirësuar ndjeshëm. Por përtej këtyre ajo që shqetëson aktivistët për barazinë gjinore, lidhet me zërin e dobët të gruas, kur bëhet fjalë për ballafaqimin e ideve dhe të platformave të tyre në fushatë. Ndonëse roli i grave në bazë për partitë është i fortë, tribunat e mitingjeve elektorale vazhdojnë të zotërohen në masën 90% nga burrat me pushtet në parti, dhe kjo sipas studiuesve nuk është një shenjë e mirë për demokracinë.