Në Shqipëri, Partia Demokratike e opozitës e përfaqësuar nga drejtuesi i deleguar i saj, Enkelejd Alibeaj, vendosi të dielën në mbrëmje për një pjesë të kandidatëve të saj për kryebashkiakë në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Pas një mbledhjeje, që zgjati deri pas mesnate, u vendos me shumicën e votave të kryesisë, që kandidati i Parisë Demokratike për bashkinë e Tiranës të jetë Roland Bejko, një prej themeluesve të saj qysh nga ditët e para të kësaj force politike.
Nënkryetari i saj Alibeaj, tha se zoti Bejko është kandidati i duhur për kryeqytetin dhe se këto zgjedhje janë një sfidë për të mbajtur partinë.
“Ne dalim hapur dhe do të jemi në sytë e shqiptarëve. PD është aktualisht në një situatë jo të shëndetshme, por më e rëndësishmja është pjesëmarrja në zgjedhjet vendore”, theksoi zoti Alibeaj.
Krahas Tiranës, PD ka bërë të ditur së fundi kandidaturat edhe për 16 bashki mes të cilave janë disa bashki të mëdha si Fieri, Korça, Mirdita, Kruja, Lezha dhe një seri bashkish më të vogla.
Drejtuesit e PD-së bënë të ditur se në një mbledhje të tretë për këtë temë të hënën, do të diskutohen të gjitha çështjet dhe do të dalë lista e plotë e kandidatëve të saj për kryebashkiakë në zgjedhjet vendore.
E hëna është edhe dita e fundit e afatit ligjor kur gjithë subjektet zgjedhore duhet të dorëzojnë listat e kandidatëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Partia Socialiste e mbylli listën e saj të shtunën, duke rikandiduar afro treçerekun e kryebashkiakëve të saj, që kontrollojnë pothuaj gjithë pushtetin vendor të Shqipërisë, ndërsa opozita bojkotoi zgjedhjet vendore katër vjet më parë.
PS rikandidoi Erjon Veliajn për një mandat të tretë në krye të bashkisë së Tiranës. Ndryshimet më të rëndësishme në kandidaturat e socialistëve i përkasin Vlorës dhe Shkodrës.
Ndërsa Partia e Lirisë e ish presidentit Ilir Meta ka bashkuar kandidaturat e saj për këshilla dhe bashkiakë me ato të përzgjedhura nga grupi mbështetës i ish kryeminstrit Sali Berisha sipas një marrëveshjeje mes tyre.
Edhe pse ky grup nuk u regjistrua nga KQZ si subjekt zgjedhor, zoti Berisha ka refuzuar prerë ftesat e Partisë Demokratike të zotit Alibeaj për të dalë me kandidatë të përbashkët në ato bashki ku gjendet mirëkuptimi i degëve.
Mospajtimet mes tyre janë thelluar përherë e më shumë, qyshkur Partia Demokratike e përjashtoi ish kryeministrin Berisha nga grupi parlamentar pasi SHBA-të e shpallën atë familjarisht non grata për korrupsion domethënës dhe cënim të demokracisë.