Shumica e amerikanëve – pavarësisht nga prirja politike – nuk është dakord që taksapaguesit amerikanë të mbajnë barrën e menaxhimit të keq që sjell dështimin e një banke, megjithëse kundërshtimi republikan ndaj ndihmave për bankat është zbutur gjatë dekadës së fundit, sipas një sondazhi të ri Reuters/Ipsos , përfundimet e të cilit u bënë publike të mërkurën.
Rezultatet e sondazhit lënë të kuptohet se administrata e presidentit demokrat Joe Biden mund të përballet me një problem politik, nëse shenjat e luhatjeve në sektorin bankar të SHBA-së përkeqësohen dhe nxisin veprime më agresive të qeverisë.
Sondazhi i kryer gjatë dy ditëve nga agjencia e lajmeve Reuters dhe kompania e sondazheve Ipsos zbuloi se 84% e të anketuarve - përfshirë një shumicë të konsiderueshme të republikanëve dhe demokratëve - mendojnë se taksapaguesit nuk duhet të paguajnë për të zgjidhur problemet e shkaktuara nga menaxhimi i papërgjegjshëm i bankave.
Tregjet e aksioneve janë tronditur në mbarë botën që kur Banka Silicon Valley falimentoi të premten pasi klientët e shqetësuar tërhoqën depozitat e tyre. Dy ditë më pas, Banka Signature e Nju Jorkut u mbyll. Të mërkurën, stoqet në bursë ranë ndjeshëm pasi luhatjet në gjigantin bankar zviceran Credit Suisse ringjallën frikën për një krizë të re bankare.
Bankat kanë qenë në vështirësi muajt e fundit nga rritja e normave të interesit, të cilat reduktojnë kërkesën për huamarrje. Banka qendrore e Amerikës, ka rritur vazhdimisht normat e interesit gjatë vitit të kaluar në një përpjekje për të zbutur inflacionin.
Vetëm 49% e amerikanëve - 40% e republikanëve dhe 55% e demokratëve - thanë se favorizonin paketat e shpëtimit të institucioneve financiare nga qeveria.
Megjithatë, mbështetja për paketat e shpëtimit ishte edhe më e ulët një dekadë më parë, kur Shtetet e Bashkuara po dilnin nga një krizë financiare, të cilën qeveria e luftoi duke shpenzuar qindra miliarda dollarë për paketat e shpëtimit të bankave. Në një sondazh të Reuters/Ipsos të vitit 2012, vetëm 20% e republikanëve dhe 53% e demokratëve thanë në atë kohë se mbështesin paketat e shpëtimit.
Rreth gjysma e të anketuarve në sondazhin e Reuters/Ipsos thanë se kishin dëgjuar për falimentimin e Bankës Silicon Valley.
Sondazhi tregoi mbështetje të gjerë për mbrojtjen nga Uashingtoni të depozitave bankare. Shtatëdhjetë e tetë përqind e të anketuarve thanë se qeveria duhet të garantojë depozitat e individëve dhe 70% thanë se Uashingtoni duhet mbrojë depozitat e kompanive.
Por një shumicë e fortë dypartiake tha gjithashtu se depozituesit në banka duhet të kuptojnë rrezikun e përdorimit të një banke për të bërë depozita jashtë kufijve të shumës së siguruar.
Disa ekspertë thonë se garancitë më të gjera të depozitave që rregullatorët po aplikojnë për bankat me probleme janë në fakt një paketë shpëtimi sepse i bëjnë njerëzit më pak të prirur për të marrë masa për t’u mbrojtur nga rreziku financiar.
Sondazhi i Reuters/Ipsos, i kryer në internet, anketoi 1004 njerëz në mbarë vendin.