Në Shqipëri roli i grave në bujqësi mbetet i lartë, pasi në këtë sektor punojnë rreth 40% e grave të punësuara në vend. Por pavarësisht kësaj peshe ato mbeten në minorancë, kur bëhet fjalë për pronësinë dhe drejtimin e veprimtarive bujqësore. Burrat zotërojnë mbi 80 % të fermave, dhe sipërmarrjeve në pyje dhe peshkim. Autoritetet thonë se fermeret gra po mbështeten financiarisht, si nga programi IPARD, një bashkëfinancim i BE dhe qeverisë shqiptare, ashtu dhe nga skemat kombëtare. Korrespodentja e Zërit të Amerikës në Tiranë, Mimoza Picari bisedoi me disa gra sipërmarrëse në bujqësi, dhe sjell materialin në vazhdim.
Në Shqipëri rreth 41 përqind e grave të punësuara, punojnë në sektorin e bujqësisë, i cili ka një ndikim me 19% në prodhimin e brendshëm bruto, dhe punëson gjysmën e fuqisë punëtore në vend. Gratë zotërojnë dhe menaxhojnë 31% të gjithë ndërrmarjeve, dhe në sektorin e bujqësisë e sipërmarrjes në peshkim dhe pyje 17% janë pronare dhe administratore.Vështirësitë për to, sipas ekspertëve janë të shumta. Ato lidhen si me dobësitë e përgjithshme të sektorit bujqësor, zhvillimin e tij në mënyrë rastësore dhe të paorganizuar, ashtu dhe me paragjykimet gjinore. Por mes grave që përpiqen çdo ditë të mbijetojnë në bujqësi, ka dhe histori suksesi, që kanë arritur t’i tejkalojnë pengesat. Njëra prej tyre është Neta Arapi, eksportuese e prodhimeve bujqësore në zonën e Lushnjës, prej më shumë se 20 vitesh. Kompania e saj eksporton 20 mijë tonë produkte bujqësore në vit, rreth 3 herë më shumë se dy dekada më parë kur e nisi këtë aktivitet. Fillimet kanë qenë si ecje në një tokë të huaj thotë ajo për Zërin e Amerikës.
“Në tregun e Lushnjës takova disa tregëtarë nga Mali i Zi. Duke biseduar më ta kuptova se çfarë kërkonin dhe fillova të bashkëpunoj. Më thnë se kërkonin të ekportoja, kur unë as nuk e dija se çfarë ishte eksporti. Filluam të bënim punën, duke ecur puna
na mësoi vetë. Kur kemi filluar në fillim kishte shumë burrokraci, se më shikon grua, më shikon shtrembër. Kur i hipja kamionit në Divjakë thoshin: “po kjo grua çdo bëjë”. Realiteti ishte të punoja. Puna e vë njeriun në vendin e vet”- tha për Zërin e Amerikës Neta Arapi, administratore e kompanisë “Elian eksport” shpk.
Në ndërrmarjen e Zonjës Arapi, vijnë dy deri në tre kamionë në ditë nga kompani të ndryshme në Europë, për të marrë prodhime bujqësore kryesisht perime, si dhe investitorë të huaj që lidhin kontrata. Gjithshka e ka ngritur mbështetur në punën e grave, dhe sot ka të punësuara 40 deri në 50 gra të zonës. Kompania e saj eksporton thuajse në gjithë Europën, prodhime bujqësore që grumbullohen në zona të ndryshme të vendit. Ajo është dhe përfituese e financimeve të programit IPARD, një bashkëfinancim i BE me qeverinë shqiptare, i cili ka dhënë 245.8 milionë euro grante në mbështetje të bujqësisë. (IPARD like në vitin 2012 dhe IPARD II në vitin 2018 dhe IPARD III në vitin 2023. Por ekspertët vërjenë, se politikat shtetërore për kompani të sapokrijuara nga gratë nuk janë të mjaftueshme dhe motivimi i tyre mbetet i ulët.
“Kur të hartojnë politikat e skemave kombëtare të mbështetjes, të kenë një fokus më të madh për gratë. T’i jepet një mbështetje dhe projekteve të grave që sapo kanë filluar aktivitetin dhe në përgjithësi të mbështeten gratë në biznes”- u shpreh për Zërin e Amerikës Ilir Pilku, ekspert në fushën e bujqësisë.
Një prej këtyre bizneseve të reja në fushën e blektorisë, është krijuar nga Midjana Hoçja tre vjet me parë. Në një zonë mes Lezhës dhe F-Krujës në fshatin Gramëz, ajo e mbështetur nga familja, ka ndërtuar një stallë për mbarështimin e lopëve. Para 3 vitesh kishte vetëm 11 krerë dhe sot ka 50. Këtë profesion, ajo thotë se e ushtron krahas atij të mjekes, dhe se përpiqet tja dalë me përkushtim, falë dhe ndihmës së të afërmve. Fillimi është i vështirë, thotë Znj. Hoçja, shumë burokraci dhe mjaft dyer për të trokitur, në proçesin e aplikimeve për skemat e bështetjes në bujqësi.
“ Kemi patur disa probleme në fillim qoftë me mbështetjen nga pushteti vendor dhe nga strukturat përkatëse. Kemi nevojë për ndihmë, që aksesi të jetë i mënjëhershëm. Ferma nuk pret aq sa në të shkojmë dhe të trokasim të gjitha dyert. Por shpresojmë që në vazhdimësi të arrijmë të ndihmohemi dhe të kemi një financim, për të mundësuar atë synim që ne kemi, për të bërë një fermë moderne bashkëkohore, për mbarështimin e 300 krerë lopëve”- u shpreh për Zërin e Amerikës Midjana Hoçja, Administratore e fermës “HERMAN 2020”.
Këtij qëllimi i shërben dhe fillimi i punës për ndërtimin e një stabilimenti me përmasa më të mëdha. Mungesa e fuqisë punëtore është një tjetër pengesë më të cilën është hasur Znj Hoçja dhe sqaron se e ka gjetur në Pakistan. Prej një viti, disa puntëorë nga ky vend janë punësuar në fermën e saj, të cilët kryejnë punë të ndryshme.
Autoritetet thonë se mbështetja financiare për bujqësinë, përmes programeve të Ipard, është rritur ndjeshëm nga 5.2 milion euro që ishte programin e parë IPARD like në vitin 2012 në 146 milionë që ofron për vitin 2023. Gratë janë përfituese të 40% të këtyre granteve. Këto programe ju ofrojnë avantazh atyre përmes sistemit të pikëzimit. Shqetësimeve mbi burokracitë dhe pengesat që hasin fermerët në aplikimet për skemat e mbështejtes në bujqësi qeveria i është përgjigjur me hartimin e një formë të re aplikimi me qëllim për ta bërë proçesin më të shpejtë.
“Së shpejti do shpallim aplikimet i cili do të bëhët përmes E Albania pa dokumenta, pra me zero dokumenta. Mjafton t’i kenë të regjistruara fermat e tyre, në regjistrin e fermës me nipt fermeri dhe marrin financim. Bëhet fjalë për të gjithë aplikantët që plotësojnë kriteret, rrjedhimisht dhe gratë”- u shpreh për Zërin e Amerikës Eranda Selmanaj, Drejtore e Përgjithshme e Agjenisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.
Sipas zonjës Selmanaj, për t’u ardhur në ndihmë fermerëve, shërbejnë zyra të posaçme në 20 qytete të vendit. Ndërsa ka një rritje të numrit të grave fituese në grantet e BE, nga 4% në programin e parë të Ipard në 40% në të dytin, në skemat kombëtare të mbështetjes, situata paraqitet ndryshe. Përqindja e grave fituese ka mbetur thuajse e njëjtë që prej vitit 2016. Pavarësisht nga rrtija e numrit të përfituesve në përgjithësi, me 50 dhe 60% që nga ky vit, sërish burrat janë fitues të rreth 83% të këtyre skemave, çdo vit.
Sipas ekspertëve, këto statistika vazhdojnë ta vendosin gruan fermere në pozita ende të dobëta përballë burrave në bujqësi dhe pse më pak se gjysma e grave të punësuara në vend punojnë në këtë sektor. Fuqizimi i tyre po përparon ngadalë, dhe në bujqësi ato vazhdojnë të mbeten në masë dërrmuese thjesht të punësuara.