Në Shqipëri Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dënoi sot me 5 vite burgim ish kryetarin e Bashkisë së Lushnjës Fatos Tushe, ndërsa dha dënime më të lehta për 18 ish zyrtarë të tjerë të kësaj bashkie dhe sipërmarrës.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ish kryebashkiaku do të duhet të vuajë 3 vite e 6 muaj burgim. Në vendimin e sotëm, Gjykata rëndoi pozitat e tij, duke i shtuar akuzave për “Shpërdorim detyre” në dy raste, edhe atë për “Shkelje të barazisë në tendera”. Më herët, Gjykata e Posaçme e shkallës së parë e kishte deklaruar të pafajshëm për këtë akuzë. Vendimi i sotëm i ndalon zotit Tushe edhe ushtrimin e funksioneve publike për 5 vitet e ardhshme.
Ish kryebashkiaku i Lushnjes, u arrestua në korrik të vitit 2021, nën dyshimet për favorizimin e një kompanie në garën për rehabilitimin e një kanali kullues, lejimin e një ndërtimi pa leje dhe abuzim me fondet e karburantit të Bashkisë. Bashkë me të, u arrestuan dhe zyrtarë të tjerë të pushtetit vendor e disa biznesmenë, ndërsa disa muaj më vonë u arrestua dhe nënkryetari i Bashkisë, dhe drejtori i Prokurimeve.
Për të gjithë këta u lanë në fuqi dënimet e Gjykatës së shkallës së parë, të cilat shkonin nga 1 deri 3 vite burgim, ndërsa për 5 të akuzuara që janë gra, dënimi u konvertua në shërbimin e provës.
Në vendimin e sotëm Gjykata e Posaçme e Apelit ka urdhëruar dhe konfiskimin e shumave të parave që u gjetën në banesën e ish kryebashkiakut Tushe dhe 3 ish vartësve të tij.