Policia arrestoi të hënën nënkryetarin e Bashkisë së Lushnjës Gentian Nushi dhe drejtorin e prokurimeve Leonard Sefa, të cilët akuzohen për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera, apo ankande publike”.
Arrestimet erdhën pas thellimit të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të të cilave në korrik të këtij viti është arrestuar edhe kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe.
Sipas Prokurorisë së Posaçme dy të arrestuarit në bashkëpunim me personat e tjerë nën hetim, kryetarin e bashkisë Fatos Tushe dhe zyrtarë të tjerë, kanë krijuar avantazhe në procedurën e prokurimit ndaj një kompanie që të fitonte garën për rehabilitimin e një kanali ujitës, në vitin 2020.
Nënkryetari dhe drejtori i prokurimeve në Bashkinë Lushnjë akuzohen nga Prokuroria e Posaçme se “kanë kryer veprime të kundërligjshme edhe gjatë tre procedurave të tjera prokurimi, të organizuara nga Ndërmarrja e Pasurisë Publike e Bashkisë Lushnjë.