Lidhje

Pas sulmit kibernetik nga Irani, Shqipëria ka gati planin për sigurinë e informacionit


Në Tiranë, autoritetet publikuan sot planin strategjik për sigurinë e informacionit, gjashtë muaj pas sulmit kibernetik të ardhur prej Iranit, ndaj strukturave dhe shërbimeve elektronike të Shqipërisë.

Ky sulm e ngriti sigurinë kibernetike të Shqipërisë në një çështje kryesore, ku po përqëndrohen shumë investime për të shmangur rreziqet, që vijnë nga kjo fushë.

Plani për sigurinë e informacionit pas sulmit kibernetik nga Irani
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:00 0:00

Sulmi kibernetik nga Irani verën e kaluar u cilësua nga ekspertët shqiptarë dhe ndërkombëtarë si një goditje e organizuar dhe e pashembullt për nga përmasat dhe fuqia e e veprimit.

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Internetit të Sigurtë, Shqipëria paraqiti planin strategjik për sigurinë e informacionit, përmes të cilit garantohet një ekosistem të sigurtë kibernetik.

Sfidat e sigurisë kibernetike në Shqipëri bashkuan në një konferencë ekspertë dhe zyrtarë vendas e ndërkombëtarë.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, thotë se ende Shqipëria gjendet nën sulme dhe kërcënime të organizuara iraniane, të cilat po vazhdojnë prej disa muajsh, ndonëse autorët nuk ia arritën qëllimit të tyre shkatërrimtar.

“Masat e shtuara janë të domosdoshme dhe duhen ndërmarrë në të gjithë drejtimet e sigurisë kibernetike. sulmet agresive ndaj shërbimeve online mbi infrastrukturat kritike në Shqipëri përbëjnë një kërcënim real, i cili ka nisur prej muajsh dhe vazhdon edhe tani. Qeveria shqiptare e ka kthyer tashmë sigurinë kibernetike në një nga çështjet më të rëndësishme dhe e ka vendosur në një focus kryesor”, thotë zonja Balluku.

Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, theksoi se qeveria amerikane i ka dhënë Shqipërisë deri tani 50 milionë dollarë në përpjekjet për të rritur sigurinë kibernetike pas sulmeve keqdashëse nga Irani.

“SHBA dënoi sulmet e Iranit, shprehu mbështetjen e plotë dhe është gati të bëjë gjithçka për të mbështetur Shqipërinë, ndërkohë që kërcënimet dhe sulmet kibernetike do të vazhdojnë. Financimet e deritanishme janë vetëm fillimi, ndërsa bashkëpunimi po vazhdon krah për krah”, theksoi ambasadorja Kim.

Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin në fillim të shtatorit, pasi e akuzoi për autorësinë e sulmit masiv kibernetik të 15 korrikut, që nxori shërbimet qeveritare qeveritare online jashtë funksionit.

Shqipëria ka marrë mbështetje të shpejtë nga vende anëtare të NATO-s, nga BE, OSBE dhe nga Izraeli, Emiratet e Bashkuara Arabe.

Por ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, theksoi se ndihma e afërt prej SHBA-ve ishte e menjëhershme dhe e ardhmja e bashkëpunimit në këtë fushë u diskutua edhe në dialogun strategjik mes dy vendeve, që u zhvillua në Uashington.

“Jemi shumë të inkurajuar që SHBA-të e kuptojnë nevojën për ta mbështetur Shqipërinë. Ato kanë treguar gjithë gatishmërinë për të na mbështetur, jo thjesht sepse Shqipëria është një aleat dhe partner i besueshëm, por edhe sepse kjo është një sfidë e përbashkët dhe një kërcënim për sigurinë e të gjithëve ne. Në muajt në vijim bashkëpunimi ynë me SHBA-të dhe me partnerë të tjerë do të shtohet, duke prodhuar rezultate konkrete dhe gjej të falenderoj publikisht me mirënjohje”, thotë zonja Xhaçka.

Plani strategjik i Shqipërisë për sigurinë e informacionit mbështetet nga një buxhet i përcaktuar enkas, që mbulon organizimin, menaxhimin e rrezikut, kapacitetet njerëzore, përmirsimi i ligjeve dhe ndërgjegjësimi i administratës publike dhe private mbi rreziqet kibernetike.

Shqipëria ka ngritur njësinë ushtarake të sigurisë kibernetike dhe me një financim 24 milionë dollarë nga SHBA-të u mundësua ngritja e qendrës operacionale.

SHBA-të kanë nisur mbështetjen për sigurinë kibernetike të Shqipërisë qysh nga viti 2017, kur USAID-i ndihmoi në sigurinë e sektorit energjitik të saj. Kjo ndihmë zhvillohet jo vetëm në programe dhe pajisje, por edhe në përgatitje ekspertësh dhe laboratorësh.

Shërbimet online janë të garantuara, por kjo është vetëm një pjesë e çështjes. Shqipëria e vlerëson sigurinë kibernetike si pjesë e sigurisë kombëtare, dhe po studion ngritjen e një qendre kombëtare për sigurinë kibernetike.

XS
SM
MD
LG