Në një intervistë për Zërin e Amerikës, autori i librit “Nënë Tereza: Shenjtorja dhe Kombi i Saj”, Gëzim Alpion tha se brezi i ri në Shqipëri dhe Kosovë po ballafaqohet me një shpirt materialist. Ai tha se ky shpirt, i cili është në kundërshtim me atë që kishte shprehur Nënë Tereza në jetën e saj, duhet kuptuar se nga po vjen. “Ne shqiptarët kemi një figurë, një shenjtëreshë si Nënë Tereza për të treguar se në jetë ka diçka që është më e rëndësishme se ana materiale. Ana shpirtërore është gjithnjë frymëzuese. Unë shpresoj që Nënë Tereza do të vazhdojë të frymëzojë shqiptarët në Ballkan në mënyrë që ne të mësojmë se si të jemi më pranë atyre që janë në nevojë”, tha zoti Alpion.
Zoti Alpion tha se Nënë Tereza nuk duhet të shihet si një figurë që duhet studiuar vetëm nga teologët por edhe nga sociologët studiuesit e çështjeve të grave dhe atyre gjinore. Sipas tij, studimi nga shumë fusha të tjera akademike do të hidhte më shumë dritë në aspektin shumë dimensional të figurës së Nënë Terezës.
Studiuesi dhe akademiku Gëzim Alpion, profesor në departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Birmingamit në Britani ndodhet këto ditë në Shtetet e Bashkuara. Profesor Alpion është autor i dy librave kushtuar humanistes dhe misionares Nënë Tereza dhe i më shumë se 50 kumtesave mbajtur në vende të ndryshme të botës mbi jetën dhe veprën e bamirëses së njohur me origjinë shqiptare.
Mbi këtë figurë shumë dimensionale, e cila i ka dhënë shumë botës falë angazhimit të saj për më të varfrit e të varfërve, zoti Alpion do të mbajë ligjërata në dy universitete prestigjioze amerikane, në Universitetin Georgetown, një takim organizuar falë programit të Studimeve Katolike, si dhe në Universitetin e Harvardit, organizuar nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Harvardit.