Në Shqipëri, rritja e çmimeve në gjithë zinxhirin e furnizimit, si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, po ndjehet më së shumti tek shtresat e popullsisë me të ardhura të ulëta. Qeveria ndërhyri me një paketë ndihme financiare për të zbutur pasojat, me një vlerë prej afro 310 milionë dollarë. Masat vlerësohen nga ekspertë të fushës të pamjaftueshme, pasi ndihma financiare sipas tyre nuk i përgjigjet rritjes së çmimeve. Ndërkaq e ardhmja parashikohet e vështirë, pasi vendi importon nga Rusia dhe Ukraina sasi të konsiderueshme të disa mallrave të rëndësishme për ekonominë.
Agresioni rus ndaj Ukrainës ka shkaktuar një valë tronditëse në krejt tregun botëror, që prej fundit të muajit shkurt. Në Shqipëri pasojat e luftës u reflektuan me rritjen treguesit të cmimeve të konsumit me 5.7% ku ndikimin kryesor sipas INSTAT me 10 deri në 22% e dhanë dhënë karburantet dhe ushqimet bazë. Kjo e rëndoi edhe më tej barrën mbi konsumatorët duke marrë në konsideratë se Shqipëria ka të ardhurat për frymë ndër më të ulëtat në rajon dhe Europë. Për të minimizuar pasojat qeveria ndërhyri me një paketë ndihme financiare në mbështetje të shtresave në nevojë dhe biznesit, me kosto rreth 34 miliard lekë, ose rreth 310 milion dollarë. Disa qytetarë në pension i thanë Zërit të Amerikës, se ndihma financiare e ofruar nuk i përgjigjet rritjes së çmimeve.
“Mbi 30 vjet punë vjet punë unë marr 10 mijë lekë pension. Ndihma 3 mijë lekë në muaj, është vetëm tre muaj. Kur të vdes unë me bëhet pensioni 15 mijë lekë. Prandaj duhet të ketë një tavan. Nuk janë rritje këto me 3%. Kjo është kot”- tha për Zërin e Amerikës Arjana Prifti, pensioniste.
“Unë përfitoj nga rritja (indeksimi) e pensioneve me 3.3% 400 lekë, kurse bashkëshortja 500. Ne shpenzuam në muajin mars rreth 3 mijë lekë më tepër, nga rritja e çmimeve. Po e përballojmë më vështirësi” – tha për Zërin e Amerikës Refik Luku, pensionist.
“Dal në pazar ikën 2 mijë lekshi dhe nuk blen asgjë. Po ilaçet, vizitat? Për ne pensionistët jeta është shumë e vështirë. Por kemi fëmijët që na ndihmojnë”- tha për Zërin e Amerikës Aspasi Kristo, pensioniste.
Sipas paketës së ndihmës së qeverisë të moshuarit me pension nën 16 mijë lekë në muaj dhe disa shtresa në nevojë, që përbëjnë rreth 20% të popullsisë, përfitojnë 3 mijë lekë në muaj për një përiudhë 90 ditore. Ndërkohë pensionet e mbi 670 mijë pensionsitëve u indeksuan me 3.3%. Paketa parashikon dhe uljen e taksave për disa paga. Masë e rëndësishme vlerësohet nga zyrtarët dhe subvencionimi i çmimit të energjisë për familjarët dhe bizneset e vogla, ai i çmimit të naftës për shoqëritë e transportit me qëllim për të mos rritur çmimin e biletës si dhe zerimi taksave të naftës për fermerët. Por ndërhyrja e qeverisë përmes paketës së rezistencës konsiderohet nga ekspertë të fushës e pamjaftueshme.
“Një pensionist të gjithë pensionin e shpenzon, dhe nuk ka kursime, dhe këtu biem të gjithë dakort që një pensionist nuk kursen. Ai blen çdo gjë me 20% tvsh. Kjo do të thotë që shteti këtë 3 mijë lekësh, që i jep, 20% e merr mbrapsh, sepse sistemi fiskal në Shqipëri bazohet në taksa konsumi. Një pensionist ka barrë fiskale të lartë në raport më të ardhurat. Paketa sociale dha një indekim shtesë për pensionet. Përveç inflacionit të vitit të kaluar, shtoi dhe 0.5%, ose 90 lekë mesatarisht për çdo pensionist në muaj. Gjithkush e kupton që ky indeksim nuk është asgjë në krahasim me rritjen e çmimeve”- i tha Zërit të Amerikës, Elton Haxhi, konsulent biznesi.
Rusia dhe Ukrania janë vende të rëndësishme të kultivimit të grurit, lule diellit dhe misrit sipas organizatës botërore të ushqimit dhe bujqësisë dhe rënia e importit të këtyre produkteve nga këto vende, sipas saj do të ketë pasoja kritike. Bazuar në statistikat e siguruara nga Zëri i Amerikës në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Shqipëria importon nga Rusia dhe Ukraina rreth 70% të totalit të importit të grurit në vend, ku peshën më të madhe me 64% e mban Rusia. Edhe tregu i vajit të lulediellit preket ndjeshëm pasi 50% e totalit të importit të këtij produkti importohet nga këto dy vende (Rusia 29% dhe Ukrania 21%). Bujqësia dhe sektori i ndërtimit gjithashtu kanë filluar të ndjejnë pasojat e krizës pasi 30% e plehrave kimikë importohen nga Rusia dhe 25% e hekurit të ndërtimit importohet nga Rusia dhe Ukrania (8.5% nga Rusia dhe 17% nga Ukraina). Sipas të dhënave zyrtare importet nga Rusia në muajin mars ranë me 30% krahasuar me të njëjtin periudhë të vitit të kaluar, ndërsa ato nga Ukraina u përgjysmuan. Vështirësitë e furnizimeve të drejpërdrejta nga këto dy vende, por dhe rritja e çmimeve të naftës, gazit dhe energjisë elektrike në tregjet globale çuan në rritjen e çmimeve të të gjitha produkteve në vend.
Zyrtarët thonë se ekonomia gjatë vitit të kaluar u rrit me 8.5% të prodhimit të brendshëm bruto, duke riparuar ndjeshëm pasojat e pandemisë së koronavirusit. Por situata e re e krijuar nga agresioni rus në Ukrainë, sipas tyre e vë sërish në vështirësi atë dhe parashikimi i rritjes konomike nga 4 ulet në 3.2% për vitin 2022.
“ Ne po mundohemi bashkërisht me bizneset në mënyrë që të gjejmë tregje për të zëvendësuar ofertën. Megjithatë e gjithë bota do të vazhdojë të jetë e ndikuar nga çmimet e larta duke qenë se Rusia dhe Ukraina janë prodhues të vajit të lulediellit të grurit, të imputeve bujqësore. Sot ajo që po mbillet kushton më shtrenjt se një vit më parë. Çmimet do të vijojnë të jenë të larta për këtë vit dhe mbase dhe për vitin që vjen”- tha për Zërin e Amerikës Delina Ibrahimaj, Ministre e financave dhe ekonomisë.
Ekspertë të fushës së ekonomisë i sugjerojnë qeverisë dhe marrjen e masave afatmesme nëse lufta në Ukrainë vijon.
“Se si ekonomia shqiptare do të rezistojë, duhet parë në disa aspekte. E para, se cilat do të jenë mekanizmat e menjëhershëm të qeverisë, që ajo i ka shfaqur përmes paketës së rezistencës sociale, dhe e dyta në afatin e mesëm, se çfarë do të bëjnë politikat e brendshme për të rialokuar burime të cilat nxisin vlerën e shtuar në ekonomi”- tha për Zërin e Amerikës Enton Duro, ekspert i ekonomisë.
Qeveria ndërkohë ka parashikuar dhe skenarin më pesimist, për ekonominë në vend, në varësi të zhvillimeve në tregjet botërore.
“Edhe skenari me pesimist ka një rritje pozitive të ekonomisë për këtë vit, ndonëse niveli i çmimeve mendohet të jetë më i lartë se sa ai që parashikojmë në këtë moment. Eshte e vështirë të parashikosh çfarë do të ndodhë në një periudhë pasigurie ku jemi të ndikuar nga një krizë globale. Vetëm për përfundimit të konfliktit, do të ketë një qartësi për ecurinë e tregjeve dhe zhvillimet e mëtejshme”- tha Delina Ibrahimaj, Ministre e financave dhe ekonomisë.
Zyrtarët kanë njoftuar se po studiojnë marrjen e një vendimi sipas të cilit familjet që shpenzojnë më shumë se 700 kwh energji në muaj, mbi këtë fashë ta pagujanë atë më shtrenjt. Ekonomia shqiptare po përballet për të tretin vit me radhë me disa sfida pas krizës që shkaktoi pandemia e koronavirusit. Produktivi i ulët sipas ekspertëve, e bën atë më të ekspozuar edhe ndaj krizës së fundit të shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë si dhe masat për amortizimin e saj edhe më të vështira.