Lidhje

“Në emër të Amerikës”, një ekspozitë për 75 vjetorin e largimit të misionit amerikan nga Shqipëria dhe diktaturën që pasoi


Në Tiranë, u çel sot ekspozita “Në emër të Amerikës”, për të kujtuar 75 vjetorin e largimit të Misionit Diplomatik Amerikan nga Shqipëria.

Me këtë ngjarje nisi izolimi i plotë i regjimit komunist me demokracitë perëndimore, si edhe dënimi i gjithë qytetarëve pro-amerikanë.

Ekspozita, e vendosur në sheshin Skënderbej pranë Muzeut Historik Kombëtar, përmban dokumenta arkivore dhe fotografi mbi marrëdhëniet shqiptaro-amerikane pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.

“Në emër të Amerikës”, një ekspozitë për 75 vjetorin e largimit të misionit amerikan nga Shqipëria dhe diktaturën që pasoi
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:34 0:00

Studiues dhe diplomatë pohuan në ceremoni rëndësinë e madhe që ka për shoqërinë shqiptare ndriçimi i krimeve të diktaturës komuniste.

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë bë bashkëpunim me Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit çelën sot ekspozitën “Në emër të Amerikës”, në përkujtim të 75 vjetorit të largimit të misionit amerikan nga Shqipëria.

Ekspozita në sheshin Skënderbej përshkruan me foto dhe dokumenta angazhimin e SHBA-ve pas Luftës së Dytë Botërore për zhvillimin e Shqipërisë si dhe krimet e diktaturës komuniste, që izoloi plotësisht vendin nga vendet demokratike perëndimore.

Në ceremoni mori pjesë edhe Viktor Adami, djali i Loni Adamit, ish sekretar shqiptar i misionit amerikan në Shqipëri, i cili u vra në tortura dhe u zhduk nga regjimi komunist.

“Njëlloj si babai im, regjimi komunist dënoi rreth 5 mijë intelektualë shqiptarë. Familjet e tyre vuajtën gjatë më pas pasojat traumatike që shkaktoi regjimi komunist. Pas largimit të misionit amerikan, Loni Adami u torturua deri në vdekje dhe trupi i tij u hodh në bregun e lumit dhe nuk është gjetur ende” - tha zoti Adami.

Loni Adami nuk ishte i vetmi, që diktatura komuniste akuzoi si bashkëpunëtorë të SHBA-ve, duke i vrarë dhe burgosur me dhjetëra e qindra intelektualë dhe qytetarë të thjeshtë si kundërshtarë të regjimit për motive politike.

Drejtuesja e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, Jonila Godole thotë se harresa e këtyre krimeve të diktaturës do të ishte po ashtu një krim, ndaj brezat e rinj duhen informuar për ngjarjet tragjike të asaj kohe.

“Kemi lista të përndjekjes së këtyre personave, foto dhe dokumenta, që nuk njihen nga publiku i gjerë. Shpresojmë të japim një kontribut në njohjen e historisë dhe reflektimin e të rinjve se diktaturat nuk janë të rralla dhe mund të krijohen nga momenti në moment” - thotë zonja Godole.

Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, tha se historia e lidhjeve dhe marrëdhënieve shqiptaro-amerikane është unike, por ishin kohët e vështira që e detyruan popullin shqiptar të izolohej, misioni amerikan u mbyll dhe njerëzit u ndanë. Ajo kujtoi edhe kohët e luftës së parë botërore, kur fuqitë e mëdha donin ta ndanin shqipërinë midis tyre.

“Jam krenare si amerikane, që presidenti amerikan Wodrow Wilson ngriti zërin dhe tha “Jo! Shqipëria është një shtet dhe një komb, një vend sovran dhe i pavarur. SHBA i qëndron gjithnjë këtij vendimi; se Shqipëria meriton të jetë dhe të respektohet si një vend i lirë dhe i pavarur” - tha ambasadorja amerikane, Kim.

Ajo tregoi se si ka vizituar burgjet e diktaturës komuniste, e cila ndërtoi mijëra bunkerë të panevojshëm.

“Komunistët përndoqën njerëzit që punuan për ambasadën amerikane si dhe shumë persona të tjerë që e donin amerikën, lirinë dhe zhvillimin demokratik, sepse regjimi donte ta izolonte popullin shqiptar fizikisht dhe psikologjikisht nga perëndimi, duke e mbyllur në kampe përqëndrimi, ku u shënua një histori e persekutimit dhe brutalitetit, por edhe një histori e rezistencës dhe dinjitetit” - tha ambasadorja Kim.

Drejtuesi i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Çelo Hoxha, tha se diktatura komuniste ishte e pamëshirshme në çdo detaj të qëndrimeve të qytetarëve ndaj saj.

“Komunistët ndanë gjithçka në bardh e zi. Pjesa e errët për ta ishin vendet demokratike perëndimore. Njerëzit burgoseshin dhe dënoheshin rëndë vetëm pse dëgjonin radion “Zëri i Amerikës”, dhe pse thoshin diku në rrugë rastësisht ndonjë fjalë të mirë për Amerikën” - tha zoti Hoxha.

Ndërsa bashkautori tjetër i ekspozitës, historiani Artan Hoxha, theksoi se këto përvjetorë të krimeve të diktaturës janë raste ku jetëm duhen vlerësuar viktimat për cilësitë e tyre të larta, por edhe folur edhe për persekutorët e tyre dhe autorët e krimeve të regjimit.

“Ky është një lloj forum kur ne reflektojmë për të shkuarën. Shumë prej nesh mund të jenë prekur nga regjimi, mund të kemi të vrarë e të dënuar për motive politike. Por nuk duhet të harrojmë asnjëherë se nuk ka vetëm të persekutuar, por ka edhe persekutues. Nisur nga kjo duhet të bëjmë një reflektim të thellë shoqëror mbi atë që kanë ndodhur për të kuptuar veten. Kjo ekspozitë i shërben këtij procesi reflektimi” - tha historiani Hoxha.

Pas afro gjysmë shekulli diktature komuniste në Shqipëri, marrëdhëninet diplomatike u rivendosën në vitin 1991.

Këtë vit u shënua edhe 30 vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, të cilat vlerësohen si shumë të mira në shumë fusha, falë partneritetit strategjik dypalësh si dhe në aspektin euro-atlantik.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG