Thumana dhe Durrësi tërhoqën vëmendjen më të madhe për shkak të humbjeve njerëzore, po edhe në periferitë kënetore të Tiranës dëmet e tërmetit nëpër pallate janë të shumta.
Në lagjen e ish-kombinatit tekstil një seri pallatesh janë vlerësuar si të pabanueshëm dhe banorëve u është kërkuar të largohen.
Lulishtet midis pallateve janë mbushur me cadra për ata banorë që kanë frikë të hyjnë nëpër shtëpitë e tyre.
Ata thonë se shpjegimet e inxhinierëve të bashkisë ishin të pamjaftueshme dhe se vlerësimet ishin sipërfaqësore.
Banorët pohojnë se kanë nevojë për një rivlerësim të gjendjes së pallateve të tyre, mundesisht nga inxhinierë shqiptarë të shoqëruar nga inxhinierë të huaj, në mënyrë që inspektimi të jetë sa më bindës.
Në lagjen e kombinatit janë kontrolluar pothuaj të gjitha ndërtesat janë vëzhguar një herë nga inspektorët, por, sipas banorëve, pas disa vlerësimeve dhe këshillave gojore, ata nuk kanë lënë dokumente me shkrim mbi gjendjen e banesave.
Në këtë lagje banojnë ende familje që kanë marrë pjesë edhe vet në ndërtimin e pallateve. Ata flasin për gabime të hershme qysh nga themelet e ndërtesave dhe deri sot kur tërmeti godit fort Durrësit e Thumanës, edhe kryeqytetin me periferitë e tyre.
Në shumicën e shtëpive të dëmtuara tani banojnë familjarët më të moshuar, po mes tyre ka edhe fëmijë dhe adoleshentë; të gjithë kanë nevojë për më shumë siguri, sqarime më të thelluara dhe vlerësime më bindëse mbi gjendjen e pallateve të tyre.
Edhe pse pa humbje njerëzore, kryeqyteti është një nga zonat më shumë të dëmtuara materialisht prej tërmetit, së bashku me Durrësin, sepse në kto dy qenra janë vendosur pjesa më e madhe e banorëve të gjithë vendit.
Kostot e riparimeve dhe rindërtimeve, të dukshme dhe të padukshme kanë për të qenë të jashtëzakonshme për arkën e dobët të familjeve dhe të shtetit.
Por gjithçka pritet të nisë mbarë duke rifituar besimin e banorëve, që si thonë edhe vet ata, para se të nisin suvatimet, kanë nevojë për sqarime të sigurta dhe një fjalë të ngrohtë për të ardhmen në prag të dimrit.