Lidhje

Kundërthënie nëse gjyqi ndaj ish presidentit Trump është kushtetues


Tri herë në historinë amerikane, Dhoma e Përfaqësuesve ka ngritur akuza ndaj një presidenti dhe çdo herë Senati ka votuar për ta shfajësuar atë - së fundmi një vit më parë kur ish presidenti Donald Trump u akuzua se i bëri trysni presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenzkiy, për të hetuar rivalin politik dhe ish nënpresidentin Joe Biden.

Zoti Trump bëri histori përsëri këtë muaj, kur ai u bë presidenti i parë ndaj të cilit u ngritën dy herë akuza për shkarkim, kësaj here i akuzuar për nxitjen e mbështetësve të tij që të sulmojnë Kapitolin më 6 janar për të parandaluar Kongresin që të certifikojë fitoren e zotit Joe Biden.

Akuza e re për nxitjen e një kryengritjeje u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve më 13 janar, një javë para se ish presidenti Trump të linte detyrën. Por, bashkë me vendimin që senati të fillojë gjyqin më 9 shkurt, po hapen kundërthënie kushtetuese nëse Senati mund të gjykojë dhe dënojë një ish-president.

Çështja nuk është thjeshtë akademike. Të mërkurën, 45 nga 50 republikanët e Senatit bënë një përpjekje të pasuksesshme për të penguar gjyqin ndaj ish presidentit Trump duke vënë në pikëpyetje kushtetutshmërinë e tij.

Arsyetimi i tyre: kur një president largohet nga detyra, ai shndërrohet në një qytetar privat dhe nuk mund të gjykohet dhe dënohet edhe nëse ai tashmë është akuzuar nga Dhoma e Përfaqësuesve. Ky është një argument që avokatët e zotit Trump pritet të shfrytëzojnë ndërsa ushtrojnë trysni për shfajësimin e ish-presidentit.

"Qytetarët privatë nuk shkarkohen”, tha senatori Rand Paul, një republikan nga Kentucky dhe një mbështetës i vendosur i zotit Trump. "Shkarkimi bëhet për heqje nga detyra, dhe i akuzuari këtu tashmë është larguar nga zyra".

Ndonëse çështja nëse një ish president mund të gjykohet mbetet e pazgjidhur, edhe ata që kundërshtojnë kushtetutshmërinë e tij e pranojnë se ka hapësirë për debat.

"Ka një larmi mendimesh, megjithëse pothuajse të gjithë studiuesit që kanë shkruar për këtë çështje kanë thënë se është një hapësirë e ngushtë”, shkroi të mërkurën Jonathan Turley, një profesor konservator i drejtësisë në Universitetin George Washington, pas informimit të senatorëve republikanë mbi aspektet kushtetuese dhe historike të shkarkimit.

Keith Whitington, një profesor i politikës në Universitetin e Princetonit, tha se nuk ka konsensus për këtë çështje midis studiuesve, pasi që pakkush i kishte shqyrtuar pikëpyetjet para akuzave të ngritura për herë të dytë ndaj zotit Trump dhe polemikave kushtetuese pasuese.

"Kjo është nga ato llojet e pikëpyetjeve që janë në periferinë e fuqisë së akuzave për shkarkim dhe madje edhe njerëzit që kanë shkruar për këtë fuqi, nuk priren të shkruajnë për këtë çështje specifike", tha profesori Whitington në një intervistë.

Kushtetuta amerikane thotë se "presidenti, nënpresidenti dhe të gjithë zyrtarët civilë të Shteteve të Bashkuara… do të hiqen nga detyra" nëse dënohen për "tradhti, ryshfet, ose krime të tjera të rënda dhe kundërvajtje".

Sipas interpretimit të zotit Turley, fjala "presidenti" do të thotë drejtuesi aktual i Shtëpisë së Bardhë dhe sugjeron që vetëm një president që është në detyrë, mund të akuzohet për shkarkim.

"Në gjyqin e dytë ndaj zotit Trump, president do të jetë Joe Biden, jo Donald Trump", shkroi zoti Turley.

Për më tepër, profesori i Harvardit, Alan Dershowitz, vë në dukje se në rastet e gjykimit, Kushtetuta bën thirrje për "heqjen nga posti dhe skualifikimin" nga mbajtja e detyrës, jo "heqjen nga posti OSE skualifikimin". Me fjalë të tjera, skualifikimi nënkupton largimin dhe pasi zoti Trump nuk u hoq nga detyra, ai nuk është subjekt i skualifikimit.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, një demokrate nga Kalifornia, tha se anëtarët e Dhomës nuk kishin zgjidhje tjetër përveçse të akuzonin zotin Trump dhe të kërkojnë dënimin e tij, si një mënyrë për ta parandaluar atë që të kandidojë sërish, pasi që ish nënpresidenti Mike Pence, refuzoi thirrjet e demokratëve që të aktivizojë amendamentin e 25-të të Kushtetutës për të hequr zotin Trump nga detyra. Ish presidenti Trump ka lënë të kuptohet se dëshiron të kandidojë për t’u rizgjedhur në vitin 2024.

Studiues të tjerë argumentojnë se heqja dhe skualifikimi janë dy "aspekte" të veçanta të fuqisë së shkarkimit, që do të thotë se një president mund të skualifikohet nga mbajtja e detyrës në të ardhmen edhe nëse nuk është detyruar të largohet nga detyra.

Profesori Whitington vuri në dukje se Kushtetuta nuk e "ndalon në mënyrë të qartë" gjykimin e një ish-presidenti. As skualifikimi nuk varet nga "të jesh aktualisht në detyrë në kohën e gjykimit", tha ai.

Një çështje tjetër diskutimesh midis studiuesve që debatojnë për kushtetutshmërinë e gjykimit të një ish-presidenti është heshtja e Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara rreth kësaj çështjeje.

Sipas profesorit Whitington, hartuesit e kartës amerikane huazuan "fuqinë e fajësimit" nga praktika parlamentare britanike dhe kushtetutat e shtetit që lejuan fajësimin dhe gjykimin e ish-zyrtarëve.

Sidoqoftë, për profesorin Dershowitz, mungesa e një referencë për fajësimin e një ish-presidenti sugjeron që hartuesit ishin kundër kësaj ideje.

Ndërsa asnjë ish-president nuk është gjykuar kurrë më parë, ka një precedent për gjykimin e një ish-zyrtari të nivelit të lartë. Në vitin 1876, Senati gjykoi ish Sekretarin e Luftës, William Belknap, me akuza për korrupsion pasi vendosi që kishte juridiksion mbi ish-zyrtarët.

Megjithëse votimi përfundimtar nuk siguroi shumicën e dy të tretave të kërkuara për të dënuar zotin Belknap, disa studiues e kanë shfrytëzuar çështjen për të argumentuar se Senati ka juridiksion mbi një ish president.

Por, profesori Dershoëitz tha se çështja Belknap dhe gjyqi ndaj zotit Trump nuk janë të ngjashëm. Së pari, zoti Belknap dha dorëheqjen para se të fajësohej. Së dyti, ai nuk ishte president. Dhe së treti, ai u lirua përfundimisht "kryesisht" sepse shumë senatorë besuan që Senati nuk kishte fuqi për të gjykuar një ish-anëtar të Kabinetit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG