Lidhje

SHBA-ja organizon takimin për demokracinë, mes pikëpyetjeve për problemet e brendshme


Presidenti amerikan, Joe Biden, do të jetë mikpritësi i një Samiti virtual për Demokracinë, që do të bashkojë udhëheqësit botërorë, shoqërinë civile dhe sektorin privat, për të "përcaktuar një agjendë afirmative për ripërtëritjen e demokracisë dhe për të trajtuar kërcënimet më të mëdha me të cilat përballen demokracitë sot”.

Samiti, i cili vazhdon të premten, është pjesë e zotimit presidentit Biden gjatë fushatës për të forcuar demokracinë në mbarë botën, në një kohë kur qeveritë autokratike janë në rritje. Një samit me pjesëmarrje fizike është planifikuar për vitin e ardhshëm, por një zyrtar i lartë i administratës i tha Zërit të Amerikës se samiti nuk pritet të vazhdojë përtej administratës Biden.

Cili është qëllimi?

Qëllimet e samitit janë forcimi i demokracisë, mbrojtja kundër autoritarizmit, lufta kundër korrupsionit dhe respektimi i të drejtave të njeriut.

Sipas administratës së presidentit Biden, udhëheqësit do të inkurajohen të ndërmarrin "veprime dhe angazhime konkrete për reforma të brendshme kuptimplota" në përputhje me këto synime.

Është e paqartë se sa do të shndërrohen ne veprime angazhimet e pjesëmarrësve. Ndërsa zotimet e tyre nuk do të jenë ligjërisht të detyrueshme, qeveritë do të kenë ende nevojë për mbështetjen e zgjedhësve të tyre dhe burime për t'i shndërruar ato në veprime përtej fjalëve.

“Nëse e shikoni agjendën, është vërtet abstrakte", tha Stacie Goddard, profesoreshë e shkencave politike në Kolegjin Wellesley. Zonja Goddard i tha Zërit të Amerikës se ajo dëshiron të shohë një qasje më praktike, siç janë grupet e punës për sigurinë e zgjedhjeve.

Steven Feldstein, një bashkëpunëtor i lartë në Carnegie Endowment for International Peace, tha se takimi "tregon një shkëputje mjaft domethënëse nga administrata (e ish presidentit Donald) Trump, kështu që është e rëndësishme. Unë mendoj se koncepti i ‘vitit të veprimit’ që e ka shpallur administrata Biden, do të jetë vërtet një provë për të parë nëse një vit më vonë ky angazhim do të funksionojë”.

“Mobilizimi, ndërgjegjësimi dhe rritja e përqendrimit kolektiv në këto çështje të rëndësishme të demokracisë kanë qenë tashmë hapa shumë të dobishëm që ka ndërmarrë administrata e zotit Biden”, thotë Christopher Walker nga organizata “National Endowment for Demacracy”.

Zoti Walker tha se pjesë e synimeve të samitit është nxitja e bashkëpunimit midis qeverive dhe shoqërisë civile edhe në çështje të tilla si korrupsioni ndërkombëtar.

Në një konferencë me gazetarët javën e kaluar, zyrtarë të lartë të administratës folën për një listë vendesh që janë zotuar të punojnë në bashku për të frenuar eksportet e teknologjisë që mund të përdoret nga qeveritë represive për të shkelur të drejtat e njeriut.

Kush merr pjesë?

Më shumë se 100 vende janë ftuar, duke përfshirë demokracitë liberale, demokracitë më të dobëta dhe madje disa shtete me karakteristika autoritare.

Sipas Indeksit të Demokracisë të organizatës Freedom House, 77 vende të ftuara renditen si "të lira" ose plotësisht demokratike; 31 vende si "pjesërisht të lira” dhe tre vende renditen si “jo të lira”.

Lista e të ftuarve ka ngritur pikëpyetje - për shembull, pse u ftuan disa vende dhe jo të tjera. Bosnja e Hercegovina, e cila ka 53 pikë në treguesin e organizatës Freedom House, nuk u ftua, por Kosova, me 54 pikë u ftua së bashku me nëntë vende tjera të Ballkanit. Pakistani, i cili ka 37 pikë në tregues hyri në listë, ndërsa Shri Lanka, me 56 pikë, jo.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, i tha Zërit të Amerikës se një ftesë nuk nënkupton vulë miratimi nga Shtetet e Bashkuara.

Zoti Feldstein tha se disa faktorë luajnë rol në përcaktimin e listës së të ftuarve, të tilla si dinamikat rajonale dhe interesat strategjike të SHBA-së, duke përfshirë përdorimin e samitit për të inkurajuar lëvizjen e një vendi drejt demokracisë.

Administrata ka ftuar gjithashtu shtete shumë të vogla. Rreth 30 vende me popullsi me më pak se 1 milion do të marrin pjesë.

A ka samiti për qëllim të mbledhë botën kundër Rusisë dhe Kinës?

Ndonëse samiti nuk ka të bëjë vetëm me mbledhjen e botës kundër Rusisë dhe Kinës, ai është një mundësi për presidentin Biden të mobilizojë mbështetjen kundër asaj që ai e sheh si rritje të ndikimit autoritar rus dhe kinez, tha zonja Goddard.

“Është një version i butë i qëndrimit ‘je me ne ose je kundër nesh’”, tha ajo. "Të bashkosh demokracitë është në shumë mënyra një strategji që është krijuar për të tërhequr një vijë midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj dhe Rusisë dhe Kinës dhe me të vërtetë një përpjekje për t’u bërë thirrje atyre shteteve që të zgjedhin”.

Zonja Goddard tha se kjo qasje po i bën disa shtete të ndjehen në pozitë të pakëndshme, përfshirë Korenë e Jugut dhe Gjermaninë, që varen nga Kina për përparimin e tyre ekonomik. Ftesa për Tajvanin është një burim i veçantë zhgënjimi për Kinën, e cila e konsideron ishullin një provincë të shkëputur.

Të mërkurën, një ditë përpara samitit, një zyrtar i lartë pakistanez, i cili nuk pranoi të fliste hapur, konfirmoi për Zërin e Amerikës se Islamabadi nuk do të marrë pjesë. Zyrtari tha se Pakistani "mbështet me vendosmëri" Kinën dhe pjesëmarrja e Tajvanit në samitin për demokracinë, nuk është në përputhje me qëndrimin e Islamabadit.

"Ne do të vazhdojmë të angazhohemi si me pjesëmarrësit e samitit ashtu edhe me jo-pjesëmarrësit për të trajtuar mënyrat për të forcuar demokracinë, për të nxitur respektimin e të drejtave të njeriut dhe për të luftuar korrupsionin, pavarësisht nëse kjo punë ndodh brenda apo jashtë kuadrit të samitit", i tha Zërit të Amerikës një zyrtar i lartë i administratës së zotit Biden, në përgjigje ndaj qëndrimit të Pakistanit.

Javën e kaluar, dy ambasadorë në Shtetet e Bashkuara, Anatoly Antonov i Rusisë dhe Qin Gang i Kinës, botuan një artikull të rrallë të përbashkët, duke e cilësuar samitin si "një produkt të dukshëm të mentalitetit të Luftës së Ftohtë", që do të "ngjallë konfrontim ideologjik dhe një përçarje në botë, duke krijuar 'vija ndarëse' të reja".

Duke iu përgjigjur kritikave se samiti është përçarës, zëdhënësja Psaki tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë gjithmonë të punojnë për të forcuar demokracinë në mbarë botën.

"Nuk ka asgjë për të cilën ne do të kërkojmë ndjesë”, tha ajo.

Kina është kundërpërgjigjur me samitin e saj të organizuar me nxitim, të quajtur "Forumi Ndërkombëtar për Demokracinë: Vlerat e përbashkëta njerëzore", në fillim të dhjetorit, me tema si: "origjina pluraliste e demokracisë" dhe "pikëpamja e Kinës për demokracinë".

A nuk ka SHBA-ja problemet e saj me demokracinë?

Për herë të parë, SHBA-ja u përcaktua si një "demokraci në prapakthim” në raportin e vitit 2021 të publikuar në nëntor nga Instituti Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore.

Organizata evropiane uli pikët në shkallën e demokracisë për Shtetet e Bashkuara, duke vënë në dukje se pika e kthesës historike ndodhi kur ish presidenti Trump, pa ndonjë mbështetje, vuri në pikëpyetje rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, gjë që kulmoi me sulmin në ndërtesën e Kapitolit me 6 janar, nga mbështetësit e ish presidentit.

Pesimizëm i ngjashëm mbi demokracinë amerikane pasqyrohet në një anketë të re të Institutit të Politikës së Shkollës Kennedy të Universitetit të Harvardit. Sipas anketës, 52 për qind e të rinjve në Shtetet e Bashkuara besojnë se demokracia e vendit është ose "në telashe" ose "e dështuar". Vetëm 7 për qind thanë se është "e shëndetshme”.

Pati edhe të tillë që vunë në pikëpyetje nëse është e moralshme që Shtetet e Bashkuara të organizojnë samitin.

“Historia e demokracisë së Shteteve të Bashkuara është gjithçka tjetër përveçse e lavdishme. Sulmi mbi Kapitolin është ende i freskët në kujtesën e të gjithëve", tha zëvendësministri i Jashtëm kinez, Le Yucheng.

Administrata amerikane thotë se është pikërisht aftësia për të pranuar papërsosmëritë dhe për t'u përballur me to në mënyrë transparente, një forcë e cila është unike për demokracitë, të cilën samiti synon ta shpërfaqë.

XS
SM
MD
LG