Në një natë të mbushur me figura të famshme në Uashington, Instituti Amerikan i Filmit dhe Biblioteka e Kongresit festuan 50 vjet bashkëpunim në ruajtjen e filmave.
Aktori Morgan Freeman, themeluesi i Institutit Amerikan të Filmit George Stevens dhe udhëheqësja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve Nancy Pelosi, ishin ndër figurat e famshme në ngjarjen për të nderuar gjysmë shekulli partneritet mes Institutit dhe Bibliotekës së Kongresit.
“Mendoj se Instituti Amerikan i Filmit është i rëndësishëm për të gjithë ne, sepse qëllimi i tij është ruajtja e filmit amerikan” tha aktori Morgan Freeman.
Kur Instituti filloi procesin e ruajtjes në vitin 1967, më pak se 1/10 e filmave amerikanë të prodhuar në fillim të shekullit të 20-të i kishin mbijetuar kohës, thotë George Stevens.
“Dhe ne, duke punuar me Bibliotekën e Kongresit, bëmë një operacion të madh kërkimi dhe shpëtimi dhe u ruajtën disa filma. Biblioteka i ka riprodhuar ato në arkivat e filmit, prandaj tani, në koleksionin e Institutit këtu gjenden 37 mijë filma” thotë themeluesi i Institutit Amerikan të Filmit.
Ky është një proces i vazhdueshëm, thotë Bibliotekarja e Kongresit, Carla Hayden.
“Filmat e hershëm dhe disa që janë të rrallë dhe me të vërtetë në gjendje të keqe cilësore, janë ruajtur për brezat e ardhshëm në Culperer, Virxhinia, ku gjendet një vend i posaçëm për të ruajtur filmat”, thotë zonja Hayden.
Dy orë larg nga Washingtoni, në ndërtesën e madhe të Bibliotekës për ruajtjen e filmit, George Willeman shpjegon sfidat që lidhen me ruajtjen e filmave më të vjetër të nitrateve nga shkatërrimi.
“Acidi nitrik që është pjesë e filmit fillon ta shkatërrojë atë pas kaq shumë vitesh, veçanërisht nëse ka diçka të gabuar me të, si për shembull, nëse nuk është përpunuar mirë, është prodhuar keq ose ishte mbajtur në vende ose me lagështi, ose shumë të nxehta, dhe pastaj filmi do të fillojë të lëngëzojë” thotë ai.
Teknikët e transferojnë filmin nitrat në një material lloj poliestre, më të mirë për filmin, i cili – nëse ruhet siç duhet – mund të zgjasë për qindra vjet. Dhe me konvertimin dixhital, siç thotë Morgan Freeman, arrihen audienca më të gjera.
“Jo vetëm që po arkivojnë këto filma, por po i qarkullojnë edhe në kanale televizive, në stacione televizive. Filmat janë filma. I vetmi ndryshim i madh mes atyre nga rinia juaj dhe filmave nga rinia ime dhe tani është se nuk është e nevojshme të shkohet në kinema për t’i parë” thotë aktori.
Por, George Willeman thotë se ruajtja e filmit në formë dixhitale mund të mos jetë e efektshme.
“Si ruhet materiali dixhital? Ka vetëm disa mënyra të ndryshme për ta ruajtur atë – mund të ruhet magnetikisht ose optikisht ose në një kartë, por asnjë nga këto metoda nuk zgjat përgjithmonë. Diçka mund t’i prishë filmat dhe pastaj zhduken” thotë ai.
Nëse ruhen në formën e tyre origjinale ose restaurohen, fuqia e filmave është e përjetshme, thotë regjizorja Lesli Linka Glatter.
“Filmi është një pjesë e madhe e historisë sonë. Dhe, nëse nuk e çmojmë dhe e ruajmë atë pjesë, nuk do ta kemi më. Fakti që Instituti Amerikan i Filmit ka qenë kaq i dedikuar për këtë është shumë e rëndësishme” thotë ajo.
Facebook Forum