Në Shtetet e Bashkuara, rritja ekonomike u përshpejtua në janar, shkurt dhe mars duke kapur një shifër vjetore 2 presje 5 për qind zgjerimi.
Një raport i Departamentit të Tregtisë thotë se kjo rritje është shumë më e shpejtë se sa ajo e disa muajve të fundit të vitit 2012. Por ekonomistët kishin parashikuar rritje më të lartë në tremujorin e parë dhe çmimet e aksioneve ranë menjëherë pas publikimit të raportit.
Rritja e shpenzimeve të konsumatorëve ndikoi në këtë rritje ekonomike, e cila u ngadalësua nga shkurtimet në shpenzimet qeveritare. Ngërçi rreth buxhetit federal shkaktoi shkurtime kaotike të shpenzimeve qeveritare të cilat pritet të thellohen ndërsa gjendja vazhdon e tillë.
Kjo mund të jetë një arsye përse konsumatorët amerikanë u treguan më pak optimistë në prill. Një raport ekonomik nga Universiteti i Miçiganit tregon se besimi i konsumatorit ka rënë këtë muaj.
Ndërkohë, ekspertët e qeverisë pritet të publikojnë shkallën e papunësisë , e cila parashikohet të qëndrojë në 7.6 përqind. Raporte të tjera do të njoftojnë mbi prodhimin, inflacionin dhe tregun e shtëpive.
Ekonomistët kishin parashikuar rritje më të lartë në 3-mujorin e parë dhe çmimet e aksioneve ranë menjëherë pas publikimit të raportit të Departamentit të Tregtisë