Lidhje

OKB: Në Ukrainën lindore ka shkelje të të drejtave të njeriut


Një zyrtar i të drejtave të njeriut i OKB-së tha të premten se në rajonet nën kontrollin e separatistëve rebelë në lindje të Ukrainës mbizotëron një ndjenjë frike dhe terrori. Ivan Simonovic i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se në atë zonë janë kryer shkelje seriose të të drejtave të njeriut, përfshirë tortura, ekzekutime dhe rrëmbime.

Ndihmësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për të drejtat e njeriut Simonovic, tha se që nga prilli, qeveria ukrainase ka shënuar mbi 900 rrëmbime nga grupe të armatura, përfshirë shumë gazetarë, politikanë, studentë dhe madje edhe vëzhgues ndërkombëtarë nga OSBE-ja:

"Individët e rrëmbyer janë përdorur si monedha këmbimi për të liruar anëtarët e grupit të armatosur të ndaluar nga qeveria, për të zhvatur para, ose prona dhe për të kryer punë të detyruar, si gërmim kanalesh, apo barrikadash, pranë epiqendrës së dhunës," - tha ai.

Duke folur me Këshillin përmes lidhjes me video nga Kroacia, zoti Simonovic tha se pasi autoritetet ukrainase filluan të rimarrin kontrollin e disa rajoneve në lindje, shumë pengje janë liruar. Por ai tha se mbi 450 persona figurojnë ende të humbur.

Ai po ashtu paralajmëroi të gjitha palët të veprojnë sipas rregullave dhe të shmangin viktimat mes civilëve, duke theksuar se mbi 1 mijë e 500 njerëz janë vrarë që nga mesi i muajit prill.

I dërguari rus në Kombet e Bashkuara, Vitaly Churkin e kritikoi raportin si "një shembull therës i retorikës politike, ku faktet dhe përfundimet janë përpunuar për t'iu përshtatur kërkesave të caktuara politike."

Me vazhdimin e shkallëzimit të krizës, po rritet shqetësimi ndërkombëtar, se Rusia mund të përpiqet ta shtojë më tej kontrollin e Ukrainës. Të enjten, kreu i NATO-s i bëri thirrje Moskës, "të tërhiqet nga buza e greminës", duke thënë se presidenti Vladimir Putin po grumbullon mijëra trupa luftarake në kufi. Ai po ashtu ju referua njoftimeve se Moska mund të dërgojë ushtarë në Ukrainën lindore, me misionin e "forcave paqeruajtëse".

Ambasadorja amerikane në OKB, Samantha Power, vuri në pikëpyetje korridoret e propozuara humanitare për rajonet e prekura nga dhuna të Ukrainës lindore. Ajo tha se çdo ndihmë do të dërgohej nga organizatat humanitare ndërkombëtare, si Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq:

"Prandaj çdo ndërhyrje e mëtejshme e njëanshme nga Rusia në territorin e Ukrainës, nën maskën se po çon ndihma humanitare, do të ishte tërësisht e papranueshme dhe tepër alarmuese. Dhe do të shihej si një pushtim i Ukrainës," - tha zonja Power.

I dërguari i Ukrainës, Oleksandr Pavlychenko, i tha Këshillit se Rusia ka bombarduar pozicione ushtarake pranë kufirit dhe se avionët luftarakë dhe ata pa pilot të Moskës shkelin çdo ditë hapërsirën ajrore të vendit:

"Ka mjaft arsye për të pritur një pushtim të hapur dhe në shkallë të gjerë të rtupave ruse në Ukrainë, nën maskën e një operacioni paqeruajtës," - tha ai.

Ai paralajmëroi se çdo hyrje e trupave ruse në territorin ukrainas, pa pëlqimin e qeverisë ukrainase, do të konsiderohej si një agresion dhe do të trajtohej si i tillë.

XS
SM
MD
LG