Presidenti amerikan Donald Trump po merr pjesë në Forumin e Ekonomisë Botërore në rezortin malor të Davosit në Zvicër, që shihet si një takim vjetor i rëndësishëm për elitën botërore. Presidenti Trump pritet të flasë në takim për moton e tij “Amerika e para”, që kërkon ristrukturimin e marrëveshjeve tregtare botërore dhe bëri që Uashingtoni të vendosë ditët e fundit tarifa të reja ndaj disa importeve. Delegatët në Forum mund të përballen me një ndeshje vizionesh lidhur me ekonominë globale.
Për udhëheqësit botërorë të politikës dhe të ekonomisë, Forumi i Ekonomisë Botërore është vendi ku ata takohen me njëri tjetrin.
Këtë vit në Davos mbizotëron një ndjenjë e veçantë: atje ka shkuar Donald Trump – presidenti i parë amerikan në post që merr pjesë në takim, që nga viti 2 mijë, kur atje ishte Bill Clinton.
"Ne besojmë së tepërmi tek dialogu dhe unë mendoj se fakti që presidenti i Shteteve të Bashkuara ka ardhur këtu, nxit një diskutim për një globalizim mbi baza më të drejta.”- thotë Borge Brende, President i Forumit.
Por është pikërisht qëndrimi i Donald Trumpit ndaj globalizimit dhe ndaj tregtisë së lirë, që ka shkaktuar një tension të qartë në prag të fjalimit të tij që mbyll takimin, të premten.
Presidenti nënshkroi të martën një urdhër ekzekutiv që vendos tarifa të reja ndaj importit të makinave larëse dhe paneleve dilelore, duke përsëritur pikëpamjen e tij se sistemi i tanishëm i tregtisë është i dëmshëm për Amerikën.
“Këto masa ekzekutive mbështesin parimin e tregtisë së drejtë dhe i tregojnë botës se Shtetet e Bashkuara nuk do të shfrytëzohen më”, - tha Presidenti Trump.
Kryeministri indian Narendra Modi mbajti të martën fjalimin hapës të forumit. Mesazhi i tij është në kontrast të fortë me atë të Presidentit Trump:
“Forcat e protektonizimit janë duke ngritur krye kundër globalizimit. Qëllimi i tyre është jo vetëm të shmangin vetë globalizimin, por ata duan gjithashtu ta ndryshojnë drejtimin e natyrshëm të zhvillimit”, - tha kryeminsitri indian.
Sikurse zoti Modi mendojnë edhe të tjerë në Davos, përfshirë aleatët europianë të Amerikës dhe udhëheqës të ekonomive të mëdha si Kina, apo Japonia. Pra si do të pritet në takim axhenda e Presidentit Trump “Amerika e para”?
“Është si një përgatitje për një lloj konfrontimi. Unë mendoj se ka për të patur shqetësim, sepse vihet re një lloj ndryshimi në karakterin e sistemit ndërkombëtar të ekonomisë, ose të paktën një lloj ndryshimi në angazhim. Kjo është duke patur një efekt paralajmërues tek disa shtete të tjera, që po shohin për herë e më tepër se ka për të patur më tepër konkurrencë në tregtinë botërore.” – thotë analisti Inderjeet Parmar.
Gjatë fushatës presidenciale, Donald Trump paralajmëroi kundër “këngës mashtruese të globalizimit.”
Presidenti Trump mbërriti të enjten pikërisht në zemrën e globalizimit, me një mesazh të cilin shumë prej pjesmarrësve nuk kanë për ta pëlqyer.
Facebook Forum