Lidhje

Festivali i Teksasit, biznes dhe zbavitje


Konferenca vjetore South by Southwest në shtetin jugor amerikan Teksas mbyllet sot me diskutime, me shfaqje të tjera filmash dhe me më shumë muzikë. Dhjetëra mijëra admirues të muzikës, të filmave, dhe sipërmarrës të teknologjisë kanë mbushur rrugët e qytetit Austin që kur aktiviteti filloi më 13 mars. Biznesi dhe zbavitja kanë marrë gjithnjë e më shumë një shije ndërkombëtare.

Shumë nga njerëzit që vijnë në Austin, të Teksasit, për aktivitetin e përvitshëm South by Southwest, janë më tepër të tërhequr nga festimet dhe muzika. Disa prej tyre vijnë nga shumë larg.

Qyteti Austin konsiderohet si kryeqyteti i muzikës live të botës, dhe gjatë zhvillimit të South by Southwest mund të gjesh muzikë nga e gjithë bota.

Ndër rreth 500 grupe ndërkombëtare ka shumë që mund të luajnë hard rock, por ka edhe muzikantë që luajnë në instrumenta të lashtë kinezë, si dhe një grua nga Pakistani që këndon sipas stilit tradicional folklorik.

Neena Nguyen, banore në Austin, prindërit e së cilës janë vietnamezë dhe rusë, shijon atmosferën kozmopolitane:

“Shumë njerëz kanë ardhur nga vende të ndryshme, dhe më pëlqen që kur ecën rrugës shikon një shumëllojshmëri njerëzish.”

Ajo është rritur në Rusi dhe i pëlqejnë grupet ruse si Mumiy Troll, nga qyteti Vladivostok.

Grupet shpesh përfitojnë nga ekspozimi në South by Southwest, dhe këngëtari kryesor i grupit, Ilya Laguntenko ka shpresa:

“Ka shumë grupe që kanë dalë me sukses dhe shpresojmë të jemi dhe ne të tillë. Prandaj kemi kursyer para që të vijmë në Austin.”

Disa grupe paraqiten aq mirë saqë ftohen të vijnë sërish, si p.sh. grupi gjerman Milky Chance, të cilët kanë edhe simpatizantë këtu që mbajnë mend edhe lirikat e këngëve të tyre.

Shija ndërkombëtare në South by Southwest është e dukshme edhe në shfaqjet e filmave që tërheqin një publik të konsiderueshëm.

Carlos Adriano de Lima Santana është përfaqësues i një kompanie filmash në Sao Paulo, të Brazilit:

“Kemi ardhur të shijojmë festivalin, të dëgjojmë muzikë, dhe të mësojmë për gjërat e reja që dalin këtu.”

Brazili u përfaqësua mirë këtë vit, me rreth 59 kompani pjesëmarrëse, pothuajse dyfishi i vitit të kaluar.

Firma nga gjithë bota ngrenë këtu stenda për të demonstruar produktet e tyre.

Organizatorët e aktivitetit thonë se më shumë se 72 mijë njerëz u regjistruan për konferencën e këtij viti.

Banorët vendas ankohen për turmat dhe trafikun.

Por, qyteti vlerëson se kontributi ekonomik për këtë vit është në shumën 315 milionë dollarë.

Qyteti Austin, me ekonominë e tij me ritëm të lartë zhvillimi dhe me kulturën gjallëruese, është një ndër qytetet me nivelin më të shpejtë të rritjes në Shtetet e Bashkuara, dhe aktiviteti South by Southwest rrit imazhin e qytetit në skenën botërore.

XS
SM
MD
LG