Lidhje

Dështon bashkimi i firmave


Kompanitë farmaceutike Pfizer dhe Allergan hoqën dorë nga plani për bashkim, pasi Departamenti i Thesarit të SHBA njoftoi rregulla të reja për të shkurajuar riorganizimin e brendshëm të korporatave me synim uljen e taksave.

Të dy firmat kishin ranë dakord për t’u bashkuar nëntorin e kaluar, duke nënshkruar një marrëveshje me vlerë prej 160 miliardë dollarësh. Sipas marrëveshjes, Pfizer së bashku me Allergan, do të vendoseshin në Irlandë, ku norma e tatimit të korporatave është shumë më e ulët dhe bashkimi do t’i sillte kursime të konsiderueshme kompanisë.

Sipas kushteve të kontratës së bashkimit, Pfizer tani duhet t’i paguajë Allergan-it 400 milionë dollarë për prishjen e marrëveshjes.

Të martën, presidenti Barack Obama nuk komentoi në mënyrë të veçantë për planin e firmës Pfizer, por tha se shmangia e taksave është një problem i madh global. Zoti Obama i bëri thirrje Kongresit për të ndaluar këtë fenomen.

Sekretari i Thesarit Jacob Lew tha gjithashtu se në fund të fundit i takon Kongresit të miratojë legjislacionin e ri për të parandaluar kompanitë që të përdorin këtë praktikë. Ai tha se deri atëherë, kontabilistët krijues do të gjejnë mënyra të reja për të shmangur pagimin e taksave së SHBA.

Shmangia e taksave, siç është rasti në fjalë Pfizer-Allergan, realizohet kur një firmë e madhe amerikane blen një firmë të vogël të huaj, të vendosur në një vend me taksa më të ulta. Më tej, firma e madhe, e zhyt veten në borxhe, që ia merr firmës së vogël dhe fitimet e saj, firma e madhe ia kalon në formën e pagesës së interesave firmës së vogël, që duke qënë në një vend të huaj, me normë të ultë taksimi, nuk paguan shumë taksa. Vetë firma e madhe, pagesat e interesave i zbret nga të ardhurat, duke ulur kështu detyrimin tatimor.

XS
SM
MD
LG