Lidhje

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të deportojnë emigrantë të tjerë drejt Haitit


Një aeroplan në aeroportin e San Antonios, Teksas, që do të transportojë emigrantët drejt Haitit (20 shtator 2021)
Një aeroplan në aeroportin e San Antonios, Teksas, që do të transportojë emigrantët drejt Haitit (20 shtator 2021)

Shtetet e Bashkuara vazhduan të hënën të deportojnë emigrantë të tjerë nga Haiti drejt vendlindjes së tyre, ndërsa zyrtarët e lartë amerikanë paralajmëruan mijëra njerëz nga vendi ishull se nuk do të lejoheshin të kalonin kufirin SHBA-Meksikë.

Videot e skenave kaotike në kufi duket se tregonin disa agjentë amerikanë të kufirit mbi kuaj duke përdorur kamzhikun për të goditur emigrantët.

"I kam parë disa nga pamjet", u tha gazetarëve në Uashington sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki. "Nuk kam kontekstin e plotë", tha ajo, duke shtuar se "nuk mund ta imagjinoj se çfarë konteksti do ta bënte atë të përshtatshëm. Unë nuk mendoj se dikush që sheh atë pamje do të mendojë se ishte e pranueshme ose e përshtatshme".

Zëri i Amerikës gjithashtu pyeti zonjën Psaki në lidhje me pretendimet e emigrantëve haitianë të shprehura gazetarëve të Zërit të Amerikës, se ata ishin trajtuar më keq se homologët e tyre spanjishtfolës. Disa raportuan se atyre iu mohua mundësia për të ndërruar teshat. Të tjerët thanë se atyre nuk u ishte dhënë informacion i mjaftueshëm për dëbimin e tyre ose statusin e tyre të deportimit.

"Unë mund t'i siguroj njerëzit se kjo nuk është politika jonë", tha zonja Psaki. "Natyrisht, të gjitha rrethanat ku individët nuk trajtohen në mënyrë njerëzore, pavarësisht nëse vijnë në kufirin tonë apo jo, nuk janë në përputhje me politikat e administratës Biden".

Ajo shtoi se Kryqi i Kuq Amerikan dhe agjencitë e tjera humanitare po siguronin ndihma për emigrantët në kufi.

Në një konferencë shtypi pranë kufirit në Del Rio, Teksas, Sekretari i Sigurisë Kombëtare Alejandro Mayorkas paralajmëroi haitianët se "nëse vini në Shtetet e Bashkuara ilegalisht, do të ktheheni mbrapsht".

Emigrantët haitianë - deri në 14 mijë sipas disa vlerësimeve - janë grumbulluar ditët e fundit me shpresën për të siguruar një jetë të re në Shtetet e Bashkuara. Numrat e shumtë kanë mbingarkuar punën e agjentëve amerikanë të kufirit.

Zoti Mayorkas tha se Shtetet e Bashkuara po i rikthejnë në Haiti, një vend ku shumë prej emigrantëve nuk kanë jetuar prej një dekade, pasi ikën nga rrënojat e mbetura nga një tërmet i vitit 2010 dhe u transferuan në Kili, Brazil dhe vende të tjera të Amerikës së Jugut.

"Ne parashikojmë të paktën një deri në tre fluturime në ditë", tha zoti Mayorkas, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara po punojnë për të përmirësuar kushtet për njerëzit në kufi ndërsa ata presin zhvillimin e procedurave, duke u siguruar ushqim, ujë, peshqir, dhe shërbime tualeti, si dhe duke u vendosur në dispozicion staf mjekësor.

Shtëpia e Bardhë tha se ka udhëzuar agjencitë qeveritare të punojnë me Haitin dhe qeveritë e tjera rajonale për të siguruar mbështetje për ata që kthehen. Por disa të deportuar që mbërritën në Port-au-Prince, kryeqyteti i Haitit, u kanë thënë gazetarëve atje se nuk kanë vend për të jetuar në Haitin e shkatërruar nga dhuna, që tashmë është përfshirë nga pasiguria politike pas vrasjes së pazbardhur më 7 korrik të Presidentit Jovenel Moïse.

Haitianët e deportuar priten nga organizata e OKB-së për emigracionin IOM
Haitianët e deportuar priten nga organizata e OKB-së për emigracionin IOM

"Jemi në mes të një pandemie (të koronavirusit) dhe një sfide të rrezikshme të emigracionit", tha zoti Mayorkas.

Ai tha se SHBA po përpiqet të menaxhojë situatën në Del Rio, me dërgimin e 600 agjentëve kufitarë shtesë të sjellë për të kontrolluar turmën dhe për të ndihmuar në procesin e deportimeve. Rreth 3 mijë emigrantë u zhvendosën në një qendër të zhvillimit të procedurave të hënën.

"Ne jemi të shqetësuar që haitianët që ndërmarrin këtë rrugë të parregullt emigrimi po marrin informacion të keq se rruga është e hapur", tha zoti Mayorkas. "Kjo nuk është mënyra për të ardhur në Shtetet e Bashkuara. Ky është informacion i rremë”.

Ai tha se vetëm haitianët që kanë jetuar në SHBA përpara 29 korrikut kanë të drejtën për Status të Mbrojtur të Përkohshëm. Ai tha se "emigracioni i parregullt paraqet një kërcënim të rëndësishëm për shëndetin dhe mirëqenien e komuniteteve kufitare dhe për jetën e vetë emigrantëve".

Komisioneri në detyrë i Patrullës Kufitare, Troy Miller tha: “Kufijtë tanë nuk janë të hapur. Hyrja në vend në mënyrë të paligjshme është një ndërmarrje e rrezikshme. Mos e vendosni sigurinë e familjes tuaj në duart e kontrabandistëve dhe kriminelëve të tjerë që ju thonë se kufijtë janë të hapur. Mos e bëni këtë”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG