Shtetet e Bashkuara janë vendi që udhëheq botën në dhurimin e vaksinave, me zotimin për të dhënë rreth 1.1 miliardë doza për të luftuar pandeminë e COVID-19ës. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, deri më tani janë dërguar vetëm 15% e vaksinave të premtuara.
Për çdo vaksinë të bërë në Shtetet e Bashkuara, do të dërgohen jashtë vendit tre të tjera. Ky është premtimi që bëri Presidenti Joe Biden për të ndihmuar vaksinimin në mbarë botën.
"Shtetet e Bashkuara po blejnë gjysmë miliardi doza të tjera të (kompanisë) Pfizer për t'ia dhuruar vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme në të gjithë botën. Këto janë një gjysmë miliardi doza shtesë që do të dërgohen të gjitha deri në këtë kohë vitin e ardhshëm. Pra, totali i angazhimit tonë për vaksina të dhuruara arrin në mbi 1.1 miliardë", tha Presidenti Biden.
Nga 1.1 miliardë doza që kanë premtuar Shtetet e Bashkuara, Departamenti i Shtetit tha se janë dërguar rreth 172 milionë, ose rreth 15 për qind.
Shtëpia e Bardhë tha se 200 milionë doza të tjera do të nisen deri në fund të vitit 2021, dhe 800 milionë të tjerat do të dërgohen deri në shtator 2022.
"Premtimi për të furnizuar me vaksina botën është diçka e mrekullueshme. Do të ishte mirë ta shikojmë të zbatohet. Kështu që mendoj se kur flasim për qasjen dhe furnizimin e vaksinave, duhet të shikojmë pamjen e përgjithshme, se kush ka qasje realisht", thotë Krishna Udayakumar, nga Qendra Shëndetësore “Duke” për Inovacionin Global.
Organizatat humanitare thonë se 80 përqind e dozave të administruara kanë shkuar në vendet e pasura dhe më pak se 1 përqind në vendet me të ardhura të ulëta.
Të dhënat nga kompania analitike Airfinity mbi rezervat e vaksinave në Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, Kanada dhe Kinë - vendet sasinë më të madhe rezervë - tregojnë një tepricë prej 670 milionë dozash deri në fund të shtatorit, edhe pasi këto vende ofruan injeksione përforcuese për të gjithë personat mbi moshën 12 vjeçare.
"Tani kemi një situatë ku vendet e pasura kanë tre herë më shumë doza sesa kanë nevojë në të vërtetë. Dhe ekziston një rrezik real që së pari, po lihen jashtë shumë pjesë të botës. Dhe së dyti, ne mund të mos jemi në gjendje ta përdorim të gjithë sasinë. Tashmë po shohim që vendet e pasura humbasin në thelb miliona dhe miliona doza sepse skadojnë përpara se të mund të përdoren", thotë Robbie Silverman, kompania “Oxfam America”.
Aktivistët thonë se Shtetet e Bashkuara duhet të rrisin tashmë dërgesat e donacioneve dhe të bëjnë më shumë për të transferuar teknologjinë e vaksinave.
“Presidenti Biden mund të përdorë fuqitë e tij për të detyruar kompani si Pfizer dhe Moderna të ndajnë teknologjinë dhe njohuritë e tyre me platformat globale që janë krijuar për ta bërë këtë. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka krijuar një qendër transferimi të teknologjisë mRNA në Afrikën e Jugut. Pfizer dhe Moderna nuk kanë marrë pjesë, nuk kanë ofruar teknologjinë e tyre në këto qendra", thotë Kate Elder, Organizata “Mjekët pa Kufij”.
Të dhënat e kompanisë Airfinity tregojnë se prodhuesit e vaksinave prodhojnë 1.5 miliardë doza në muaj. Me më shumë se 6 miliardë doza të administruara tashmë globalisht, objektivi i OBSH-së për të marrë 5 miliardë dozat e mbetura që duhen për të vaksinuar popullsinë e botës mund të arrihet brenda disa muajsh, për aq kohë sa vendet e pasura liberalizojnë kontrollin e tyre mbi sistemin global të furnizimit.
Facebook Forum