Presidenti amerikan Donald Trump thotë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t’i kundërvihen çdo ndërhyrjeje të huaj në zgjedhjet e vitit 2018 dhe 2020. Por si mund të ishte një kundërpërgjigje amerikane dhe a është sistemi politik rus i prekshëm ndaj sulmeve kibernetike, të tilla si ato që ndodhën në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016?
Jane Bojadzievski i Zërit të Amerikës i hedh një vështrim çështjes se çfarë do të nënkuptonte kjo për marrëdhëniet e SHBA me Rusinë:
Presidenti Trump ngurron t’ua hedhë fajin plotësisht rusëve për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane.
"Rusët nuk patën asnjë ndikim në votat tona. Por sigurisht që pati ndërhyrje, dhe ndoshta ndërhyrje nga vende të tjera, ndoshta individë të tjerë," thotë presidenti amerikan.
Megjithatë, ai thotë se administrata e tij është e gatshme t’i kundërvihet çdo përpjekjeje për ndërhyrje në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2018.
"Ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë. Ne po bëjmë një studim shumë të thellë dhe po dalim me disa sugjerime shumë të forta për zgjedhjet e 2018-ës. Mendoj se do të dalim shumë mirë në zgjedhjet e 2018-s, edhe pse historikisht gjithnjë ka një rënie të vogël për Shtëpinë e Bardhë”.
Por analistët paralajmërojnë se rusët nuk i kanë ndalur kurrë përpjekjet për të ndërhyrë dhe ndikuar në politikën amerikane. Janusz Bugajski i Qendrës për Analizën e Politikave Europiane thotë se Rusia do të provojë përsëri në vitin 2018, veçanërisht në rrjetet e mediave sociale.
"Ata janë jashtëzakonisht të shkathët për të depërtuar në Facebook, Fakebook apo elementë të tjerë të mediave sociale, ku përhapin këto lloj informacionesh, ku inkurajojnë njerëzit për të mbështetur kandidatë të veçantë, ose të kundërshtojnë të tjerë, apo për të përçarë shoqëritë në një farë mënyre. Rusia vazhdon ta bëjë këtë."
Zoti Bugajski thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të mbeten vigjilente dhe të jenë të përgatitura për të kundërsulmuar kur kjo të jetë e nevojshme. Ai thotë se Rusia mund të jetë më e ndjeshme ndaj përçarjes në sistemin e saj politik sesa SHBA.
"Ne jemi në fakt një demokraci e konsoliduar dhe e mbrojtur mirë. Rusia është një sistem totalitar, por shumë brutal, ajo mund të shpërbëhet. Ne mund t'u dërgojmë atyre një sinjal shumë të fortë: nëse ju na luftoni, ne mund t'ë krijojmë më shumë telashe për ju në hapësirën e informacionit."
Por analistë të tjerë thonë se dyshimi në rritje midis dy vendeve dhe kundërpërgjigje të tilla nuk do të ishin të dobishme për marrëdhëniet tashmë të tensionuara amerikano-ruse.
"Është jashtëzakonisht e dëmshme për marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve, dhe për besimin tashmë mjaft të ulët mes tyre", thotë Thomas Greminder, Sekretar I Përgjithshëm I OSBE-së.
Drejtori i Zbulimit Kombëtar, Dan Coats, i deklaroi një komisioni të Senatit se Rusia i sheh zgjedhjet e mesmandatit si "një objektiv të mundshëm për operacionet e saj të ndikimit". Por ai paralajmëron se Kina, Koreja e Veriut dhe Irani paraqesin gjithashtu kërcënime serioze për demokracinë amerikane.
Facebook Forum