Lidhje

SHBA, prokurori i përgjithshëm paralajmëron për sulmet kibernetike gjithnjë e në rritje


Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland duke dëshmuar në Senat (9 qershor 2021)
Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland duke dëshmuar në Senat (9 qershor 2021)

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Merrick Garland paralajmëroi të mërkurën se sulmet kibernetike të motivuara nga gjobvënia "po përkeqësohen dhe përkeqësohen", duke u bërë jehonë zyrtarëve të tjerë të lartë të administratës së Presidentit Biden të cilët kanë dhënë alarmin për problemin në javët e fundit.

"Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi këtu", u tha zoti Garland ligjvënësve. "Ky është një kërcënim shumë, shumë serioz".

Paralajmërimi i Prokurorit të Përgjithshëm gjatë një seance dëgjimore të Senatit mbi projekt-buxhetin e vitit 2022 të Departamentit të Drejtësisë pasoi një palë sulmesh të profilit të lartë ransomware gjatë muajit të kaluar që kanë tronditur institucionet e sigurisë kombëtare dhe të zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara dhe kanë shkaktuar thirrje për mbrojtje të fortë kibernetike.

Në një sulm ransomware, hakerat bllokojnë të dhënat e një kompanie ose organizate, duke ofruar kodet çelësa për të zhbllokuar materialet në këmbim të një shume të madhe parash.

Botet qëndrojnë të parkuar në pritje për t'u mbushur tek kompania Colonial
Botet qëndrojnë të parkuar në pritje për t'u mbushur tek kompania Colonial

Muajin e kaluar, kriminelët kibernetikë që besohet të jenë të bazuar në Rusi, ndërhynë në rrjetet kompjuterike të Colonial Pipeline, operatori më i madh i gazsjellësit në Amerikë, duke ndërprerë furnizimet përgjatë Bregut Lindor dhe duke shkaktuar blerje nga paniku. Kompania Colonial më vonë tha se pagoi 4.4 milionë dollarë për të rimarrë aksesin në rrjetin e saj. Të hënën, Departamenti i Drejtësisë zbuloi se kishte rikuperuar pjesën më të madhe të shpërblimit.

Javën e kaluar, kriminelët e ransomware goditën kompaninë JBS USA, krahu amerikan i përpunuesit më të madh në botë të mishit të viçit të freskët dhe mishit të derrit, me qendër në Brazil. JBS nuk pranoi të paguante një shpërblim dhe u detyrua të mbyllë pajisjet e saj të përpunimit në Shtetet e Bashkuara.

Fabrika në Miçigan e kompanisë së mishit JBS
Fabrika në Miçigan e kompanisë së mishit JBS

Shtëpia e Bardhë ka thënë se bandat kriminale që qëndrojnë pas të dy sulmeve - të njohura si DarkSide dhe REvil - ka të ngjarë të ndodhen në Rusi, por zyrtarët nuk kanë pretenduar ndonjë lidhje me qeverinë ruse. Departamenti i Drejtësisë e identifikoi DarkSide si grupin e piraterisë që ishte në shënjestër të zyrtarëve të zbatimit të ligjit për kundërpërgjigje dhe rimarrjen e shpërblimeve.

Sulmet e ransomware ka të ngjarë të ndikojnë gjatë takimit të 16 qershorit midis Presidentit Joe Biden dhe Presidentit Rus Vladimir Putin. Sekretari i Shtetit Antony Blinken u tha ligjvënësve të hënën se Presidenti Biden do t'ia bëjë të qartë Putinit se "shtetet nuk mund të jenë në biznesin e strehimit të atyre që janë të përfshirë në këto lloj sulmesh".

Dikur i parë si një krim financiar, ransomware është shfaqur si një kërcënim në rritje i sigurisë kombëtare vetëm në dy vitet e fundit, pasi kriminelët kibernetikë i janë kthyer sulmit ndaj qeverive lokale, shkollave, spitaleve dhe ofruesve të tjerë të shërbimeve kritike, duke kërkuar miliona dollarë shpërblim.

Sipas një raporti të 12 majit nga Check Point Research, sulmet ransomware janë dyfishuar këtë vit krahasuar me fillimin e vitit 2020, me sektorët më të synuar kujdesin shëndetësor dhe shërbimet.

"Ju mund të imagjinoni se çfarë mund të ndodhë nëse do të kishim sulme të shumta në të njëjtën kohë në infrastrukturë edhe më themelore. Kështu që, unë jam shumë i shqetësuar për këtë, dhe po kështu është edhe administrata", tha zoti Garland. "Dhe kjo është arsyeja pse ne kemi kërkuar një rritje kaq të madhe në buxhetin tonë kibernetik."

Buxheti i departamentit të drejtësisë me afro 36 miliardë dollarë përfshin rreth 1.1 miliard dollarë për sigurinë kibernetike. Nëse miratohet nga Kongresi, kjo do të përbënte rritjen më të madhe të burimeve të sigurisë kibernetike për departamentin në më shumë se një dekadë, sipas zotit Garland.

Në prill, para sulmit ndaj kompanisë Colonial, Departamenti i Drejtësisë ngriti një grup pune të brendshëm të dedikuar për zhvillimin e strategjive për të luftuar ransomware. Operacioni i tij i parë i madh ishte rimarrja e shumicës së miliona dollarëve të paguar në shpërblim nga kompania Colonial për hakerat DarkSide, njoftoi Zëvendës Prokurorja e Përgjithshme Lisa Monaco.

Zoti Garland e quajti rikuperimin një "sukses të rëndësishëm", por ai tha se nuk mjafton.

"Kjo duhet të jetë një konstante, vetëm një fokus i vazhdueshëm", tha ai, duke shtuar se ai e ka diskutuar çështjen me homologët e tij nga vende kryesore aleate të Shteteve të Bashkuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG