Lidhje

SHBA, miliona vota me postë, sfidë për rezultatin e zgjedhjeve


Votuesit duke hedhur votat e tyre në kutinë postare përkatëse në Filadelfia
Votuesit duke hedhur votat e tyre në kutinë postare përkatëse në Filadelfia

Frika për infektimin nga koronavirusi po krijon presion ndaj proceseve elektorale në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që gjithnjë e më shumë amerikanë po votojnë nëpërmjet postës, në shtetet që e lejojnë këtë mënyrë votimi. Zëri i Amerikës shqyrton balancën që nevojitet mes votimit fizikisht dhe votimit nëpërmjet postës.

Rreth 200 mijë votues sfiduan pandeminë e koronavirusit për t’u paraqitur në qendrat e votimit për zgjedhjet paraprake në Kentucky më 23 qershor. Por u hodhën gjithashtu mbi gjysmë milioni vota nëpërmjet postës, duke bërë që rezultatet përfundimtare të mos dihen edhe për të paktën një javë pas zgjedhjeve dhe duke lënë kështu pezull emërimin për kandidatin demokrat për në Senatin amerikan.

Vonesa të tilla në numërimin e fletëvotimeve të dërguara me postë kanë shqetësuar ekspertët e ligjit zgjedhor.

Profesori i juridikut në Universitetin e Nju Jorkut, Richard Pildes thotë se votimi fizikisht është i nevojshëm për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

"Një nga rreziqet më të mëdha me të cilat përballemi në këto zgjedhje, janë mosmarrëveshjet e mëdha nëse zgjedhjet ishin të ligjshme ose nëse ishin manipuluar apo vjedhur. Është e lidhur me faktin se shumica e shteteve duhet të numërojnë qindra mijëra fletëvotime pas natës së zgjedhjeve. Në një proces që mund të vazhdojë për një javë, mund të zgjasë për dhjetë ditë, që mund të zgjasë edhe më shumë", thotë profesor Pildes.

Qendrat e votimit të ngritura në Kentucky
Qendrat e votimit të ngritura në Kentucky

Për të minimizuar rrezikun, dita e zgjedhjeve do të shndërrohet në një javë zgjedhjesh ose në disa javë. Profesor Pildes sugjeron që shtetet të modifikojnë afatet dhe rregullat për të lejuar kohë të mjaftueshme para ditës së zgjedhjeve, për të përpunuar fletëvotimet që vijnë me postë.

"Zyrtarët e zgjedhjeve do të kenë qindra mijëra fletë votimi mbase miliona në disa shtete që ata nuk mund t’i numërojnë deri pasi të ketë mbaruar nata e zgjedhjeve", thotë zoti Pildes.

Presidenti Trump vazhdimisht ka dekurajuar përpjekjet për t'i detyruar votuesit që shqetësohen për koronavirusin që të aplikojnë për fletëvotime në mungesë, të cilat mundësojnë votimin nëpërmjet postës.

"Dhe ka prova të jashtëzakonshme manipulimi sa herë që ekzistojnë vota nëpërmjet postës", deklaroi Presidenti Trump.

"Republikanët thonë se kanë frikë nga manipulimi i fletëvotimeve me postë, por duket se ka shumë pak prova me vlerë se kjo ka përbërë një problem aty ku ka ndodhur", thotë një George Will, nga gazeta "Washington Post".

Megjithëse Kentucky zvogëloi numrin e vendvotimeve nga rreth 3'700 në 200, frika për radhë të gjata njerëzish që do të dilnin për të votuar fizikisht, nuk u materializua.

"Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar gjithmonë zgjedhjet pavarësisht rrethanave dhe ngjarjeve. Është një nga të vetmet demokraci që zhvilloi zgjedhje në mes të një lufte civile, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndryshe nga Britania e Madhe, ne zhvilluam zgjedhjet tona të planifikuara rregullisht, dhe siç e dini, po shkojmë drejt zgjedhjeve në mes të kësaj pandemie", tha profesor Pildes.

Dita e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara është 3 nëntori.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG