Kam kënaqësinë e veçantë që të shpreh urimet më të mira, për të uruar Zërin e Amerikës për 70 vjetorin e krijimit. Zëri i Amerikës është një zë shumë i dashur për shqiptarët, zë me të cilin shqiptarët janë mësuar qysh në kohën kur e ndjenin mëse të nevojshëm për të marrë pak shpresë për të dalë nga izolimi i thellë komunist i atyre viteve të paharruara për keq.
Natyrisht Zëri i Amerikës është zëri i një vendi të madh, zëri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatit më të madh historik të shqiptarëve, një zë i vërtetë, një zë me të cilin shqiptarët janë mësuar për të çertifikuar të vërtetën që ndodh kudo në botë.
Çdo njeri sigurisht ka emocionet e veta për t’iu kthyer kujtesës në retrospective. Kam qenë i vogël kur kam dëgjuar Zërin e Amerikës së bashku me babain tim. E dëgjonim me zë të ulët për të mos na dëgjuar informatorët e Sigurimit.
Ndërsa sot Zëri i Amerikës jo vetëm që dëgjohet hapur në një vend të lirë e demokratik sikurse është Shqipëria, por edhe si president i Republikës, kam patur rastin të komunikoj shumë hapur me redaksinë shqiptare të Zërit të Amerikës, të komunikoj hapur nga studiot e Zërit të Amerikës, dhe patjetër të çoj ato mesazhe që janë shumë të vyera për popullin shqiptar.
Zëri i Amerikës është institucioni mediatik do të thoja më prestigjoz në nivel global, dhe në këtë 70 vjetor jo vetëm e uroj, por edhe e falenderoj në emër të të gjithë qytetarëve shqiptarë për shërbimin e vyer që i ka bërë demokracisë shqiptare, për shërbimin e vyer që i bën integrimit të Shqipërisë në atë aspiratë të madhe të popullit shqiptar për të qenë jo vetëm në NATO por edhe në Bashkimin Evropian.
Urimet më të mira!