Presidenti Joe Biden vazhdon të mbrojë pozitat e tij mes furtunës politike të shkaktuar nga marrja nën kontroll me shpejtësi të Afganistanit nga talibanët dhe nga fundi kaotik i luftës më të gjatë në historinë amerikane. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, shanset që presidenti të tejkalojë këtë krizë do të varen nga shumë faktorë, ndër të tjera edhe nga evakuimi i shtetasve amerikanë.
Kaosi vazhdonte përreth aeroportit të Kabulit të enjten ndërsa mijëra njerëz përpiqeshin të largoheshin nga vendi pas marrjes nën kontroll nga talibanët javën e kaluar...
Prindërit ua kalonin fëmijët ushtarëve amerikanë, ndërsa përpiqeshin të kapërcenin rrethimin e lartë.
Presidenti Joe Biden vazhdoi të mbrojë qëndrimin e tij, duke thënë gjatë një interviste ekskluzive me gazetarin George Stephanopoulos, në kanalin ABC News, se tërheqja u bë në mënyrën më efikase të mundshme.
“Do t’i rikthehemi gjërave, por ideja se mund të kishte patur ndonjë mënyrë largimi pa kaos,... nuk di si mund të ndodhte ndryshe”, tha Presidenti Biden.
Presidenti tha se askush nuk mund të kishte parashikuar shpejtësinë e lëvizjes së talibanëve, një mundësi që ai e pati kundërshtuar në mënyrë të përsëritur që kur njoftoi tërheqjen në muajin prill.
“Mundësia se 300 mijë forcat që kemi trajnuar dhe pajisur do të rrënoheshin, do të dorëzoheshin... Nuk mendoj se dikush e priste këtë gjë”, tha Presidenti Biden.
Megjithatë, dështimi për të evakuar amerikanët dhe partnerët afganë në mënyrë të rregullt dhe rënia e shpejtë e ushtrisë afgane të mbështetur nga amerikanët, kanë ngritur dyshime për planifikimin e politikës së jashtme të Presidentit Biden.
“Ishte një dështim i drejtuesve. Ishte kryesisht një dështim i mendimit dhe planifikimit të duhur", thotë Michael O’Hanlon, nga Instituti Brookings.
Në vetëm pak ditë, niveli i mbështetjes publike për Presidentin Biden ra me 7%, në nivelin më të ulët në presidencën e tij, sipas një sondazhi të Reuters/Ipsos.
Mbështetja publike amerikane për përfundimin e luftës ka rënë gjithashtu.
Dyzet e nëntë përqind e votuesve tani mbështesin daljen, 20% më pak se nga muaji prill, sipas një sondazhi të Morning Consult/Politico.
Ligjvënësit amerikanë u zotuan të hetojnë fitoren e shpejtë të talebanëve dhe tërheqjen kaotike.
"Ajo që ne kemi parë është një fatkeqësi e pashoqe, një njollë mbi reputacionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës", tha Senatori Mitch McConnell, drejtues i pakicës në Senat.
Por disa analistë thonë se dëmi mund të riparohet, dhe vendimi për të dalë është ende ai i duhuri.
“Përpjekja shtetformuese nuk po funksiononte. Është koha për t'i dhënë fund, pavarësisht goditjes afatshkurtër ndaj besueshmërisë amerikane", thotë Charles Kupchan, nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë.
Në periudhën afatshkurtër, evakuimi i suksesshëm i amerikanëve dhe trajtimi i refugjatëve afganë do të jenë thelbësore që Presidenti Biden t’i mbijetojë krizës politikisht.
Faza tjetër do të jetë marrja e masave që Afganistani të mos bëhet një terren që ushqen terrorizmin, dhe që ruan një nivel bazë të të drejtave të njeriut, përfshirë mënyrën se si trajtohen gratë dhe pakicat.
"Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët e tjerë të bashkësisë ndërkombëtare duhet të bien dakord për një sërë mesazhesh, mesazhe të qarta për talebanët, se çfarë duhet të bëjë qeveria e tyre e re në praktikë", thotë Earl Anthony Wayne, nga Qendra Wilson.
Të dielën, Shtetet e Bashkuara ngrinë gati 9.5 miliardë dollarë rezerva të qeverisë afgane të mbajtura në llogaritë bankare amerikane. Këto pasuri do të bëhen një element i rëndësishëm gjatë negociatave me talebanët.
Facebook Forum