Lidhje

Dokumentar për pandat


Në të gjithë botën ekzistojnë më pak se 2 mijë panda në kushte natyrore. Për t'i mbrojtur këto krijesa nga zhdukja e plotë, një numër pandash mbahen në rezervate e kopshte zoologjike. Këtë muaj në Shtetet e Bashkuara ka filluar të shfaqet një dokumentar që tregon se si shkencëtarët po përpiqen për të lëshuar për herë të parë në kushte natyrore, pandat e lindura dhe të mësuara në mjedise të mbrojtura.

Panda gjigande është një ikonë e Kinës, por më pak se 2,000 kafshë të tilla jetojnë në natyrë.

Shkencëtarët në qendrën Chengdu Panda në provincën Sichuan kanë punuar për vite me radhë për të rritur popullsinë e pandave në robëri. Tashmë një dokumentar i ri i titulluar “Pandat”, rrëfen për një program për t’i lëshuar disa prej këtyre këlyshëve në natyrën e egër.

"Janë trajnuar me kujdes për një mision të veçantë, të jenë një forcë në betejën kundër zhdukjes".

Biologia që studion jetën e kafshëve të egra Huo Rong nga Chengdu punoi me natyralistin dhe autorin Ben Kilham, i specializuar në lëshimin e arinjve të zinj jetimë në natyrën e egër.

“Huo Rong ka qenë këtu disa herë dhe ka takuar arinjtë e zinj. Ishte në udhëtimin e saj të parë për t’u takuar me këlyshët arinj që e bënë të kuptonte se kjo mund të bëhej edhe me pandat", thotë biologu Ben Kilham.

Dokumentari tregon se si Huo Rong, Kilham dhe biologu Jake Owens punuan për të zgjedhur dhe përgatitur një këlysh panda me emrin Chen Chen. Dokumentari është shkruar dhe bashkë-drejtuar nga Drew Fellman dhe tregohet nga aktorja Kristen Bell. Regjisori Fellman i tha Zërit të Amerikës se sfida e tij e parë ishte ndërtimi i besimit të nevojshëm për filmimin e dokumentarit.

"Ne duhet të fitonim besimin e tyre dhe ato besimin tonë. Donim të siguroheshim që ato të na jepnin qasjen që na duhej për të realizuar dokumentarin dhe të siguroheshim që do ta tregonim ashtu siç ishte historinë e tyre".

Për dy vjet Jake Owens punoi me Chen Chen në pyjet e bambusë në Chengdu. Në fund, erdhi dita kur ajo e lëshoi pandën për herë të parë në natyrë.

Owens i tha Zërit të Amerikës se ndërtimi i ekipit dhe puna me shkencëtarët kinezë kishte një objektiv: të ndihmonte për të rritur numrin e pandave të egra.

“Ky është synimi i këtij projekti, për t’i bërë pandat e lindura në kopshte zoologjike të afta për të mbijetuar në natyrë”.

Dokumentari "Pandat" është realizuar për ekranet IMAX 3-D.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG