Larmia e filmave dhe kandidatëve ishte në qendër të ceremonisë së çmimeve Oskar dhe artistë nga pakicat morën shumë nga statujat e arta të lakmuara, por përsëri tre nga çmimet kryesore për aktorin më të mirë, aktoren më të mirë dhe kinematografinë më të mirë iu dhanë kandidatëve të bardhë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Penelope Poulou sjell më shumë hollësi.
Nomadland me regji të kino-amerikanes Chloe Zhao fitoi Oskarin si filmi më i mirë. Filmi pasqyron jetën nomade të njerëzve nga zona të ndryshme të perëndimit ameirkan. Aktorët në film luajnë përkrah personazheve realë që jetojnë në kufijtë e shoqërisë tradicionale. Frances McDormand fitoi Oskarin si aktorja më e mirë për rolin e Fërnit, një grua në të 60-at e cila mbledh sendet e saj të pakta dhe jeton në një kamion pasi humbet punën gjatë një krize ekonomike në Amerikë.
Chloe Zhao fitoi çmimin Oskar si regjisorja më e mirë. Ajo është gruaja e parë me ngjyrë dhe e dyta që e fiton këtë çmim të lakmuar.
“Ka diçka të veçantë në lidhje me madhështinë dhe bukurinë e Perëndimit Amerikan. Është diçka që ka frymëzuar breza të tërë. Peisazhi të kujton se je pjesë e diçkaje më të madhe. Se ka një mënyrë për t’ia dalë mbanë”, tha regjisoria Zhao.
Anthony Hopkins fitoi Oskarin si aktori më i mirë me rolin e tij si një baba, kujtesa e të cilit venitet si pasojë e dementias.
Aktorja koreano-jugore Yuh-jung Youn, fitoi Oskarin si aktorja më e mirë në rolin dytësor në dramën Minari me regji të koreano-amerikanit Lee Isaac Chung, që ka në qendër përvojën e emigrantëve në Amerikë. Yuh-jung Youn luan Soonjian, një gjyshe koreano-jugore, e cila vjen në Amerikë për të ndihmuar të rrisë fëmijët e vajzës së saj dhe dhëndrit të mbingarkuar me punë.
Daniel Kaluuya fitoi Oskarin si aktori më i mirë në rol dytësor për interpretimin e tij të drejtuesit dhe aktivistit të organizatës Black Panther, Fred Hampton në filmin e parë me të gjithë aktorë me ngjyrë "Judas and the Black Mesiah". Hampton u qëllua për vdekje nga policia në vitin 1969. Ai ishte 21 vjeç.
Filmi Mank i regjisorit David Fincher, rreth Hollivudit të viteve 1930, fitoi Oskarin për kinematografinë më të mirë, duke fituar të tretin nga pesë çmimet kryesore të Akademisë që iu dha një të bardhi, duke dhënë rezultate të përziera për larminë e çmimeve Oskar të këtij viti.
Facebook Forum