Lidhje

Një shefe kuzhine sfidon industinë e dominuar nga burrat


Naomi Pomeroy
Naomi Pomeroy

Naomi Pomeroy është një shefe e re dhe e suksesshme kuzhine që punon në Portland të Oregonit. Kur hyri në biznes, ajo e dinte se ky profesion ishte tradicionalisht i dominuar nga burrat, por kjo nuk e ndali.

Sot ajo është një profesioniste fituese e çmimeve prestigjioze dhe pronare e një restoranti të quajtur thjesht: Bisha.

Ajo është gjithashtu autorja e një libri gatimi dhe një personalitet televiziv. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Karina Bafradzhian u takua me kuzhinieren për të mësuar historinë e saj.

Restoranti i Naomi Pomeroit i quajtur "Bisha" ka ushqyer vendasit dhe turistët e Portlandit në Oregon, për më shumë se një dekadë. Që kur hapi restorantin, jeta e Pomeroit ndryshoi në mënyrë dramatike - ajo u rrit nga një amatore që gatuante me nënën dhe gjyshen, në një kuzhiniere profesioniste.

Kur e hapëm restorantin, mendova se do të qëndronte 3 deri në 6 muaj dhe do të mbyllej ... Nuk kisha shumë shpresë! Jo se kisha frikë, por kurrë nuk mendoja se do të kishte këtë lloj suksesi që ka patur. Sepse kurrë më parë nuk kam qenë një kuzhiniere e mirëfilltë ... kisha drejtuar një kompani shërbimesh gatimi, kisha punuar në restorante tërë jetën time, por kurrë nuk kisha pasur restorantin tim, menunë time, dhe të trajnoja stafin tim", thotë Naomi.

Restoranti i Pomeroit nuk është shumë i madh, dhe kuzhina është e hapur, në mënyrë që klientët të shohin se si përgatitet ushqimi.

Ka vetëm dy tavolina të mëdha të përbashkëta, kështu që njerëzit ndajnë hapësirën dhe ulen pranë atyre që nuk i njohin.

Por kjo nuk duket se shqetëson askënd - ushqimi i mirë dhe vera supozohet t’i bashkojnë njerëzit.

Çdo dy javë Pomeroi krijon një menu të re pas diskutimeve të gjata dhe seancave të provave me ekipin e saj. Dhe radha e njerëzve që presin të provojnë ushqimin e saj vërteton se ajo po bën një punë që nuk ka të sharë.

Koleksioni i çmimeve që ajo ka marrë tregon të njëjtën histori. Mes tyre, çmimi James Beard për Kuzhinieren më të Mirë - Oskari i biznesit të restoranteve.

Por nuk ka qenë gjithmonë e lehtë për të.

“Mbaj mend kur zbrita nga avioni për të shkuar për herë të parë në Aspen Food and Wine, dhe dikush më pyeti nëse isha shefe kuzhine. U thashë - po, jam shefe kuzhine dhe pronare e një restoranti të quajtur Beast në Portland. Ata kujtuan se isha shefe pastiçiere".

Sot ajo është shumë e njohur dhe e vlerësuar në industri. Ajo punon pa u lodhur në restorant, ndërsa shkruan gjithashtu libra gatimi, duke përzier dhe krijuar kokteje dhe duke qenë një personalitet televiziv. Por pavarësisht suksesit të saj në kuzhinë, synimi i saj kryesor është përshtypja që merr nga restoranti i saj.

"Qëllimi im më i madh - nuk ka të bëjë me ushqimin në pjatë apo klientët që kthehen. A po argëtoheni? A po dëgjoni muzikë të mirë dhe a keni biseda të këndshme? Kjo është kryesorja. A i njohim fermerët tanë, a ndjehemi krenarë për atë që po bëjmë? Është shumë më tepër se sa një restorant. Pjesa ime e preferuar janë njerëzit e kënaqur - dhe kjo më përfshin mua dhe stafin tim! "

Pomeroy nuk ka në plan të lëvizë nga Portlandi - qyteti i saj i lindjes ku ajo gjeti një ekip me të njëjtën mendje dhe ku po rrit familjen e saj. Megjithatë, ajo shpreson të hapë një restorant të dytë në qytet - në mënyrë që më shumë njerëz të mund të ushqehen mirë dhe të jenë të kënaqur.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG