Më 2019 është në plan të hapet një muze i ri për historikun e Statujës së Lirisë. Muzeumi me një sipërfaqe prej 2 mijë e 400 metrash katrore ka një panoramë të pakrahasueshme të këtij monumenti-ikonë, si dhe të lagjes së Manhatenit në Nju Jork. Muzeumi, ende në procesin e ndërtimit, nderon konceptin universal të Lirisë dhe të Zonjës së Lirisë, që vizitohet çdo vit nga më tepër se 4 milionë vizitorë.
Gjatë një periudhe 62 vjeçare, nga viti 1892, deri më 1954, kjo dhuratë kolosale e Francës, e quajtur “Statuja e Lirisë që ndriçon botën”, ka mirëpritur më tepër se 12 milionë imigrantë, të cilët patën zbarkuar në ishullin pranë, Ellis Island.
Tani, atje është duke u ndërtuar muzeu i ri që nderon trashëgiminë e Zonjës së Lirisë, një vepër monumentale.
“Kur erdhëm fillimisht në ishull, u prekëm thellë. Pamë njerëz të gjunjëzuar duke qarë, për shkak të domethënies që ka ai vend për ta…Kjo na bëri të besojmë që ky është një vend me të vërtetë i veçantë, madje i shenjtë.”- thotë njëri prej projektuesve të muzeut.
Çdi vit statujën e vizitojnë katër milionë e gjysëm turistë, por për shkak të kapacitetit të kufizuar, vetëm një e pesta e tyre hyjnë brenda monumentit. Me hapjen e muzeut të ri dhe kopështit që e rrethon, të gjithë vizitorët e Ishullit të Lirisë ftohen për ta eksploruar atë. Përmes projektit që bazohet tek mjetet e reja dixhitale të komunikimit, vizitorëve do t’u jepet mundësia për dialog të hapur.
“Donim të theksonim idenë se kemi aftësinë për të ruajtur dhe mbrojtur idenë e lirisë,”- thotë projektuesi kryesor i muzeut.
Secili nga vizitorët largohet me një interpretim të ndryshëm të muzeut.
“Përfaqëson përpjekjet për barazi dhe vëllazërim të të gjithë njerëzve që kanë ardhur këtu.”- thotë një turiste nga Kosta Rika.
“...për t’u ndjerë të lirë, por gjithmonë duke respektuar lirinë e të tjerëve,”- thotë një turist nga Spanja.
Pas një fluturimi virtual për në majën e statujës 93 metra të lartë, vizitorët hyjnë në studion e skulptorit të saj Frédéric Auguste Bartholdi, para variantit përfundimtar në Galerinë e Frymëzimit.
Atje, vizitorët mund të shohin nga afër pishtarin origjinal me peshë 1 mijë e 600 kile, që qëndroi në majë të statujës për rreth një shekull, deri në vitet 1980, kur u zëvendësua me një të ri.
Në majën e monumentit gjendesh para një panorame të horizontit të Manhatenit të Poshtëm, të Nju Jorkut. Kryearkitekti i muzeut thotë se ndërtesa dhe pesazhi që e rrethon rrezatojnë optimizëm.
“Nuk jemi përpjekur që me këtë projekt të shprehim nostalgji. Ai është konceptuar si një objekt i së ardhmes, jemi përpjekur të krijojmë një objekt frymëzues, një lloj ikone të re, gjithmonë duke respektuar ndërtesat ekzistuese”, - thotë një nga projektuesit e muzeut, Nicholas Garrison.
Muzeu i Statujës së Lirisë pritet të hapet në maj të 2019-ës.
Facebook Forum