Kryeministri irakian Haider al-Abadi thotë se forcat irakiane janë duke lëvizur më shpejt se sa pritej në drejtim të qytetit të Mosulit, të cilin militantët e Shtetit Islamik e pushtuan më shumë se dy vjet më parë. Por në kampet e afërta të refugjatëve, punonjësit e ndihmave janë të shqetësuar se nuk do të ketë burime të mjaftueshme për t'u kujdesur për një milion njerëz që pritet të zhvendosen, pas hyrjes së forcave të armatosura irakiane në Mosul.
Pavarësisht nga frika e zhvendosjes së banorëve nga shtëpitë e tyre dhe ndoshta edhe vrasja a shumë prej tyre gjatë operacionit të forcave irakiane dhe luftëtarëve kurdë Peshmerga në fshatrat përreth dhe në qytetin e Mosulit që tani kontrollohet nga militantët e Shtetit Islamik, familjet e zhvendosura në këtë kamp thonë se ato mezi presin çlirimin e qytetit.
"Njerëzit që ne i njohim, të cilët ende ndodhen në Mosul, na thonë se ata me çdo kusht duan largimin e militantëve të Shtetit Islamik nga qyteti. Ata janë të gatshëm të paguajnë çdo çmim për largimin e militantëve," thotë Umar, mekanik i makinave.
Militantët e Shtetit Islamik kanë zhvendosur disa herë shumë nga 30,000 njerëzit që jetojnë këtu, dhe ata arrijnë në kampet e strehimit, të lodhur dhe të traumatizuar nga dhuna ekstreme. Punonjësit humanitarë thonë se kampet këtu janë të mbushura, dhe ata po përpiqen të marrin më shumë burime për të ndërtuar më shumë qendra emergjente strehimi.
Ata thonë se mund të kenë nevojë për më shumë kohë, por zvarritja e luftës do të rendonte edhe më tej situatën.
Rzgar Abed, Fondacioni Bamirës “Barzani” thotë:
"Zvarritja e operacioneve do të shkaktonte një rritje të numrit të familjeve të zhvendosura. Kjo është arsyeja pse njerëzit mendojnë se do të ketë një valë të madhe refugjatësh. Dimri po vjen, dhe ky do të jetë një problem i madh. Ne nuk do të mund të sigurojmë strehim për të gjithë."
Ndërkohë, familjet e sapo zhvendosura thonë se ato kishin mungesa në ushqim, ujë të pastër dhe ishin pa shtretër ose tenda në ditët dhe javët e para pas arritjes në kamp. Ata përshkruajnë udhëtimet e vështira nëpër fusha të minuara për të arritur këtu. Megjithëse ata janë vetëm rreth 50 kilometra nga luftimet, ata thonë se nuk kanë vend tjetër ku mund të shkojnë.