Trupave irakiane u duhet të tregohen të kujdesshme për të kursyer jetën e civilëve dhe ndërtesat e lashta ndërsa luftojnë kundër Shtetit Islamik në Qytetin e Vjetër të Mosulit. Qeveria thotë se forcat e saj kanë shënuar përparime të reja në Mosulin Perëndimor, por militantët, të cilët janë fshehur në zonat e populluara dendur me civilë, janë duke bërë një rezistencë të fuqishme.
Ushtria irakiane, me mbështetjen e helikopterëve, ka avancuar në Mosulin perëndimor, deri në rajonin përreth xhamisë al-Nuri. Marrja e kontrollit të xhamisë ku udhëheqësi i Shtetit Islamik dha një predikim me shumë publicitet në korrik të vitit 2014, është një fitore me simbol e qeverisë. Por rimarrja e kontrollit të qytetit të lashtë të Mosulit po shoqërohet me sfida.
"Ky është një rajon ndër më të vështirët, kaotik dhe i padepërtueshëm, por forcat tona mundën të dilnin jashtë automjeteve dhe të hynin në Qytetin e Vjetër,”- thotë gjeneral-lejtnant Abdullah.
Militantët po shfrytëzojnë sulmet vetëvrasëse me bombë për të bllokuar avancimin e trupave qeveritare. Komandantët ushtarakë thonë se luftimet në Qytetin e Vjetër me popullsi të dendur janë tepër e vështira.
"Sfida është së pari shmangia e goditjes së civilëve, sepse IS është duke i përdorur ata si mburoja njerëzore. Së dyti, kjo është një zonë e vështirë, ngaqë është shumë e vjetër dhe mund të përdorim më pak armatime të rënda,” thotë një gjeneral irakian.
Civilët po largohen nga Mosuli Perëndimor me shumë pak mjete dhe me të plagosurit nga minat e tokës apo kurthet e ndryshme.
"Këtu sheh trupa të shtrirë në tokë; ata u vranë në një kurth të ngritur nga militantët. Janë 15 trupa që kanë filluar të prishen. Donim t’i merrnim, po militantët nuk na lanë. Na qëlluan me armë,”- thotë një banor.
Në tetor, qeveria irakiane filloi një operacion masiv me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për të rimarrë kontrollin e Mosulit nga Shteti Islamik. Rreth 250,000 janë zhvendosur nga rajoni që kur filloi beteja.
"Situata është e tmerrshme. Shteti Islamik na ka shkatërruar. Nuk ka ushqime, madje as bukë. Asgjë,” tregon një irakian.
Por ata që kanë mundur të shpëtojnë ndjehen me fat. Më tepër se gjysëm milioni civilë kanë mbetur të izoluar nga militantët në Qytetin e Lashtë të Mosulit.