Muzeu i Artit Modern MOMA në Nju Jork hap më 15 korrik ekspozitën e re mbi katalogun arkitekturor të krijuar në ish-Jugosllavi nga 1948-1980. Një periudhë e ngarkuar me ndryshime politike e ambicje sociale e kulturore gjen mishërim në projekte masive të zhvillimit urban, në monumente madhështore, duke krijuar një stil të ri e unik të që ndërthurte prirjet më avangardë të arkitekturës moderne me traditën e vjetër ballkanike.
Ekspozita prezanton publikun amerikan me disa nga veprat më të spikatura të arkitekturës jugosllave. Është një kapitull i arkitekturës moderne thuajse i panjohur jashtë bllokut ish-komunist dhe që kuratori, Martino Skrieli, vëren me kënaqësi të dukshme se ka për të ofruar surpriza interesante për vizitorët:
“Mendoj se kemi një mori materiali arkitekturor në këtë ekspozitë, projekte të mrekullueshme që mund të krahasohen nga arritja me objektet më të mira të arkitekturës të realizuara në periudhën e pas-luftës kudo tjetër,” kuratori i Muzeut MOMA, Martino Stierli.
Projekte të guximshme infrastrukture, monumente masive që kujtonin lavdinë e periudhës së luftës, komplekse urbane kompakte e komode, të gjitha flasin për një imazh të ri që aspironte të arrinte Jugosllavia, një shoqëri moderne e të larmishme që do të fshinte kufijtë etnikë e shtetërorë, barrierat e gjuhës, fesë e traditës.
“Shohim shumë eksperimente radikale që i dhanë mundësi këtij projekti të përgjithshëm abstrakt të merrte trajta fizike,” thotë Vladimir Kuliç, historian në Universitetin “Florida Atlantic”.
Lagje të qeta ballkanase u zëvendësuan nga komplekse masive banimi me ndërtesa moderne, duke u shndërruar në laboratore të gjalla të “presionit social” – eksperimentit demografik për të krijuar një shoqëri të re homogjene.
“Projektet masive të strehimit ofronin mundësi të mëdha për eksperimentim. Në ekspozitë kemi projektin “Split 3” një qytet i ri masiv, i ndërtuar në vitet 1970 për 50 mijë banorë me ndërtesa të larta por me rrugë të ngushta këmbësorësh, të shtruara me gurë në të njëjtin rrjet rrugësh ku ka ekzistuar qyteti i vjetër romak,” thotë zoti Kuliç.
Kuratori Stierli hedh poshtë kritikat për koston që pati ky eksperiment demografik tek popullatat origjinale në këto qytete dhe traditat e zonës:
“Mund të themi se modernizimi është gjithmonë një përvojë traumatike, pasi transformon një shoqëri agrare në një shoqëri industriale, urbane. Kjo ndodh kudo”.
Ekspozita, thonë kuratorët, dëshmon se arkitektura moderne ishte një eksperiment shumë i guximshëm dhe krijues:
“Për mua ndoshta aspekti më interesant i arkitekturës jugosllave është larmia e saj e jashtëzakonshme, gjë që në një farë mase ishte produkt i sistemit federal që bashkoi një shumëllojshmëri grupesh etnike e fetare,” thotë historiani Kuliç.
Të ftohta dhe impozante, për vizitoren Ina Selden trajtat e realizuara në beton ofrojnë edhe një bukuri të papritur:
“Është një interpretim shumë krijues, shumë i bukur. Materiali duket se i nënshtrohet shumë mirë dëshirës së arkitektit”.
E shkëputur nga influenca sovjetike dhe e shtyrë nga ideali i një shoqërie shumetnike, arkitektura në Jugosllavi krijoi vepra të një karakteri krejt unik që ndërthurnin elementët e modernizmit dhe të traditës ballkanike. Kosova, ashtu si njësi të tjera administrative të Jugosllavisë krijoi shkollën dhe traditën e vet të arkitekturës që prezantohet në ekspozitë me Bibliotekën Kombëtare.
“Si historian e konsideroj këtë ndërtesë shumë interesante dhe të pasur në interpretim. Projekti ishte një mishërim i arkitekturës së traditës bazuar tek forma kubike me kupolën sipër, të dyja elementë të trashëgimisë ballkanike që i gjejmë që nga periudha bizantine. Ndërtesa merr nga e kaluara e largët e Ballkanit dhe Kosovës në veçanti, por është përcjell edhe një vizion të së ardhmes bazuar tek shkenca kompiuterike, me format gjeometrike,” thotë zoti Kuliç.
Kuratori është entuziast që ndërtesa ka fituar kohët e fundit një grant nga Fondacioni Getty për riparim dhe restaurim. Historiani Kuliç shprehet i shqetësuar nga tendenca për të zëvendësuar vepra me vlera unike arkitekturore dhe kulturore në Ballkan, në emër të zhvillimit dhe në përpjekje për të fshirë një të kaluar që mbart një barrë negative emocionale për shumë në Ballkan:
“Problemi më i madh për mua është kur arkitektura transformohet me forcë thjesht për anën sipërfaqësore, nisur nga arsye të gabuara emocionale. Ndoshta ato që u panë në Shkup janë shembulli më flagrant ku në këtë përpjekje për të krijuar një identitet të ri imagjinar për Maqedoninë, u fshi një segment i tërë i historisë së saj moderne,” thotë historiani.
Kanë kaluar dekada që pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë pas zvenitjes së idealit që frymëzoi krijimin e saj.
Ajo që mbetet sot nga ky eksperiment utopik dhe që po shpaloset me superlativa në Muzeun e Artit Modern në Nju Jork, është një kapitull unik në katalogun e arkitekturës moderne botërore.
Facebook Forum