Parlamenti i Kosovës dështoi të miratojë një rezolutë për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që u nënshkrua më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e ish presidentit amerikan, Donald Trump.
Në mbështetje të rezolutës së propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës votuan 24 deputetë, ndërkaq 57 syresh abstenuan.
Rezoluta i bënte thirrje qeverisë së Kosovës të zbatojë marrëveshjen dhe të përgatis një plan veprimi që do t’i dorëzohej parlamentit.
Marrëveshja e Uashingtonit që u nënshkrua nga ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në pranine e ish presidentit Trump, parashihte një varg veprimesh për normalizimin ekonomik përfshirë edhe studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, që shtrihet në territorin e Kosovës dhe Serbisë.
Më 23 qershor Shtetet e Bashkuara u dorëzuan qeverive të Kosovës dhe Serbisë raportin e Departamentit amerikan për Energji, mbi menaxhimin e ujit të këtij liqeni.
Në fillim të muajit korrik përgjatë një debati për rezolutën që nuk u miratua sot, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se qeveria e tij do të përdorë argumentet nga raporti i Departamentit amerikan për Energji, mbi menaxhimin e ujit të liqenit të Ujmanit, për ta mbrojtur, siç tha, këtë pasuri të Kosovës.
Marrëveshja e Uashingtonit parashihte edhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe Kosovës, që u realizua me një shkurt të këtij viti, ndërkaq me 14 mars, Kosova hapi ambasadën e saj në Jerusalem. Sipas marrëveshjes një korriku ishte afati që Serbia të zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem, por presidenti serb, Aleksandër Vuçiç deklaroi se “interesat e Serbisë kanë ndryshuar që kur Izraeli njohu pavarësinë e Kosovës”.
Marrëveshja e Uashingtonit parasheh mes tjerash edhe ndërtimin e lidhjeve rrugore dhe hekurudhore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe krijimin e mundësive për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Sipas marrëveshjes, Kosova zotohet të bëhet pjesë e nismës së "mini-Shengenit", e cila tashmë ka ndryshuar emrin në "Ballkani i Hapur", një nismë e përbashkët e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Nisma që u paraqit në Novi Sad të Serbisë në tetor të vitit 2019, asnjëherë nuk ka siguruar mbështetje të rëndësishme në Kosovë, por as në Mal të Zi dhe në Bosnje, tri nga gjashtë vendet e rajonit të Ballkanit që aspirojnë integrimet evropiane.
Kryeministri Kurti tha të dielën se se nisma “Ballkani i Hapur” ngjan më shumë në një Ballkan të hapur për ndikimet nga Lindja.
Administrata e re amerikane ka theksuar se pret që Kosova dhe Serbia t'u përmbahen detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Uashingtonit.