Lidhje

Sali Mustafa thotë se ndjehet i pafajshëm përballë akuzave të Prokurorisë së Posaçme në Hagë


Ish pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa, tha të mërkurën në Gjykatën e Posaçme në Hagë, se ndjehet i pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme, e cila e ngarkon atë për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Zoti Mustafa është i akuzuari i parë që paraqitet në Gjykatën e Posaçme që trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Ai tha në fjalën e tij se beson plotësisht që lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës ishte e drejtë dhe e domosdoshme, derisa bëri thirrje për hetim dhe gjykim të krimeve që kanë kryer forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

“Shfrytëzoj rastin që nga kjo gjykatore t’u bëj thirrje deputetëve të Parlamentit Evropian, deputetëve të Kosovës, politikanëve vendimmarrës të shteteve evropiane, politikanëve të Kosovës si dhe drejtësisë evropiane, që të zgjojnë ndërgjegjen njerëzore, demokratike, humanitare që kësaj gjykate speciale selektive t’ia zgjerojë kompetencat, për të hetuar, gjykuar dhe vënë drejtësi edhe për 1 mijë e 392 fëmijë të vrarë e të masakruar, 16 mijë viktima civile, për afro 20 mijë gra të përdhunuara, gjetjen e 1mijë e 500 bashkëqytetarëve të mi që ende evidentohen të zhdukur”, tha ai.

Zoti Mustafa shfaqi shpresën se Dhomat e Specializuara, nuk do të ndikohen nga politika apo grupet e ndryshme të interesit.

“Duke dashur të besoj që këto dhoma të specializuara nuk do të ndikohen nga politika, qoftë vendore apo ndërkombëtare por as nga interesa për qërim hesapesh të individëve apo grupeve të interesit, duke dëshiruar që këtë gjykatë armiqtë e shtetit tim nuk do të mund ta përdorin kundër Republikës dhe qytetarëve të saj, duke i përbuzur ata individë vendorë apo ndërkombëtarë që për interesa të ngushta pasurie apo interesa të tjera të ulta po godasin themelet e lirisë sonë, luftën e drejtë të UÇK-së”.

Salih Mustafa është personi i parë i arrestuar nga Dhomat e Specializuara, derisa aktakuza kundër tij, e konfirmuar më 19 qershor, e ngarkon atë “me përgjegjësi penale individuale për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme”.

Sipas akuzës “afërsisht midis 1 prillit të vitit 1999 dhe 19 prillit të vitit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, (një zonë në lindje të Prishtinës) janë kryer krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Zoti Mustafa ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999 ndërsa pas luftës kishte shërbyer në Trupat Mbrojtëse të Kosovës e më pas edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Gjykata e njohur me emrin Dhomat e Specializuara u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar.

Ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019 ndërsa më 24 qershor prokuroria publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG