Lidhje

Thaçi: Kosova gati të heqë tarifat ndaj mallrave serbe


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkroi në rrjetin facebook se “Kosova është gati të shqyrtojë heqjen e taksës për prodhimet serbe nëse Kosovës i jepet një rrugë e qartë drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare paqësore me Serbinë”.

Ai i bëri jehonë deklaratës së tij për “The Washington Post”, ku ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara të marrin një rol udhëheqës në bashkërendimin e përfshirjes ndërkombëtarë për “marrëveshjen paqësore finale që do të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia. Ndërgjegjja jonë na kërkon – dhe është detyrë e jona historike – që të bëjmë paqen të mundshme dhe të vërtetë”, shkroi ai.

Gazeta amerikane shkroi se presidenti Thaçi, më 21 dhjetor kishte zhvilluar një takim të pa raportuar diplomatik në Berlin me ambasadorin amerikan, Richard Grenell, në të cilin ishte zotuar për heqjen e tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Gazetar citon ambasadorin Grenell të ketë thënë se “presidenti Thaçi dhe unë folëm për rëndësinë e marrjes së vendimeve afatgjate në vend të veprimeve afatshkurtra. Isha i kënaqur që ai u pajtua dhe do të angazhohet për heqjen e tarifave të vendosura së fundmi mbi prodhimet serbe. Kjo lëvizje do të ndihmonte që të dërgoheshin shenjat e duhura se ai është serioz për negociatat dhe në ndërtimin e besimin ndërmjet palëve”.

Takimi në Berlin kishte ndodhur pak ditë pasi që presidenti amerikan Donald Trump, u dërgoi letra presidentit Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke u bërë thirrje të dyja palëve “që të shfrytëzojnë kohën e duhur për të arritur një marrëveshje pajtimi ndërmjet tyre”, marrëveshje që siç thuhet, “do të pasqyronte në mënyrë të drejtpeshuar interesat e të dyja palëve”.

Më 21 nëntor të vitit që lamë pas, qeveria e Kosovës vendosi tarifa prej 100 për qind për mallrat nga Serbia, në shenjë kundërshtimi ndaj siç u tha, fushatës agresive të Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës.

Tarifat nxitën reagimin e Bashkimit Evropian që kërkoi anulimin e tyre por edhe të Shteteve të Bashkuara.

Beogradi tha se nuk do të ketë vazhdim bisedimesh nëse nuk anulohet tarifa.

Nuk pati një reagim të menjëhershëm të qeverisë së Kosovës ndaj deklaratave të presidentit Thaçi, por deri tash kryeministri Ramush Haradinaj ka theksuar se çështja e tarifave do të jetë pjesë e marrëveshjes për njohjen e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Zyrtarë të qeverisë, thanë në rrjetet sociale se tarifa nuk mund të hiqet nga presidenti dhe ajo nuk është vënë për t’u hequr pa u përmbushur kushtet për një gjë të tillë.

Me gjithë tensionet, autoritetet në Kosovë thonë se janë të gatshme të vazhdojnë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe një ekip negociator i miratuar më 15 dhjetor në parlamentin e Kosovës, pa pajtimin e partive me të mëdha opozitare, do të qëndrojë të martën në Bruksel për të takuar zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG