Lidhje

Parlamenti miraton ligjin për Gjykatën e Posaçme


Parlamenti i Kosovës miratoi edhe ligjin për Gjykatën e Posaçme. Diplomatët perëndimorë mirëpritën vendimet për ngritjen e gjykatës

Parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme. Miratimi, pa praninë e opozitës që bojkotoi punimet e parlamentit, pasoi miratimin e ndryshimeve kushtetuese që mundësojnë ngritjen e Gjykatës së Posaçme për krime lufte në Kosovë.

Ligji për Gjykatën e Posaçme është hartuar nga Bashkimi Evropian, duke përfshirë disa nga ndryshimet e kërkuara nga Prishtina e që kishin të bënin me formulime ku ishte përfshirë edhe fjala gjenocid.

Por, autoritetet e Kosovën nuk kanë pasur mundësi të ndërhyjnë më shumë në tekstin e ligjit.

Parlamenti miratoi edhe projektligjin për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencialë në Proceset Gjyqësore në Gjykatën e Posaçme.

Të hënën parlamenti i Kosovës, miratoi me 82 vota ndryshimet kushtetuese për ngritjen e Gjykatës së Posaçme. Rivotimi i së hënës pasoi dështimin e parlamentit për të miratuar këto ndryshime më 26 qershor.

Miratimi i ndryshimeve kushtetuese u përshkua me debat të ashpër dhe thirrje të opozitës kundër kësaj gjykate. Madje në disa raste debatet morën edhe ngjyrime personale ndërmjet deputetëve.

Qeveria e Kosovës u tha deputetëve se miratimi i ndryshimeve kushtetuese është një hap me rëndësi të posaçme për Kosovën në procesin e përmbushjes së detyrimeve kundrejt partnerëve ndërkombëtarë. Në prill të vitit të kaluar parlamenti i Kosovës me 89 vota për, miratoi themelimin e gjykatës së posaçme.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës. Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.

Opozita fillimisht hodhi një propozim për miratimin e një rezolute për dënimin e krimeve të luftës në Kosovë gjatë viteve 1998 -1999, përkatësisht siç thuhet gjenocidin që ka ushtruar Serbia në Kosovë, por nuk siguroi votat e mjaftueshme që kjo çështje të futet si pikë e parë e rendit të ditës për sot.

Udhëheqësit e opozitës thanë se nuk janë kundër një gjykate për krime lufte, por për një gjykatë gjithëpërfshirëse, ndërsa theksuan se ri votimi e dëmton rëndë demokracinë në vend.

Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën. Ata thonë po ashtu se dështimi i Kosovës për të ngritur gjykatën mund të çojë çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kjo do të jetë e dëmshme për shtetin e ri.

Jahjaga: Gjykata nuk gjykon përpjekjet për liri

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, përshëndeti miratimin e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës së Posaçme, si një përmbushje e detyrimeve ndërkombëtare të vendit.

Në një komunikatë për opinion ajo vlerëson se themelimi i Gjykatës së Posaçme, bazuar në kuadrin ligjor, dëshmon përkushtimin e Kosovës për parimin drejtësi për të gjithë.

Presidentja Jahjaga thekson se Gjykata do të trajtojë akuzat e ngritura nga raporti i Këshillit të Evropës dhe ajo nuk do gjykojë përpjekjen kolektive për çlirim dhe liri.

Diplomatët perëndimorë mirëpresin miratimin e Gjykatës së Posaçme

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, vlerësoi se miratimi i ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit për themelimin e Gjykatës së Posaçme “është hap jetik në ofrimin e kuadrit të domosdoshëm për adresimin e pretendimeve të rënda që dalin nga raporti i Këshillit të Evropës, si dhe zotimet e marra nga parlamenti i Kosovës në vitin 2014”.

Në një deklaratë të zonjës Mogherini thuhet se “duke kuptuar që ky hap i deputetëve të parlamentit të Kosovës nuk ishte i lehtë, ai është shenjë e përgjegjësisë dhe vendosmërisë për të nxjerrë të vërtetën dhe për të marrë vendime që janë në harmoni me rrugën evropiane të Kosovës.

BE-ja është e përkushtuar në ofrimin e ndihmës në këtë proces dhe për të vazhduar punën me palët e përfshira për të përfunduar procesin e krijimit të mekanizmave të nevojshëm ligjor në mënyrë që të mund të mbahen procese gjyqësore të pavarura dhe të drejta në një të afërme”.​

Ambasadori amerikan Greg Delawie, nëpërmjet një postimi në rrjetin social twitter, përgëzoi Kosovës për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, duke i cilësuar ato të rëndësishme për pozitën e saj ndërkombëtare dhe sundimin e ligjit.

Në një deklaratë të përbashkët, ambasada amerikane në Kosovë, zyra e Bashkimit Evropian dhe ambasadat e vendeve të BE-së mirëpritën miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit për themelimin e Gjykatës së Posaçme.

Ky ishte një hap i rëndësishëm në rrugën euro-atlantike të Kosovës. Me këtë vendim, qeveria e Kosovës dhe parlamenti kanë demonstruar përkushtimin e tyre për sundimin e ligjit dhe për respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Dhomat e Specializuara janë instrument jetik për vendosjen e drejtësisë lidhur me pretendimet për krimet e supozuara gjatë konfliktit në Kosovë. Themelimi i tyre do të forcojë parimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe vendet tona do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e Kosovës në këtë fushë. Duke u ballafaquar me të kaluarën e saj dhe duke siguruar drejtësi për viktimat, Kosova mund të arrijë pajtimin dhe të ndërtojë të ardhme më të mirë”, thuhet në deklaratë.

XS
SM
MD
LG