Një gjykatë në Prishtinë tha se ka miratuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme të Kosovës për shfuqizimin e urdhërarrestit ndërkombëtar ndaj nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiç, i dyshuar për pjesëmarrje në vrasjen e politikanit lokal serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç, tri vjet më parë.
Gjykata Themelore në Prishtinë në një përgjigje për Zërin e Amerikës, tha më 19 shkurt kishte marrë kërkesën për tërheqjen e urdhër arrestit të cilën e kishte miratuar 23 shkurt të këtij viti. “Për më shumë informacione mund t’i drejtoheni prokurorisë pasi që çështja është në fazën e hetimeve”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore.
Por, Prokuroria e Posaçme me gjithë interesimin e Zërit të Amerikës, nuk dha ndonjë hollësi rreth këtij veprimi për të cilin lëvizja Vetëvendosje tha se mund të jetë “larje e borxheve të mëhershme apo kusht për aleanca të reja politike”.
“Ky vendim i Gjykatës, i mbajtur heshtur, larg opinionit publik, përveç skandalit, përbën dhe rrezik e të panjohura. Si mund dikujt që i është përgatitur fletarresti për dyshime si i përfshirë në krim të rëndë t'i revokohet ai? Kush është Prokurori i Prokurorisë Speciale i cili paska kërkuar nga departamenti special pa asnjë argumentim të qëndrueshëm që të revokohet urdhërarresti për një ndër kriminelët më të mëdhenj të pasluftës?”, thuhet në një reagim të kësaj lëvizjeje.
Milan Radoiçiç, i cili është në arrati diku në Serbi, nuk ishte i qasshëm deri tash për autoritetet e drejtësisë në Kosovë që e akuzonin atë se bashkë me një grup personash “duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar, me qëllim të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës, si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarinë e përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ku secili nga të pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviç, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë”.
Gjatë vitit 2018, në dy operacione të ndara në veri të Kosovës, policia kishte arrestuar 6 persona të dyshuar për vrasjen e politikanit serb.
Beogradi hodhi poshtë çdo përfshirje të Milan Radoiçiçit në vrasjen e politikanit Ivanoviç dhe të hënën tha se shfuqizimi i urdhërarrestit ndërkombëtar vetëm sa ëe vërtetoi një pohim të tillë.
Instituti i Kosovës për Drejtësi i tha Zërit të Amerikës se gjykata nuk mund të bëjë asgjë pa kërkesën e prokurorisë. “Prokurori bën kërkesë për lëshimin e fletarrestit ndërkombëtar, gjykatësi e vlerëson a janë plotësuar kushtet ligjore dhe pastaj e miraton ose jo kërkesën. Ndërsa kur prokurori kërkon shfuqizimin e fletarrestimit ndërkombëtar, gjykatësi nuk ka autoritet apo kompetencë të veprojë ndryshe, vetëm e zbaton kërkesën”, tha ky Institut për Zërin e Amerikës.
Më 16 janar të vitit 2018, politikani lokal serb Oliver Ivanoviç u qëllua me armë zjarri në veriun e Mitrovicës. Oliver Ivanoviç i cili udhëhiqte nismën qytetare serbe, "Liria, Demokracia, Drejtësia", u qëllua para zyrës së tij ndërsa vrasja e tij pati ngjallur reagime të shumta në Kosovë dhe në Serbi.
Facebook Forum