Lidhje

Kosovë: Rënia e numrit të luftëtarëve nuk zvogëlon rrezikun nga ekstremizmi


Pamje nga një proces gjyqësor kundër të akuzuarve për terrorizëm
Pamje nga një proces gjyqësor kundër të akuzuarve për terrorizëm

Në një debat për rolin e parlamenteve të Ballkanit Perëndimor në mbikëqyrjen e masave për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, u tha se bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm në përballjen me këtë dukuri

Autoritetet në Kosovë thatë të mërkurën se në gjashtë muajt e fundit nuk është regjistruar asnjë rast i përfshirjes së qytetarëve të saj në luftëra të huaja. Megjithatë, thanë ata, rreziku nga ekstremizmi nuk duhet të nënvlerësohet dhe lufta kundër tij kërkon bashkëpunim të të gjitha palëve të përfshira.

Këto komente u bënë gjatë punimeve të një tryeze rajonale për rolin e parlamenteve të Ballkanit Perëndimor në mbikëqyrjen e masave të zbatuara për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, organizuar nga Qendra e Gjenevës për Kontroll Demokratik të Forcave të Armatosura.

Daut Haradinaj, kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri, dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, tha se ka një ritëm të rënies së radikalizmit dhe ky është një lajm i mirë për Kosovën.

" Ne mund të themi sigurt se në 6 muajt e fundit nuk kemi dalje nga Kosova të asnjë pjesëtari domethënë asnjë qytetari të Kosovës. Ka dyshime dhe spekulime nëpër media të caktuara por e vërteta është që zyrtarisht nuk ka qytetarë të Kosovës që ju kanë bashkuar fronteve të huaja në 6 muajt e fundit”, tha ai.

Kryetari i Komisionit për mbikëqyrje të Agjencisë së Zbulimit, Haxhi Shala, tha se lufta kundër ekstremizmit kërkon bashkërendim të veprimeve të të gjithë rajonit.

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean Hubert Lepet, tha se forcimi i qeverisjes së mirë dhe i të drejtave të njeriut janë shumë të rëndësishme për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. Pikërisht në këtë kuadër, sipas tij, parlamentarët duhet të kryejnë rolin e tyre.

“Puna juaj gjendet në mes të dy poleve, për të siguruar legjislacion efektiv për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm në njërën anë, dhe në tjetrën garantimi i respektimit të të drejtave njerëzore. Kjo nuk është një detyrë e lehtë dhe kërkon debat të vazhdueshëm me ekspertë dhe shoqërinë civile, për më tepër bashkëpunimi rajonal dhe shkëmbimi i përvojave më të mira është thelbësore”, tha ai.

Zëvendës shefja e operacioneve për Evropën Juglindore, Antje Fritz, shprehu shqetësimin që parlamenti nuk është i përfshirë sa duhet as në strategjinë kombëtare për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.

“E kam shikuar nga afër planin e veprimit për zbatimin e strategjisë, për të kuptuar më mirë rolin e institucioneve të sektorin e sigurisë. Agjencia e Zbulimit përmendet 48 herë në këtë plan veprimi, është një rol i jashtëzakonshëm për forcat e sigurisë dhe të zbulimit në këtë strategji. Pastaj nga kureshtja kërkova sa herë përmendet parlamenti i Kosovës në këtë plan veprimi, dhe sa për dijeni nuk përmendet asnjëherë”.

Qindra veta nga rajoni i Ballkanit u janë bashkuar luftërave në Siri dhe Irak dhe për një kohë të gjatë Bosnja dhe Kosova ishin radhitur ne krye të vendeve me më se shumti luftëtarë të huaj për kokë banori. Viti i fundit ka shënuar rënie të numrit të tyre edhe për shkak se autoritetet e bënë më të vështirë udhëtimin për në ato vende, ndonëse organizatat civile thonë se militantët kërkojnë rrugë të tjera.

Në pranverën e vitit të kaluar parlamenti i Kosovës miratoi një që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjithë ata që marrin pjesë, nxisin apo mbështesin përfshirjen në konfliktet jashtë Kosovës.

Sipas autoriteteve rreth 316 veta besohet se kanë marrë pjesë në ato konflikte, ndërsa atje ende ndodhen 140, nga të cilët 75 luftëtarë dhe 38 gra e 27 fëmijë.

Besohet se 117 veta janë kthyer në Kosovë dhe deri tash 35 veta janë dënuar nga gjykatat.

XS
SM
MD
LG