Ata u torturuan deri në vdekje, u lidhën nga këmbët, ose u pushkatuan. Dhe, më shumë se 30 vjet pas vdekjes, 38 katolikët e vrarë gjatë regjimit komunist të diktatorit Enver Hoxha, po lumnohen. Po cilët ishin këta njerëz që u martirizuan dhe çfarë kishin bërë ata për të pësuar atë fat tragjik? Le të ndjekim këtë kronikë, të përgatitur nga agjencia e lajmeve AFP.
Zyrtarë të Vatikanit iu bashkuan komunitetit katolik shqiptar për të kujtuar martirët gjatë një meshe në katedralen e Shkodrës, varrezat e së cilës ishin skena e ekzekutimeve.
“Besimi tek Krishti ishte dritëza e vetme e shpresës në jetën e ferrit komunist”, thotë Dom Ernest Simoni, i cili kaloi gati dy dekada në internim.
Kleriku 88-vjeçar më 19 nëntor do të bëhet shqiptari i dytë kardinal.
I dënuar fillimisht me vdekje sepse kishte mbajtur meshë në kujtim të presidentit të vrarë amerikan John F. Kennedy, ai u dënua me internim dhe pastaj i shpëtoi shtypjes brutale gjatë trazirave të të burgosurve në vitin 1973.
Dy të tretat e dënimit të tij, Dom Ernest Simoni i kaloi nëpër miniera, në malet e thella shqiptare, më shumë se 100 kilometra në veri të Tiranës.
Trupat e qindra të zhdukurve ndodhen ende nën tokën e kampit të internimit të Spaçit.
“Pra, Spaçi mund të konsiderohet një ferr i vërtetë. Ai të kujton pikërisht rrathët e ferrit të Dantes; është një gulag shqiptar, një vend i cili u ndërtua enkas, pikërisht për t’i mbërthyer, për t’i futur në këtë zgavër kundërshtarët e regjimit politik”, thotë historiani Gjergj Marku.
Në atë kohë, pak shqiptarë ishin në dijeni të burgut dhe njerëzit që hynin atje, rrallëherë ktheheshin.
Diktatori Hoxha pëlqente të përsëriste moton marksiste: “feja është opium i popullit”. Ai u përpoq ta zhdukte fenë nga Shqipëria, dhe në vitin 1967 e shpalli vendin shtet ateist.
Ai angazhoi organizatat rinore për të shkatërruar 1,280 kisha dhe xhami.
Shtatë peshkopë, 111 priftërinj, 10 seminaristë dhe tetë murgesha vdiqën në paraburgim ose u ekzekutuan mes viteve 1945 dhe 1985, nën akuzat se kishin fshehur armë për të përmbysur regjimin, ose se ishin spiunë apo tradhtarë.
“Shqipëria ishte vend martirësh”, i tha Papa Françesku 300 mijë shqiptarëve që e pritën në Tiranë në shtator të 2014-ës.
Në katedralen muze të Shkodrës, prifti 82-vjeçar Gjergj Simoni – i burgosur për 10 vjet se kishte shkruar “Letër për Luciferin”, e cila ishte për Hoxhën – kohët e fundit tregoi historinë e 38 besimtarëve që do të lumnohen.
Një prej tyre ishte Marie Tuçi, një grua e re e torturuar për vdekje, dhe prifti Pjetër Çuni, i cili nuk mbijetoi pasi u var nga këmbët.
Një prift, Lekë Sirdani, u hodhë i gjallë në një gropë ujrash të zeza, ndërsa Josif Papamihalin e lanë ta gëlltiste një moçal rëre thithëse në lindje të Shqipërisë.
Dy priftërinj gjermanë janë në mesin e dëshmorëve, si dhe Giovanni Faustini, një italian i cili u pushkatua në moshën 47 vjeçare.
“Kisha katolike, të gjithë shqiptarët, në veçanti kisha katolike ka qenë e persekutuar, torturuar, martirizuar. Dhe, siç ka thënë Papa Françesku, kisha jonë është një kishë martire që u ringjall pikërisht falë gjakut të Krishtit, që është shpëtimtari ynë, dhe falë gjakut të martirëve tanë”, thotë Engjëll Massafra, kryepeshkopi i Shkodrës.
Tani, më shumë se 30 vjet pas vdekjes së Hoxhës në vitin 1985, ëndrra e diktatorit për një vend ateist është zhdukur.
Drane Malaj, 71 vjeç, fshin lotët nga sytë ndërsa kujton xhaxhain e saj që ishte prift, eshtrat e të cilit u gjetën katër dekada pasi u pushkatua në Shkodër.
“Dhimbjen e kam patur, por ditën që kam gjetur axhën, s’kam pas më dhimbje se e kam ditur se ku janë eshtrat e tij”, tha ajo.